Galeria e Arteve të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Galeria Kombëtare prezanton projektin e historisë gojore 

Galeria Kombëtare e Kosovës ka publikuar në Facebook, projektin “Galeria Kombëtare, Projekti i Historisë Gojore’. 

Ky projekt dokumenton jetën e artistëve dhe profesionistëve të artit të cilët kanë punuar në Kosovë dhe kanë qenë pjesë e skenës së artit që nga vitet 1970. 

“Projekti i historisë gojore është një projekt i Galerisë Kombëtare të Kosovës në bashkëpunim me Iniciativa për Histori Gojore, ku gjenden një seri intervistash të historisë gojore të publikuara në video dhe në formë të librit”, thuhet në njoftimin e GKK-së. 

 Intervistat janë realizuar si pjesë e hulumtimit që lidhet me koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Koleksioni ofron një mundësi të veçantë për të gjurmuar gjenealogjitë e ndryshme të formacioneve moderniste të rrënjosura në karakterin jugosllav, dhe si i tillë nënvizon praninë e kohësisë së shumëfishtë përbrenda narrativës së artit modernist në Kosovë. 

“Galeria Kombëtare, Projekti i Historisë Gojore” është nisur në fund të vitit 2016 nga Iniciativa për Histori Gojore në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës.