SHBA i kthen Izraelit monedhën 'tepër të rrallë' me vlerë 1 milion dollarë

Një monedhë e cila daton që nga koha e një rebelimi hebre kundër sundimit romak gati 2000 vjet më parë është kthyer nga SHBA në Izrael pas një hetimi të përbashkët për kontrabandë.

E krijuar në vitin 69 pas Krishtit, çerek shekeli “tepër i rrallë” vlerësohet të jetë me vlerë mbi 1 milion dollar, sipas zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhattan, e cila ishte nikoqir i ceremonisë së riatdhesimi të kësaj monedhe në Nju Jork të hënën.

Ky vendim vjen 20 vjet pasi autoritetet izraelite mësuan për herë të parë, nëpërmjet informatorëve, se monedha argjendi ishte zbuluar nga grabitësit e antikiteteve në Luginën Ella, në jug të Jerusalemit. Besohet se është një nga një sasi e vogël monedhash të gjetura nga hajdutët në zonë, e cila është shtëpia e shumë lokacioneve të rëndësishme arkeologjike.

Hetuesit thonë se kjomonedhë u fut në tregun e zi përpara se të kontrabandohej në Mbretërinë e Bashkuar përmes Jordanisë. Më pas u eksportua në SHBA duke përdorur dokumente false. Në vitin 2017, zyrtarët e Sigurisë Kombëtare e kapën monedhën e lartcekur në Denver, Kolorado, ku do të ofrohej në ankand.

“Pavarësisht kompleksitetit të këtij hetimi, ekipi ynë i prokurorëve, analistëve dhe agjentëve që punonin me autoritetet izraelite ishin në gjendje të gjurmonin këtë antikitet në vetëm disa muaj,” tha në një deklaratë Prokurori i Qarkut të Manhattan, Alvin L. Bragg, Jr., duke e përshkruar monedhën si me “vlerë të jashtëzakonshme kulturore”.

Mbretëria e Judesë ra nën kontrollin romak në vitin 6 pas Krishtit, megjithëse rezistenca ndaj sundimit perandorak çoi në një seri revoltash të njohura si Luftërat Judeo-Romake. Monedha daton në vitin e katërt të Revoltës së Parë Hebraike, e njohur gjithashtu si Revolta e Madhe Çifute, e cila filloi në vitin 66 pas Krishtit./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala