Naim Qelaj. Foto: Facebook/VRAE

Avokati i Popullit flet për pozitën e gruas gjatë Festivalit Multikulturor 2021

Avokati i Popullit Naim Qelaj ka thënë se pozita e gruas, përfaqësimi dhe angazhimi i saj në institucione lë shumë për të dëshiruar.

Sipas tij, mungesa e besimit institucional i ka bërë gratë hezituese për të paraqitur rastet e dhunës në familjet e tyre.

Këto deklarime Qelaj i bërë gjatë sesionit të dytë të edicionit të tretë të Festivalit Multikulturor 2021, me temën: “Diskriminimi i shumëfishtë i gruas: në baza etnike dhe gjinor”.

Duke folur për pozitën e gruas dhe diskriminimin e saj në baza etnike dhe gjinore, Qelaj ka thënë se pozita e gruas nuk është e kënaqshme, por duke e krahasuar atë me të kaluarën para 20 vjet me këtë ku jemi sot, ka shumë dallim.

Ai ka thënë se përfaqësimi i grave në institucione ose dhe vende tjera pune nuk është i kënaqshëm.

“Ne gjithë kemi ankesa ose dhe ankohemi që nuk respektohen ligjet por a janë instrumentet ligjore shkaktar pse nuk respektohen apo janë mekanizma që i ka ndërtua shteti jonë, unë them është kjo e dyta nuk funksionon, mekanizmat të cilët vetë i kanë krijuar shteti dhe nuk i respektojnë”, ka thënë ndër të tjerash Qelaj.

“Mungesa e besimit institucional i ka hezituar gratë për të paraqitur rastet e dhunës në familjet e tyre, dhe për këtë duhet me u rritë besimi dhe me rritjen e besimin duhet të rritet edhe llogaridhënia e këtyre institucioneve. Në këtë ka dhe shumë raste tjera si ato të pronësisë dhe të divorceve”, ka pohuar gjatë këtij diskutimi, Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Festivali Multikulturor 2021, këtë edicion mbahet me moton, “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”.

Ky festival organizohet nga Organizata “Zëri i Romëve, Ashkëtinjve dhe Egjiptianëve”.