Shfaqja “Martir” transmetohet sot në livestream

Drama “Martir” e Teatrit të Gjakovës do të transmetohet sot në ora 21:00, në faqen e Facebook-ut të teatrit, në formatin livestream, njofton Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Martir” është dramë e shkruar nga autori gjerman Marius von Mayenburg,e inskenuar në formë kamertale  nën regjinë e Fatos Berishës.

Në dramën kontraverse bëhet fjalë për jetën e një djali të ri i cili  përqafon fundamentalizmin e krishterë, dhe shpalos konfuzitetin e botës së sotme si pasojë e ndeshjes së  presionit e të qenit politikisht i saktë dhe  tolerant ndaj paragjykimeve me debatin rreth religjionit, dogmës dhe shkencës.

“Drama e Mayenburg-ut nuk është vetëm një thumbim cinik për fobinë ndaj radikalizmit fetar në botën perëndimore. Drama në mënyrë groteske shpalosë frikën universale nga ‘të tjerët’, si një konstante e pavetëdijshme të shoqërive që supozohen të jenë tolerante,” përshkruhet  në komunikatë.

Kjo dramë u shfaq në skenë për herë të parë në gjuhën angleze në vitin 2015 në “Unicorn Theatre” në Londër. Në shfaqje luajnë aktorët: Besfort Berberi, Vlera Pylla, Edmond Hafizademi, Buajr Ahmeti, Muradije Muriqi, Arbies Komoni, Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Myrvete Kurtishi dhe Ahmet Bakija.