17 vjet burgim për vrasjen e Arben Dekajt

Kamber Buleshkaj është dënuar me 17 vite burgim për akuzën se ka privuar nga jeta Arben Dekajn.

Vendimi është marrë nga trupi gjykues me kryetaren, gjyqtaren Nushe Kuka-Mekaj.

Prokuroria e Pejës pretendon se në shtator të vitit 2018 në Istog, Arben Dekaj me veturën e tij kishte shkuar në shtëpinë e Kamber Buleshkajt, duke kërkuar nga ky i fundit një armë të llojit Kallashnikov, që këtë armë të ndjerit ia kishte kërkuar Abedin Hysenaj, që të festonin në një aheng familjar.

Sipas dosjes se Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje i akuzuari Buleshkaj privon nga jeta Arben Dekajn, e pastaj te lumi i Shushicës e hedh trupin e tij nga ura në lumë.

Sipas aktakuzës, pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair” e braktis veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.