Ministria e Kulturës

Biblioteka Kombëtare dhe Fakulteti Filozofik, me projekt të veçantë për masakrën e Krushës së Madhe

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani” kanë hapur konkurs për rekrutimin e 30 intervistuesve dhe transkriptuesve për projektin e historisë gojore, “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”

Sipas konkursit, për këtë projekt planifikohet realizimi i 300 intervistave.

Projekti synon të mbledhë, të dokumentojë, të publikojë dhe të promovojë rrëfime të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve okularë të masakrës së Krushës së Madhe në komunën e Rahovecit në Kosovë.

“Deri në treqind intervista të historisë gojore do të realizohen me qëllim të mbledhjes së kujtimeve dhe rrëfimeve të dëshmitarëve okularë të masakrës. Mbledhja e intervistave audio dhe video, si dhe e materialeve të tjera relevante, do të mundësojë një pasqyrë të masakrës së Krushës së Madhe, do të kontribuojë në zgjerimin e njohurive, si dhe në të kuptuarit më mirë të asaj që kjo masakër la pas”, thuhen ë njoftimin për rekrutimin e 30 intervistuesve dhe transkriptuesve për projektin.

Projekti “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe nga Fakulteti Filozofik, Dega e Antropologjisë.