16 ditë portokalli kundër dhunës gjinore

Me moton “Barazia e gjenerimit qëndron kundër dhunimit” pritet të ndriçohet sot me ngjyrë portokalli Qeveria dhe Bibloteka Kombëtare.

Ngjyrë kjo që tregon nisjen e  fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”.

“Djemtë duhet të arsimohen që të mos jenë të dhunshëm dhe të mësojnë të trajtohen të barabartë me vajzat” tha Ulrika Richardson, koordinatore për zhvillim nga ekipi i Kombeve të Bashkuara për emisionin e mëngjesit në RTK.

Në bazë të statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetit në të gjithë rajonin europian,  1 në 4 gra përjetojnë dhunë seksuale dhe ose fizike nga një partner intim.

Vlerësimet thonë se rreth 5 për qind e grave janë sulmuar seksualisht nga dikush tjetër përveç partnerit.

Fushata përqendrohet në çështjen e përdhunimit si një formë specifike të dëmit të bërë ndaj grave dhe vajzave në kohë paqeje ose lufte.

OBSH po bën thirrje për më shumë veprime për të parandaluar dhe ndalur dhunën ndaj grave.

Vlora Nushi, shefe e Zyrës UN ËOMEN tha se dhuna nuk duhet të shihet si çështje personale dhe se edukimi duhet të fillojë që nga shkolla.

“Bibloteka do të ndriçohet për shkak se është një vend ku ndodhen më së shumti ngacmimet seksuale” tha Nushi.

Raporti i OSBE-së për vitin 2018 thekson se 13 vdekje të grave kanë ndodhur nga mbi 1 mijë raste të dhunës në familje gjatë periudhës janar-shtator.

Për nëntë muajt e këtij viti, aq sa edhe kanë të dhëna autoritetet e rendit, janë raportuar më shumë se 1,130 raste të dhunës në familje, në të cilat pjesa më e madhe e viktimave janë gra.

Kurse, gjatë dhjetë vjetëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur 34 raste të vrasjeve, ku viktima kanë qenë gratë.

Në Kosovë janë gjithsej dhjetë strehimore joqeveritare dhe një e udhëhequr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku në vit strehohen rreth 100 gra. Aty, kryesisht, strehohen viktima të dhunës në familje dhe të trafikimit.

Sot në orën 19:00 do të ndriçohen kupolat e Bibliotekës Kombëtare. Ndërsa, fushata do të vazhdojë deri më 10 dhjetor në Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Ngjyra portokalli është ngjyra e cila e përfaqëson këtë fushatë, për shkak të ndritshmërisë të saj.

Sipas statistikave numri i viktimave të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë është rreth 20 mijë.