Kantautori Skender Beck. Foto: SB.
Kantautori Skender Beck, shqiptari që po bën emër në tregun muzikor amerikan
Këngëtari i muzikës rock, shqiptaro-amerikani Skender Beck, sa po ka publikuar këngën e tij të parë në gjuhën shqipe “Sa larg”. Kënga është e shkruar dhe kompozuar nga vet Beck.
Kantautori shqiptar që jeton dhe vepron në Los Anxhelos, Skender Beck, ka të publikuar edhe albumin “Stars Aligned”. Ky album është i disponueshëm në iTunes, Spotify, Amazon Music dhe platforma të tjera digjitale të muzikës.
Ai njihet dhe bashkëpunon më shumë muzikantë edhe në Kosovë.
Këngëtari Skender Beck tashmë ka bërë emër në tregun muzikor amerikan. Këngët: “Gone”, “Good Times (Stars Aligned)” e “This is How It Ends”, janë ndër më të pëlqyerat nga publiku.
Një sukses të tillë, Beck pret edhe me këngën “Sa larg”, për të cilën thotë ka punuar me përkushtim dhe se po pëlqehet nga publiku dhe mediat.
“Çka jam befasuar është se miqtë e kolegëve të mi amerikanë po ju pëlqen jashtëzakonisht kjo këngë. WFIT, një radio publike në Florida, që e ka transmetuar një këngë time më herët, ma kërkoi këngën që të transmetohet në radion e tyre. Kështu që jam jashtëzakonisht i lumtur që kënga po bën jehonë” – thotë ai.
Videoklipi për këtë këngë është realizuar në një lokacion në periferi të Prishtinës.
Beck thotë se do të vazhdojë krijimin e këngëve, qoftë në shqip ose anglisht, pse jo edhe publikimin e albumeve muzikore e performim në koncerte të ndryshme.
Për realizmin e këngëve të tij (videoklipeve), Beck bashkëpunon me emra të njohur të muzikës në SHBA, por edhe ata në Kosovë. Ka bashkëpunuar me kitaristin Andrew Timothy, pastaj me Brian Petry, Marc De Sisto, Chris Wonzer etj. Por, edhe me Lekë Miftarin, Blerim Gjocin e Ujkan Hysën.
“Të gjitha këngët i kam shkruar dhe komponuar vet. Së pari e realizoj versionin e parë ku i ekzekutoj të gjitha instrumentet vet e më pas kaloj në fazën e dytë, kur i gjej muzikantët nga studiot që t’i ekzekutojnë shumë më mirë dhe natyrisht pa gabimet që unë i bëj gjatë ekzekutimit në instrumente” – thotë kantautori Beck.
Përveç muzikës, Beck, një aktor i diplomuar, angazhohet edhe në role filmike.
“Tash së fundi kam realizuar zërat shqip në filmin ‘War Dogs’ e para disa muajve kam xhiruar një rol të shkurtë në Atlanta në serinë ‘Citadel’ me Priyanka Chopra, që do të dalë së shpejti në Amazon. Jam gjithashtu në fillim të xhirimit të një filmi të shkurtër ‘The Goddes’” – ka pohuar Skender Beck.
Kantautori Skender Beck është këngëtar, kitarist dhe aktor me përvojë. Ai studioi dhe u diplomua në aktrim. Në vitin 1997, Skenderi migroi në New York City për të vazhduar shkollimin në Institutin e Teatrit “Lee Strasberg”. Që nga viti 2001 ai jeton në Los Anxheles. Qysh në moshën 9-vjeçare, Beck luajti në shfaqjen “Kekeci dhe Mojca”. Ai gjithashtu lujati dhe në “Nuk jemi hajna”, “Ujku i akuzuar”, në filmin “Çelësi magjik” etj. Ai është fitues i disa çmimeve në teatër, (‘Aleksandër Mojsiu”, 1994 dhe 1995), etj.