Norvēģu režisors Mortens Traviks.

Pas reagimeve ndaj ekspozitës me fotot dhe thëniet e diktatorëve verikoreanë, flet autori Morten Traavik

Pas reagimeve të publikut lidhur me ekspozitën “Gardianët e parajsës”,e cila po qëndron e hapur në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka folur autori Morten Traavik.

Artisti dhe regjisori norvegjez, Morten Traavik, ka deklaruar në një prononcim për KALLXO.com se është i hapur ndaj reagimeve të publikut lidhur me ekspozitën e tij.

Gjatë gjithë ditë së sotme në rrjetet sociale janë dhënë vlerësime të ashpra në adresë të regjisorit Morten Traavik.

Fotografitë e diktatorëve të Koresë së Veriut dhe panot me disa thënie të ish- diktatorit koreanoverior Kim Jong Il, të ekspozuar në mesin e fotografive të ekspozitës, ngjallën kritika në adresë të autorit.

Por, Traavik, pavarësisht reagimeve, ka deklaruar se mirëpret çdo lloj debati të hapur dhe të sinqertë në lidhje me veprat e tija.

“Nuk ka reagime “të drejta” dhe “të gabuara” ndaj një vepre arti dhe çdo njeri ka të drejtë të ketë mendimin e vet. Prandaj, si artist mirëpres çdo lloj debati të hapur dhe të sinqertë në lidhje me veprat e mia, pasi besoj fuqimisht se një shkëmbim paqësor i mendimeve është një nga gurthemelet e një demokracie të shëndetshme”, ka pohuar ai.

Ndërsa i pyetur rreth kritikave se përmes kësaj ekspozite po i  bëhet një marketing diktaturës koreanoveriore, Traavik ka pohuar se asnjë ekspozitë, sado e detajuar të jetë, nuk mund të paraqesë realitetin e plotë të cilitdo vendi apo kulture.

“Së pari, më lejoni të theksoj se mendoj se asnjë ekspozitë, sado e detajuar të jetë, nuk mund të paraqesë realitetin e plotë të cilitdo vendi apo kulture dhe sigurisht që nuk pretendoj se ‘Gardianët e parajsës’, në çfarëdolloj mënyre, mbulon më shumë se disa vështrime të jetës në Korenë e Veriut”, është shprehur Traavik.

Më tej, ai ka shtuar se si në secilën nga veprat e tij, dhe si në çdo vepër që ai mendon se është e denjë për emrin “art”,  dëshiron  që njerëzit të formojnë mendimin e tyre.

“Kjo është arsyeja pse unë kam zgjedhur të paraqes këto grimca të një realiteti tjetër në një mënyrë që nuk i thotë spektatorit se çfarë të mendojë. Gjithashtu, kam dashur jo vetëm që publiku të shikojë Korenë e Veriut, por edhe Koreja e Veriut të na shikojë neve.  Kjo është arsyeja pse unë, deri në një farë mase, kam rikrijuar parullat dhe atmosferën vizuale të një hapësire publike në Korenë e Veriut,  për t’iu përshtatur arkitekturës dhe stilit unik dhe mjaft autoritar të Bibliotekës”, ka thënë Traavik, pas reagimeve ndaj fotove dhe panove me thënie të ish-diktatorit të Koresë së Veriut Kim Jong Il.

Ekspozita “Gardianët e parajsës” është hapur të enjten e kaluar nga kompania kinematografike “Traavik.Info”  në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Gjatë ceremonisë së hapjes së kësaj ekspozite është shfaqur edhe filmi dokumentar “Dita e Çlirimit” (2016).