Vezë çokollate, Foto: Pixabay

12 vjeçari zviceran vodhi një çokollatë në dyqan, i kërkoi falje pronarit përmes letrës

Një 12-vjeçar me emrin Benjamin nga Zvicra nuk mundi t’i rezistonte vezës prej çokollate në një dyqan në San Marino dhe për shkak se nuk kishte para me vete, ai thjesht futi në xhep çokollatën.

Por më pas e brejti ndërgjegjja dhe djali vendosi t’i shkruante një letër shitësit dhe t’i kërkonte falje për veprimet e tij, raporton Blick.ch.

Menaxheri i dyqanit Danilo Chiaruzzi e publikoi letrën në faqen e tij në Facebook të mërkurën.

“Fatkeqësisht asgjë nuk më befason më pas asaj që kemi përjetuar në vitet e fundit. Por sot ndërrova mendje”, ka shkruar pronari.

Ai mori letrën nga Zvicra së bashku me një kartëmonedhë 10 euro.

Benjamini e shkroi letrën e kërkimfaljes me dorë.

Në letër Benjamin kishte shkruar se vezën e çokollatës në vlerë 2.10 euro e ka vjedhur pasi nuk kishte para.

“Më vjen shumë keq dhe e di që kjo është e gabuar. Sepse dua të bëj paqe me Zotin tim dhe me ty, do të të jap 10 euro si dëmshpërblim”, ka shkruar 12 vjeçari.

Foto: Danilo Chiaruzzi/Facebook