19 vjeçari theret me thikë në qendër të Drenasit

Një person është therur me thikë sot në qytetin e Drenasit.

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se viktima ndodhet për tretman mjekësor në Emergjencë në QKUK.

Rasti u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti tha se lidhur me këtë rast janë identifikuar dy persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre.

“Sot rreth orës 13:00 kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të stacionit të autobusëve në  Drenas. Me të marrë informatën njësitet e stacionit policor kanë dalë në vendin  e ngjarjes dhe po merren me rastin. Bazuar në  informacionet e para dyshohet se një person mashkull 19 vjeç, ka marrë plagë nga një mjet i mprehtë dhe i njëjti është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Lidhur me këtë rast pilicia ka identifikuar dy persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, ka thënë Ahmeti.

Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.