Teatri i Gjakovës "Hadi Shehu"

Rrëfimi i aktores që pandemia e la pa punë e me borxhe

Pandemia ka prekur shumicën e sektorëve në Kosovë, përfshirë këtu gastronominë dhe komunitetin artistik. Mos rihapja e teatrove me lirimin e masave shumë aktorë i ka lënë pa të ardhura. Mungesa e të hyrave mujore nga mos ushtrimi i punës ka bërë që mos të kenë mundësi as të paguajnë faturat e të “zhyten” në borxhe.

Besnike Arifi me profesion aktore dhe shankiste, që nga 12 marsi ka mbetur pa dy vendet e punës së saj.

Arifi e cila dje kishe publikuar një postim në Facebook si revoltë ndaj gjendjes aktuale duke paralajmëruar që nuk do të paguajë tatimet ndaj shtetit që po e lë të papunë, sot rrëfej për KALLXO.com luftën e saj me dy anët negative të pandemisë. Nga njëra anë ndërpreja e karrierës dhe në tjetrën anë pamundësia që të paguaj borxhet.

34 vjeçarja  e cila ka diplomuar në degën e aktrimit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, si studente e klasës së aktores Ilire Vinca, rrethanat pandemike e kanë lënë pa zgjidhje.

Arifi deri më 12 mars të këtij viti ushtronte dy profesione si koordinatore për teatër në Teatrin AAB “Faruk Begolli” dhe si shankiste në ZoneClub.

“Pandemia sikur në krejt botën, padyshim që ka ndikuar edhe tek unë. Posa u punësova si koordinatore për teatër në Teatrin AAB “Faruk Begolli” dhe fillova të jem afër profesionit tim dhe të krijoj një rehati që kisha ëndërruar me vite, pandemia e rrotulloj gjithë jetën time”, rrëfeu Arifi.

Ajo tha se nuk do të paguajë me tatim derisa të lirohen masat dhe të bëhet zgjidhje konkrete për komunitetin artistik.

“Ana negative është presioni ndaj borxheve te cilave nuk mundem dot me ju dal zot. Ndihmë nuk kam pasur as nga Ministria e Kulturës dhe as nga askush këtë kohë”, tha ajo.

Sipas saj ndihma e shtetit nga Pakoja Emergjente me vlerë 260 euro për shtatë muaj nuk janë të mjaftueshme për t’i  dalë ballë tatimeve dhe jetesës në Kosovë.

Besnike Arifi

“Unë nuk paguaj më tatim deri sa të lirohen masat dhe të behet zgjidhje konkrete. Ky ishte qëllimi i postimit tim dhe për këtë e kam thënë që nuk jap asnjë përgjegjësi më” tha ajo.

Në postimin e djeshëm ajo kishte thënë se do të heq dorë nga Kosova dhe sipas saj ajo e kishte fjalën që nuk do të jap përgjegjësi për tatime deri sa t’i gjendet një zgjidhje.

“Kuptimi i fjalisë  ‘heq dorë nga ky shtet’ është që heq dorë nga përgjegjësitë që kam ndaj tatimeve dhe shërbimeve elementare për jetesë sepse mendoj duhet të jetë reciproke”, u shpreh Arifi.

Ajo tha se fillimin e jetesës në pandemi e kishte menaxhuar lehtë por gjërat u vështirësuan më vonë pasi ju ndalën të gjitha të hyrat.

Arifi ndër të tjerash kërkoj ndihmë nga shteti për komunitetin artistik dhe tha se është në gjendje edhe ta mësoj edhe ndonjë profesion tjetër vetëm e vetëm që të mbijetojë.

“Artistët meritojnë përkrahje më të madhe nga shteti. Unë çka kërkoj është që të na bëjnë ndonjë zgjidhje konkrete ose le të tregojnë se çfarë profesioni ose zanati kërkohet më shumë nga shteti dhe unë jam në gjendje ta mësoj edhe ndonjë profesion të ri vetëm e vetëm që të mbijetoj”, tha ajo.

Sipas saj e vetmja e mirë që i ka sjell pandemia është se ka arritur ta njoh veten më mirë, të reflektoj dhe analizoj çdo gjë në jetën e saj.

Por, ajo krahas revoltës për mospagimin e tatimeve përderisa nuk ka një punë prej të cilës mund të paguaj tatime ndaj Kosovës ajo tha se do të derdh edhe djersën e punës së saj për vendin e saj tash dhe përgjithmonë.

Arifi tha që nëse lirohen masat mundet ta vazhdoj punën në vendet ku ka punuar deri në mars.

“Unë jam artiste me profesion dhe zanat kam shankun. Këto dy punë di t’i bëjë më mirë. Politikën ua lë atyre që ju kemi besuar menaxhimin e saj”, u shpreh ajo.

Komunitetin artistik gjatë pandemisë ajo e vlerësoj si të pashpresë dhe të zvarritur dhe ta pa vlerësuar.

Arifi dje në Facebook kishte publikuar një postim i cili u shpërnda nga një pjesë e madhe e komunitetit artistik duke thënë se për shërbimet që nuk ka arritur t’i paguaj gjatë këtyre muajve le të merren vesh institucionet në të cilat ka borxh me institucionet shtetërore.

“Kam humbur dy vende të punës shkaku i pandemisë dhe ndihmë prej 260 eurove(dy herë nga 130eurove) përafërsisht shtatë muaj nuk janë të bollshme. Andaj, do të bëj tag bankën KEP, Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës, KEDS dhe të gjitha këto shërbime që nuk do të arrijë të paguaj, i ftoj që të merren vesh ndërmjet vete sepse presioni psikik që më është bërë më kanë sjell në atë nivel që thjesht me nuk kam çka të humb”, kishte shkruar ajo.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës nga i cili ndalohen të gjitha veprimtaritë kulturore në ambiente të mbyllura dhe të hapura ende është në fuqi. Ky vendim pamundëson punën e teatrove.

Ky vendim  ka bërë që teatrot kosovare të mos jenë në dijeni nëse do të rinisin punën pas gati gjashtë muajve të ndërprerjes për shkak të pandemisë.