Vdekja e Rexhep Ferrit, krerët shtetërorë vlerësojnë kontributin e piktorit akademik

Akademik Rexhep Ferri ka vdekur sot, më 06.06.2024, në moshën 86-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e akademik Ferrit është dhënë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Akademik Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë. Ai konsiderohet si njëri ndër piktorët më të mëdhenj të artit shqiptar.

Kontributi i tij është vlerësuar edhe nga krerët e lartë shtetërorë, sipas të cilëve, Ferri mjeshtërisht gërshetoi pikturën me letërsinë.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova ka humbur krijuesin e mrekullueshëm, i cili gërshetoi mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave, sipas saj nuk iu nda gjatë gjithë jetës.

“Kosova sot humbi akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri. Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh” ka shkruar presidentja Osmani,.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shkruar në Facebook se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e piktorit Jakup Ferri. Ai shtoi se Ferri la pas një thesar të jashtëzakonshëm artistik.

“Veprimtaria e tij dhe kontributi si profesor dhe krijimtaria e tij e pamatshme si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit tonë, e vendosin atë pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve. Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese. Ngushëllime familjes për humbjen e më të dashurit të tyre! Kujtimi i Rexhep Ferrit do të jetojë përgjithmonë në veprën e tij sublime. Vepra e tij e mrekullueshme do të na shoqërojë përgjithmonë! Shpirti iu prehtë në paqe!”- ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri Albini Kurti potencoi se Kosova humbi një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Kurti ka thënë po ashtu se Ferri, përveç veprave artistike, ai ka botuar edhe poezi, ese dhe romane që pasurojnë trashëgiminë tonë kulturore.

“Kontributet e tij si pedagog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë lënë një trashëgimi të pasur artistike dhe edukative. Kosova humbi familjarin e dashur, Akademikun, Profesorin, shokun, kolegun dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit dhe kulturës. Do të kujdesemi që vepra e tij të dokumentohet, të mbrohet dhe të njihet e studiohet nga gjeneratat e reja. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Le ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit”- ka shkruar Kurti, në Faceboo.

Ngushëllime për vdekjen e piktorit akademik Rexhep Feri ka shprehur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Sot humbëm një nga artistët më të veçantë të kombit. Rexhep Ferri, profesionist e veprimtar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e artit. Ferri i takon brezit që ngritën skenën tonë artistike. Vepra dhe kontributi i tij do të vazhdoj të jetë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Përherë mirënjohës për angazhimin dhe trashëgiminë që ka lënë pas”- ka potencuar Çeku në Facebook.

Biografia e Ferrit

Akademik Rexhep Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë. Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd.

Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i kësaj Akademie.

Ferri organizoi shumë ekspozita të pavarura kombëtare dhe ndërkombëtare dhe u nderua me çmime të ndryshme për kontributin e tij në artin figurativ, duke përfshirë edhe me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi”.

Ka botuar libra me poezi, romane, ese. Veçohen nëntë tituj të përmbledhur në veprat e zgjedhura letrare. Më 1971 mori Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, iu dha titulli Qytetar Nderi i Vlorës. Në vitin 2010, ASHAK-u botoi opusin artistik të Ferrit.

Varrimi i akademik Rexhep Ferrit bëhet të premten, më 07.06.2024, në ora 13:00, pas mbledhjes komemorative dhe homazheve.