Flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës - Foto: Facebook / Edi Rama

Kraja: S’është hera e parë që Shqipëria, në momente kritike, e margjinalizon Kosovën

Zhvillimet që po kalon vendi nuk kalojnë pa prekur edhe vëmendjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në një intervistë për KALLXO.com, kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja, ka folur për zhvillimet aktuale në Kosovë, për bisedimet me Serbinë, marrëveshjen e fundit për linjën ajrore Prishtinë- Beograd, ftohjen e raporteve politike Shqipëri – Kosovë, kishën ortodokse e deri te zhvillimet në arsim dhe kulturë.

Kraja la folur edhe për zhvillimet në Akademi, akuzat për plagjiaturë dhe ndaj botimeve të këtij institucioni.

Për akademik Krajën marrëveshja e fundit për linjën e ajrore Beograd –Prishtinë është krejt periferike, por që synon të fuqizojë një perspektivë të keqe politike, që rruga e Kosovës drejt Evropës të kalojë përmes Beogradit.

Reformat në Akademi

KALLXO.com: Para pak muajsh morët drejtimin e ASHAK-ut. Çfarë ndryshimi i nevojitet këtij institucioni dhe cilat janë prioritetet që duhet apo me të cilat do të merret Akademia në dekadën e dytë të shekullit XXI?

Mehmet Kraja: Para një kohe, Akademia e ka kaluar një reformë strukturore dhe mendoj se në këtë fazë ajo duhet të konsolidohet si institucion, duke zgjeruar ndikimin e saj në ambientin shoqëror, shkencor dhe kulturor të Kosovës. Kjo nuk është punë e lehtë, duke marrë parasysh njëlloj prirjeje për t’i ngarkuar Akademisë një trashëgimi negative, që për një kohë ka qenë trend dhe i ka lënë pa gjumë shumë njerëz. Nuk më vjen keq të them se, ta zëmë, gjatë njëzet viteve të shkuara, Akademia, si shumica e institucioneve të Kosovës, mund të mos ketë arritur të bëjë atë që duhej, por kush bëri? Nuk bëri shteti i Kosovës, nuk bëmë ne vetë dhe nga doli tani ideja se Akademia mund të ishte më ndryshe. Akademia është e Kosovës dhe ajo i takon asaj me të gjitha të mirat dhe të këqijat që ka. Ndërkaq, nëse e krahasoni me akademitë e rajonit, do ta vëreni se AShAK mund të jetë më mirë se disa syresh, përfshirë edhe Akademinë e Serbisë, ndër të tjera, sepse nuk mban mbi vete barrën e memorandumeve që shkaktuan luftëra të përgjakshme në fund të shekullit XX. Akademia jonë, pra, ka ndjekur modelet evropiane të akademive. Mbase kjo është arsyeja pse te asociacionet dhe organizatat evropiane të akademive, Akademia e Kosovës gëzon prestigj dhe i njihet autoriteti. Vetëm t’ua sjell në vëmendje se ishte reagimi i Akademisë sonë që e ngriti çështjen Handke, të cilës më pas i bënë jehonë jo vetëm mediet, por edhe qarqe të njohura intelektuale dhe akademike ndërkombëtare.

KALLXO.com: Duke qenë institucioni kryesor në vend i shkencës dhe kulturës, si shihen zhvillimet e fundit politike në vend, brenda Akademisë?

Mehmet Kraja: Akademikët, shumica syresh, janë autoritete shkencore dhe artistike me bindjet e tyre politike, kështu që institucioni i Akademisë, për të mbajtur një qëndrim politik, nuk merr për bazë këtë shumësi pikëpamjesh, por një interes shoqëror, shtetëror dhe kombëtar mbi dallimet partiake dhe ideologjike. Më anë tjetër, akademikët si natyrë janë pak si më të ngadaltë dhe nuk nguten të marrin një qëndrim të prerë për një çështje të caktuar. Prandaj mos pritni që Akademia të reagojë, ta zëmë për vonesat në krijimin e qeverisë, përderisa ajo qëndron në suaza të normave kushtetuese, apo të mos përmbahet nga gëzimi për linjën ajrore ose hekurudhore Prishtinë-Beograd. Unë mendoj se historia nuk bëhet me kaq ngut dhe nuk mendoj se historia e Kosovës varet ekskluzivisht nga raportet e saj me Serbinë. Historia e Kosovës do të varet nga raportet që do të krijojë me Shqipërinë dhe me Evropën.

KALLXO.com: Çfarë mund të bëjë Akademia në këto momente kur vendi po kalon kriza të njëpasnjëshme politike?

Mehmet Kraja: Krizat politike në Kosovë do të dukeshin procese normale, sikur të kishim institucione të qëndrueshme, që nuk do të vareshin nga hiret e një klase politike të çoroditur, e cila nuk del dot nga një rreth i mbyllur i një mendësie të korruptuar. Por ka një gjë që duhet ta themi dhe që mendoj se i tejkalon situatat e momentit dhe merr një shtrirje më të gjerë: Ne jemi vetë kriza e Kosovës. Ne kemi të instaluar një sistem demokratik, por kemi deficit të madh të vetëdijes politike dhe që këndej burojnë të gjitha krizat, qofshin shoqërore ose politike. Më lejoni që këtu të ridizajnoj një mendim të Sokratit: Demokracia e manipuluar përmes votës së lirë është më e keqe se çdo diktaturë.

Keqpërdorimi nga politika

KALLXO.com: Ka raste që AShAK vizitohet nga drejtuesit e lartë të shtetit apo drejtues të partive politike. Mandej edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, një prej politikanëve kryesor në vend, është anëtar i akademisë. Sa ka interesim nga ta për bashkëpunim apo këshillim, të themi, me Akademinë për interesa shtetërore, siç janë bisedimet me Serbinë, çështje të politikës së jashtme, çështje të arsimit, lufta kundër korrupsionit, etj.?

Mehmet Kraja: Është një gjë që duhet ta keni në vëmendje: Kur vijnë politikanët në Akademi, ata i nënshtrohen diskursit tonë dhe nuk i nënshtrohet Akademia diskursit të tyre. Prandaj ata kujdesen të mos vinë aq shpesh dhe, kur vinë, të mos i diskutojnë me ne çështjet që ua acarojnë nervat. Së këndejmi, në këto njëzet vjet nuk do të gjeni asnjë politikan të Kosovës që ka kërkuar mendim nga Akademia për një çështje të caktuar, me përjashtim të një rasti, kur Akademia është keqpërdorur për t’i dhënë peshë idesë së ndarjes së Kosovës, respektivisht të këmbimit të territoreve. Pra, në rrugë normale asnjë politikan dhe asnjë institucion i shtetit nuk e kërkon dhe nuk e ka kërkuar mendimin e Akademisë. Mirëpo, më anë tjetër, sapo krijohet një situatë krize, sapo gjërat marrin teposhtën, secili i vdekshëm në Kosovë kërkon përgjegjësi nga Akademia. Gjithashtu duhet pasur në vëmendje se Akademia nuk është OJQ e mendimit pozitiv, as e OJQ e fjalës së lirë, por është institucion i përgjegjshëm, që paraqitjet publike përpiqet t’i mbështet në analiza të qëndrueshme. Vetëm se, duhet ta dini, analizat e këtilla nuk iu pëlqejnë politikanëve dhe në shumicën e rasteve ato, për shkak se mediet janë të varura politikisht, mënjanohen shpejt nga vëmendja publike.

Dëmet nga bisedimet Kosovë- Serbi

KALLXO.com: Ka vite që zhvillohen bisedime në mes të Kosovës dhe Serbisë. Cilat janë përfitimet e Kosovës nga këto bisedime?

Mehmet Kraja: Unë do ta them mendimin tim dhe ky nuk është vlerësim i Akademisë: Kosova po shpenzon shumë energji me këto bisedime, nga të cilat, për shkak të paqëndrueshmërisë sonë politike dhe institucionale, kemi pasur më shumë dëm se dobi. Tashmë është e qartë se dialogu me Serbinë, për shkak të papërgjegjësisë sonë, e ka dobësuar vazhdimisht pozitën ndërkombëtare të Kosovës, madje e ka çuar atë deri në shkallë të kontestimit të pavarësisë. Këtë përgjegjësi e mbajnë politikanët dhe institucionet tona shtetërore të dhjetë viteve të fundit. Në këtë “rënie të lirë” drejt greminës Kosovës ia ka dhënë goditjen më të rëndë Gjykata Speciale, e cila, më shumë se për të dënuar krimet e luftës, u bë për të shantazhuar një klasë politike të zhytur në krim dhe korrupsion. Për t’i shpëtuar kësaj Gjykate, këta politikanë jo vetëm që u bënë “kooperativë” me ndërkombëtarët, por e kundruan Serbinë si shpëtimtare të vetme nga një “ambis politik”, ku duket qartë se do të përfundojnë pa asnjë alternativë. Në një rrethanë të këtillë, bisedimet me Serbinë ose duhet të ndërpriten, ose duhet të vendosen mbi baza të reciprocitetit. Edhe një gjë: Kosova është duke vuajtur një dhunë psikologjike të tmerrshme, nga një diskurs politik dhe medial me epiqendër Serbinë. Ne e njohim këtë diskurs që nga koha e Rrahman Morinës dhe tani ai rikthehet me pamje ndryshe, por me përmbajtje të njëjtë.

KALLXO.com: Së fundi është arritur edhe një marrëveshje për një vijë fluturimi në mes Beogradit dhe Prishtinës, për të cilën janë dhënë pak informacione. Çfarë përfiton Kosova nga kjo marrëveshje?

Mehmet Kraja: Asgjë, ose gjëra krejt periferike, por që synon të fuqizojë një perspektivë të keqe politike, që rruga e Kosovës drejt Evropës të kalojë përmes Beogradit. Por, më anë tjetër, duhet të na shqetësojë inferioriteti i Kosovës, shtetësia e së cilës lëndohet dhe merr goditje nga marrëveshjet e këtilla: Nënshkrues i marrëveshjes është bërë nga Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë dhe jo Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës. Dhe ajo që është më e shëmtuar, të gjitha “detaje” fshihen nga sytë e opinionit, si tani kur nënshkruhen marrëveshje të këtilla, si atëherë kur për këto çështje janë arritur ujdi në Bruksel. Pse fshihen, pra? Pse Kosova gjithnjë bën marrëveshje të fshehta me Serbinë, të dëmshme për vendin, dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë? Kush i mbështet dhe kush i lejon këto marrëveshje dhe përse këta njerëz që aq lehtësisht cenojnë parimet themelore të sovranitetit dhe të shtetësisë nuk i merr askush në përgjegjësi? Kush ua ka dhënë atyre këtë të drejtë?

Tradhtarët lokalë dhe kombëtarë

KALLXO.com: Si i shihni zhvillimet politike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë? Pse ka një mosbashkëpunim kaq të madh, qoftë politik apo ekonomik në mes të dy vendeve?

Mehmet Kraja:  Asgjë për t’u çuditur! Ajo që ishte e fshehur, doli në terren të hapur dhe kjo është më mirë, sepse në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të ketë çiltëri dhe sinqeritet, jo prapaskena të kamufluara. Që disa vjet unë kam tërhequr vërejtjen me shkrime autoriale për diskursin politik të Ramës rreth Kosovës, për raportet e tij me Serbinë, për “agjendën kineze” të disa takimeve të para të Ramës me Vuçiqin, për prapaskenat e fshehta dhe të dëmshme të marrëdhënieve të treshes Vuçiq-Rama-Thaçi etj. Edhe një gjë: derisa  marrëdhëniet e Kosovë-Serbinë paevitueshëm prodhojnë tradhtarë serikë lokalë, marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kanë prodhuar vazhdimisht tradhtarë të nivelit kombëtar. Pra, nuk është hera e parë gjatë historisë që Shqipëria, në momente kritike, e margjinalizon Kosovën dhe përpiqet ose ta zgjidhë çështjen e saj duke e anashkaluar atë dhe duke marrë rol paternalist, ose duke shpërfillur Kosovën dhe duke shikuar interesat e saj afatshkurtra. Kjo, tashmë, për një pjesë të politikës së Shqipërisë është bërë praktikë e zakonshme. Një sjellje e këtillë natyrisht që e lëndon Kosovën, prek jo vetëm sentimentin, por edhe interesat e saj.

KALLXO.com: Sa e dëmton interesin politik të Kosovës anashkalimi që Qeveria shqiptare i bëri me projektin e mini- Schengenit ballkanik?

Mehmet Kraja: Në pikëpamje politike mendoj se mini-Shengeni është një tullumbace dhe nuk ka për t’u realizuar ndonjëherë në atë mënyrë që të prodhojë efekte reale politike, por në pikëpamje ekonomike ai i shërben Serbisë të zgjerohet në tregun e Shqipërisë. Ndërkaq, dëmin më të madh e shkaktoi në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri dhe kjo, po u pa nga perspektiva e Serbisë, mund të ishte edhe qëllimi kryesor. Është tepër cinike, por tani doli e vërtetë: Shqipëria i përkeqësoi marrëdhëniet me Kosovën, për t’i përmirësuar ato me Serbinë dhe ajo që më bën përshtypje nuk është qeveria e Tiranës me veprimet e saj krejtësisht të papërgjegjshme, por një reagim i vakët, të thuash kurrfarë i botës akademike të Shqipërisë. Tani, a u dëmtuan me këtë rast vërtet interesat politike të Kosovës? Gjithsesi, sepse është interes jetik dhe afatgjatë i Kosovës që në të gjitha proceset politike të ketë mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë. Natyrisht, një diskurs të këtillë negativ në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri duhet tejkaluar sa më shpejt dhe AShAK po bën pikërisht këtë: po intensifikon marrëdhëniet me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, duke u përpjekur të minimizojë dëmet që u shkaktuan me këtë acarim marrëdhëniesh politike, të nxitura dhe të koordinuara nga faktorë antishqiptarë.

KALLXO.com: Çfarë pasojash mund të sjellë për Kosovën ky acarim politik mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke marrë parasysh edhe padinë që Edi Rama i bërë Ramush Haradinajt?

Mehmet Kraja: Pasojat tashmë i kemi këtu: ftohje marrëdhëniesh, shpenzim i energjisë së kotë politike, përçarje e faktorit politik shqiptar në mbarë hapësirën ballkanike dhe, natyrisht, dobësim i pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe i pozitës së saj negociuese me Serbinë.

Aneksi IV i pakos së Ahtisaarit

KALLXO.com: Mali i Zi u bë me ligj të ri për liritë fetare. U bë shumë zhurmë nga shtetit serb dhe kisha. A duhet të ndjek edhe Kosova shembullin e Malit të Zi sa i përket një ligji për liritë fetare?

Mehmet Kraja: Lexojeni Kushtetutën e Kosovës, lexojeni Pakon e Ahtisaarit dhe do ta kuptoni se Kosova nuk mund ta ndjekë shembullin e Malit të Zi. Më anë tjetër, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë probleme të pazgjidhura me kishat e tyre kombëtare, të cilat për një kohë të gjatë kanë funksionuar nën patronatin e Kishës Serbe. Autoqefalia e Kishës Malazeze është një proces që do të zhvillohet ngadalë, sepse problemi i pronave nuk është i vetmi problem i pazgjidhur i autoqefalisë. Kisha Malazeze, njësoj si Kisha Maqedonase, duhet ta zgjidhë problemin e patejkalueshëm të Sinodit të Shenjtë, ku dominimi  rus-grek-serb është vendimtar. Kisha Ortodokse Shqiptare nuk e ka këtë problem, sepse asaj i është njohur autoqefalia që më 1937.

KALLXO.com: Si duhet t’i qaset qeveria jonë çështjes së trashëgimisë ortodokse?

Mehmet Kraja: Rreth trashëgimisë ortodokse Kosova ka bërë një gabim të madh me aneksin IV të Pakos së Ahtisaarit, të cilin e ka miratuar në bisedimet e Vjenës, para shpalljes së pavarësisë. Në atë aneks trashëgimisë ortodokse, përmes të ashtuquajturave zona të sigurisë, i është njohur njëlloj eksterritorialiteti dhe kontroll ndërkombëtar, ku Kosova ka vetëm kompetenca të ruajtjes dhe të sigurisë, pa asnjë të drejtë tjetër. Ky ka qenë një gabim i tmerrshëm, sepse shqiptarët e Kosovës, përmes këtij aneksi, janë barazuar me talibanët, që shkatërrojnë trashëgiminë e vendit të vet, për shkak të bindjeve fetare. Përveç kësaj, këto zona të sigurisë janë përcaktuar në mënyrë të vrazhdët, shpesh absurde: ta zëmë, përmendores në Gazimestan, pa qenë asfare trashëgimie kulturore as fetare, i është vënë përreth një zonë sigurie, ndonëse është ndërtuar në vitin 1954 dhe për shqiptarët e Kosovës bart një trashëgimi negative: është vendi ku Millosheviqi i shpalli luftërat në ish-Jugosllavi. Idiotizma të këtilla, dhe jo vetëm këtë, i ka bërë ekipi ynë negociator, i cili edhe atëherë i mbante të fshehta dokumentet e marrëveshjes. Pra, pa u hequr nga Kushtetuta e Kosovës dispozitat e Pakos së Ahtisaarit dhe kushtëzimet e pavarësisë, asnjë status i trashëgimisë ortodokse në Kosovë nuk mund të ndryshojë.

KALLXO.com: A ekziston mundësia e themelimit të një Kishe ortodoksë të Kosovës, e pavarura nga ajo e Serbisë, ka edhe propozime të tilla?

Mehmet Kraja: Jo, Kosova as që duhet ta mendojë një gjë të tillë. Nuk ka nevojë, nuk i duhet, madje është qesharake.

Klanet brenda Akademisë

KALLXO.com: Të kthehemi tek Akademia. Ka pasur kritika rreth dy projekteve madhore të Akademisë, monografinë “Kosova” dhe Fjalorin enciklopedik. Cili është projekti madhor i radhës që është duke punuar Akademia?

Mehmet Kraja:  Të jem i qartë menjëherë: vlefshmëria e këtyre kritikave është diskutueshme. Ja pse: Monografinë “Kosova” e ka kritikuar një gazetar që donte të bëhej poet dhe emri i tij nuk ishte përfshirë në kreun e letërsisë. Edhe përkundër faktit që u mbështet gjerësisht opinioni i tij, ai nuk u bë poet, madje mbeti gazetar i dobët. Megjithatë, monografia i ka disa gabime, të cilat tani, në një botim të rishikuar, po korrigjohen. Çështja e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës është pak më e ndërlikuar, sepse bëhet fjalë për një lëndë prej afro 2000 faqesh të formatit të madh, ku kanë punuar 506 autorë me 72 anëtarë redaksish. Të gjithë këta persona është dashur të marrin përgjegjësitë e tyre, në një botim kolektiv, më i miri i bërë ndonjëherë në botën shqiptare. Ndërkaq, sa i përket projektit të radhës, tani për tani është në përfundim e sipër Leksikoni i Vendbanimeve të Kosovës në tre vëllime, një vepër kapitale vetënjohëse për Kosovën e paditur për vetë banorët e saj. Në radhë mund të jetë Enciklopedia Shqiptare, projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

KALLXO.com: Ka mjaft kritika në adresë të akademikëve të AShAK-ut për plagjiaturë. A është mbajtur ndonjëherë nga AShAK ndonjë mbledhje për të trajtuar këto akuza?

Mehmet Kraja: Kjo akuzë është e ekzagjeruar, sepse nuk ka “mjaft kritika në adresë të akademikëve të AShAK-ut për plagjiaturë”, por ka kritika për një ose dy akademikë, për disa radhë ose për ndonjë tekst pa referenca përkatëse. Kështu siç e paraqitni ju situatën, del se Akademia vlon nga plagjiaturat. Kjo nuk është e vërtetë. Denoncimeve të këtilla u është bërë shumë jehonë nga disa pretendentë të përjetshëm për t’u bërë anëtarë të Akademisë, ose nga persona që duan të fitojnë reputacion publik, duke e përgojuar Akademinë. Tani unë e them me përgjegjësi se plagjiaturat nuk janë shqetësim për Akademinë, por duhet të jenë shqetësim për institucionet e arsimit të lartë, në të cilat diplomat, temat për master dhe disertacionet shkruhen me pagesë, këtu dhe në Shqipëri, madje gjysma syresh, ose edhe më shumë se kaq. Bëjeni një hulumtim për këtë dhe mund të shihni se çfarë po ndodh.

KALLXO.com: Botimi i Fjalorit Enciklopedik të Kosovës është përcjellë me akuza të shumta. A do të ketë një ribotim të tij dhe përmirësim të gabimeve?

Mehmet Kraja: Kanë qenë shpifje dhe insinuata të ulëta, sulme të njëanshme dhe të paargumentuara. Nuk është mirë të flitet përmendësh, por të lexohet Fjalori dhe të krahasohet me botime të ngjashme. Sigurisht, gabime ka dhe do të ketë sërish dhe sërish, duke marrë parasysh volumin e lëndës dhe vështirësitë e tjera, por nëse kritikat vijnë nga ata që Fjalorin Enciklopedik të Kosovës e perceptojnë si lejekalimi për të hyrë në histori, atëherë kritikat humbin nga pesha dhe vlefshmëria. Kështu, kritikat më të shumta për Fjalorin kanë ardhur nga gazetarët e papërfshirë, të cilët, duke qenë rreth një mijë emra, logjikisht që nuk mund të zinin vend të gjithë në Fjalor. Pra një numër gazetarësh u prekën në sedër dhe kjo ishte arsyeja kryesore e kritikave dhe jo gabimet reale të Fjalorit. Nga ana tjetër, një numër personash, ndoshta shumica syresh, donin që në biografitë e tyre të përfshiheshin gjëra të paqena. Por kjo nuk bëhet, sepse Fjalori Enciklopedik i Kosovës mban firmën e një institucioni prestigjioz dhe biografitë e shkruara aty nuk janë as si te Wikipedia, por as si CV-të e shkruara nga vetë subjektet. Sido që të jetë, Fjalori i ka kodifikuar të dhënat për Kosovën dhe ky ka qenë qëllimi i botimit të tij. Sigurisht që do të bëhet edhe një ribotim i përmirësuar, do të hidhet në qarkullim edhe versioni elektronik, por të gjitha këto kur t’iu vijë koha. Ndërkohë, shpresoj të qetësohet egërsia e smirës dhe prirjet për vanitete mediokrish në ambientin tonë kulturor.

KALLXO.com:  A do të përkthehet në gjuhë të huaja Fjalori Enciklopedik, konkretisht në gjuhë angleze?

Mehmet Kraja: Jo, nuk besoj. Ne kemi një botim, monografinë “Kosova” në gjuhë angleze, e cila është shpërndarë jashtëzakonisht shumë dhe për të nuk është bërë asnjë vërejtje, por duket se qëllimisht është kaluar në heshtje, meqë përmes saj nuk mund të përçmohet Akademia.

KALLXO.com: Në një intervistë që keni dhënë për një medium vendas keni cekur se brenda Akademisë ka klane dhe në AShAK kanë hyrë njerëz që nuk meritojnë të jenë aty. Çfarë mund të bëjë Akademia për të zhbërë këto klane dhe ndërprerjen e anëtarësimeve pa meritë në të ardhmen në Akademi?

Mehmet Kraja:  Sigurisht kam thënë se ka klane dhe grupe të interesit, por ju e dini se grupe të këtilla ka në secilin institucion të Kosovës. Vetëm se, nëse këto klane ose grupe të interesit bëhen pengesë për punën e institucionit, atëherë duhet intensifikuar përpjekjen për t’i zhbërë ato. Unë nuk mendoj se Akademia ka shkuar në këtë pikë dhe, më anë tjetër, jemi duke punuar që në Akademi të krijohet një komunikim i hapur dhe relacion i barabartë ndërmjet seksioneve dhe anëtarëve të Akademisë, në mënyrë që të minimizohet ndikimi i këtyre grupeve. Edhe një gjë: Akademia duhet të hapet ndaj një audience me të gjerë shkencore dhe artistike, qoftë përmes projekteve dhe angazhimeve të përbashkëta, qoftë përmes programeve të ndryshme artistike. Deri më tani disa tentativa të këtilla janë treguar të suksesshme dhe inkurajuese. Mbetet që kjo të bëhet praktikë e zakonshme e Akademisë, ku javë për javë të ketë ekspozita, koncerte, konferenca dhe tryeza shkencore, promovime e kështu me radhë. Ndërkaq, sa u përket atyre që janë bërë anëtarë të Akademisë dhe që nuk e meritojnë, më lejoni të them se Akademia nuk është model për të keq, që ia vlen të përmendet aq shumë, sepse në Kosovë ka presidentë që nuk e meritojnë të jenë presidentë, ka kryeministra dhe ministra që nuk e meritojnë të zënë ato poste, ka deputetë që nuk e meritojnë të quhen me këtë emër, ka profesorë, ka kryetarë etj. pra, ka aq shumë të tillë, sa që është pak pretencioze që vetëm në Akademi të kërkosh që gjërat të shkojnë ndryshe nga konteksti kosovar. Pse e kërkoni për Akademinë një gjë që nuk bëni vetë aty ku jeni?

KALLXO.com: Ditëve të fundit është riaktualizuar edhe ideja për bërjen e një ligji për mbrojtjen e gjuhës  shqipe. Cili është mendimi juaj për këtë?

Mehmet Kraja: Ideja është riaktualizuar në Shqipëri, jo në Kosovë. Në të vërtetë, janë disa që, të prirë nga ideja e integrimit shqiptar, janë të mendimit se realiteti gjuhësor në Shqipëri dhe në Kosovë është një, sepse janë dy shtete ku gjuhë zyrtare është shqipja etj. Por e vërteta qëndron pak më ndryshe: Në Shqipëri mund të bëhet një ligj për gjuhën, nëse për këtë bien dakord institucionet e vendit, ndonëse, thënë të drejtën, nuk e kam shumë të qartë si do të zbatohej një ligj i tillë në një vend që nuk shquhet për funksionimin aq shembullor të shtetit ligjor. Por, në Kosovë punët janë pak më ndryshe: Kosova ka ngecur në Pakon e Ahtisaarit, me të cilën garantohet barazia e gjuhëve deri në atë shkallë, sa të bëhet një diskriminim i paparë i shumicës. Pavarësisht se flitet nga 95-98% të popullsisë, shqipja është gjuhë e diskriminuar në Kosovë dhe tani për tani asnjë ligj nuk e përmirëson pozitën e saj, përveçse ndryshimi i Kushtetutës. Në vend të këtij ligji, i cili nuk do të mund të sillte ndonjë përmirësim të madh, në akademitë tona, në Shqipëri dhe në Kosovë, po ringrisim Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, një institucion përfaqësues me anëtarë nga dy akademitë, i cili do të caktojë prioritetet e zhvillimit gjuhësor gjithandej ku flitet shqip. Mendoj se kjo është përgjigja më e mirë në të gjitha sfidat gjuhësore, me të cilat përballemi prej shumë kohësh.

Arsimi dhe kultura

 KALLXO.com: AShAK ka treguar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me zgjidhjen e problemeve në arsim që po kalon vendi, sidomos pas rezultateve të PISA-s. A është përgjigjur në të njëjtën mënyrë edhe MAShT-i?

Mehmet Kraja: Jo tamam. Ne nuk kemi kërkuar asgjë nga MAShT, por kemi thënë se do të përfshihemi në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e arsimit në Kosovës, sepse është një problem që na mundon të gjithëve dhe të gjithë kemi përgjegjësi për këto zhvillime negative në fushën e arsimit. Tashmë ne kemi krijuar një grup punues pranë Akademisë, me pjesëmarrës të ndryshëm, njohës të arsimit të të gjitha niveleve, të cilët për një kohë relativisht të shkurtër duhet të dalin me një dokument-platformë, i cili do të përmbajë jo vetëm analizën e gjendjes, por do të propozojë edhe masat konkrete. Pranë anëtarëve të Akademisë që e udhëheqin grupin, unë kam insistuar që dokumenti, ndryshe nga ç’shkruhen zakonisht, duhet të jetë krejtësisht i saktë, pa fraza, pa silogjizma dhe tautologji, preciz, që t’i adresojë pikat themelore të çështjes, duke propozuar masat përkatëse për të gjitha nivelet e shkollimit dhe të administrimit të arsimit. Kur ta përfundojmë dokumentin, do t’ua dorëzojmë institucioneve përkatëse, Ministrisë, Qeverisë, kush të jetë. E marrin ata në shqyrtim ose jo, kjo do të jetë përgjegjësi e tyre.

KALLXO.com: Si i shihni zhvillimet kulturore në vend. Sa ka kulturë nga të gjithë ato aktivitete që mbahen brenda një viti?

Mehmet Kraja: Duke qenë njohës i kësaj fushe, pas luftës kam insistuar se Kosova duhet të kalojë një proces kulturor emancipues. Kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, njësoj si në arsim, gjërat shkuan në drejtim të gabuar, kështu që tani vjelim pasojat e një procesi akulturimi i mbetur si trend për një kohë të gjatë. Ky proces nuk ndalet aq lehtë, sepse janë shtresuar shumë antivlera dhe shprehi jokulturore, të cilat, të akomoduara mirë në shoqërinë tonë, diktojnë zhvillimet, krijojnë rregullat dhe shumëfishojnë mediokritetet. Nuk është vetëm një rend i dyshimtë ose i përmbysur i vlerave që bën kërdinë në fushën e kulturës, por tani është një administratë kulturore, e cila, e lidhur ngushtë me politikën dhe me eksponentët e saj në kulturë, dikton zhvillimet në këtë fushë që njëzet vjet e këndej. Unë kam thënë një herë se në institucionet e kulturës në Kosovë nuk janë instaluar klane apo grupe të interesit, por banda tipike, të cilat kanë shkatërruar çdo gjë: kanë shkatërruar repertorët, programet e institucioneve, çmimet, kanë krijuar monopole, pra, në përgjithësi është krijuar një gjendje që iu shkon përshtat atyre që nuk marrin vesh nga kjo fushë. Le të vazhdojnë, por një ditë, njësoj si në arsim, do ta shohim të gjithë se kjo rrugë është pa krye.

KALLXO.com: A duhet të shuhet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht shpërndarja e saj në ministri të tjera?

Mehmet Kraja: Nuk dua të shprehem për këtë çështje, është politikë e lajmeve ditore. Kur të mos jetë e tillë, Akademia do ta thotë fjalën e vet.