Pamje nga mbledhja komemorative për Luan Mullliqin. Foto KALLXO.com.

Ikja e mjeshtrit të skulpturës shqiptare, kujtohet artisti Luan Mulliqi

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje komemorative për të kujtuar akademik Luan Mulliqin, i cili vdiq të shtunën, më 21 tetor 2023, në moshën 70-vjeçare.

Anëtarë të ASHAK, kolegë e zyrtarë shtetërorë veçuan punë e bërë nga Mulliqi për krijimtarinë artistike, në veçanti skulpturën monumentale në Kosovë.

Në këtë mbledhje komemorative mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Gjatë mbledhjes komemorative u tha se Mulliqi i takonte një gjenerate të krijuesve pamorë në Kosovës që kultivuan kulturën figurative.

Akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK-ut, tha gjatë fjalës së tij se Mulliqi i takon atij numri të vogël krijuesish të Kosovës, të cilët zhvilluan dhe kultivuan kulturën e skulpturë dhe të monumentit, shtatoreve e përmendoreve.

“Kjo kulturë synonte ndërtimin e identitetit duke kërkuar stil dhe ide të reja, por njëkohësisht duke dhënë formë  meditatives dhe racionales” – tha Kraja.

Ndërsa akademikja, Justina Shiroka Pula tha se Mulliqi do të kujtohet si një emër i madh i skulpturës shqiptare.

“Sot e ndjejmë një pikëllim të thellë për këtë humbjen e Mulliqit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si pedagog i shumë brezave, intelektual, artistë bashkëkohor në kohën moderne, krijues e skulptor i madh i artit shqiptar dhe më gjerë” – tha ajo.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se Mulliqi ka lënë gjurmë të çmueshme për zhvillime e kulturës në vend.

“Kontributi i tij si drejtor i Galerisë Kombëtare, autor i monografive për artin pamor, ligjërues universitar, anëtar i ASHAK-ut, do të mbetet i vlerësuar dhe i pazëvendësueshëm në artin e Kosovës dhe frymëzim për brezat e ardhshëm” – tha ministri Çeku.

Një telegram ngushëllimi për vdekjen e Mulliqit në adresë të ASHAK ka dërguar Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke shprehur vlerësim për kontributin e Mulliqit, në artet pamore, në Kosovë e Shqipëri.

Pas mbledhjes në ASHAK janë mbajtur homazhe për të nderuar kontributin e Mulliqit në zhvillimin e artit pamor në Kosovë e Shqipëri.

Luan Mulliqi do të varroset në varrezat qytetit në Gjakovë.

Biografia  

Luan Mulliqi ka lindur në Gjakovë në vitin 1953. Ka diplomuar për skulpturë në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë (1977), ndërsa studimet pasuniversitare i mbaroi në Beograd (1979). Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1977. Që nga viti 1977 ishteanëtar i SHA të Çikagos, SHBA (1990), ndërsa në vitin 1992 pranohet anëtar i “United American Artist” në Nju Jork të SHBA-ve si dhe anëtar i rregullt i “International Sculpture Center” në Uashington (1994). Prej vitit 2012 anëtar korrespondent i ASHAK-ut.  Mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës ndërkombëtare dhe botoi një sërë shkrimesh e monografi për artet pamore. Ishte ligjërues në FA të UP-së dhe në Universitetin e Tetovës e drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Krijimtaria artistike

Krijimtaria e tij artistike përfshin skulpturën monumentale bashkëkohore dhe atë kombëtare, duke e transformuar në një stil modern. Hapi disa ekspozita personale e shumë ekspozitave kolektive në vende të ndryshme të botës: si në SHBA, Austri, Shqipëri, Kroaci, Holandë, Kanada, Japoni, Itali, SHBA, Gjermani, Indi, Maqedoni, Francë etj. Ishte fitues i disa çmimeve në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Veprat e tij gjenden në disa galeri e muze, ndërsa skulptura “Hyjnesha” është pjesë e koleksionit të përhershëm të Muzeut Kombëtar të Francës. Veprat e tij gjinden gjithashtu te koleksionistë privatë dhe personalitete të njohura, siç janë: Papa Gjon Pali II, presidenti Clinton, mbreti Hirohito, mbretëresha Elizabeth II, princesha Diana, z. M. Albright, presidenti G. Bush, Papa Benedikti XVI, presidenti Demirel, presidenti Berisha, kryetari R. Formigoni etj.

Pamje nga mbledhja komemorative për Luan Mullliqin. Foto KALLXO.com.