​Basha i premton kryeministrit Hoti heqjen e taksës rrugore posa të vijë në pushtet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë ka takuar liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku kanë diskutuar për sfidat e Kosovës në rrugëtimin e saj të integrimit Evropian dhe euro-atlantik.

“Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet objektivat e vendosura nga autoritetet e Kosovës me qëllimin dhe arsyen për përfundimin e këtij procesi, njohjen reciproke midis dy vendeve. Natyrisht të gjitha aspektet tjera me përfitim për qytetarët e dy vendeve e më gjerë. Së dyti mbi planin ekonomik sa i përket situatës së ekonomisë dhe të punësimit në Kosovë të shkaktuara nga pandemia për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, dua t’iu them se për ne si opozitë, një shembull për një frymëzim se si Qeveria e Kosovës me kryeministrin Hoti për përgatiten dhe përballen me këto pasoja, si dhe për të lehtësuar dhimbjet dhe problemet që ka shkaktuar për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Basha.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se me Bashën kanë diskutuar për sfidat që kanë si qeveri në luftimin e pandemisë dhe për planin për rimëkëmbje ekonomike, por edhe për situatën e krijuar në Kosovë pas zhvillimeve të fundit. Hoti theksoi po ashtu se kanë biseduar edhe për heqjen e taksës rrugore, e cila aktualisht aplikohet 5 euro për të gjitha kosovarët që shfrytëzojnë  “Rrugën e Kombit”.

“Kemi ndarë të gjitha shqetësimet dhe çështjet që duhet t’i adresojmë si dy shtete, përfshirë edhe taksën e rrugës. Unë e kam zotimin e Bashës që ajo taksë të hiqet”, theksoi Hoti.

Për këtë tarifë rrugore, Basha theksoi se në qeverisjen e tij do ta heqin këtë taksë.

“Nuk kam çka të shtoj, premtimi im qëndron do të jetë një nga vendimet e ditës së parë të qeverisë së ardhshme heqja e taksës në “Rrugën e Kombit”. Së fundmi i kam kërkuar kryeministrit Hoti të bëjmë gjithçka për të ndihmuar sa do pak turizmin në këtë kohë të vështirë”, ka thënë Basha./21Media