Ansambli Shota merr çmim në festivalin e Buyukçekmece në Turqi
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka arritur të fitojë çmimin e dytë në festivalin folklorik Ndërkombëtar të Kulturës dhe Arteve të Buyukçekmece në Turqi.
Festivali Folklorik i Buyukçekmece është mbajtur nga 26 korrik deri me 3 gusht 2019, me moton “Dashuri për njëri-tjetrin, paqe për të gjithë”.
Menaxhmenti i AKKV “Shota” përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se përveç krahas pllaketës së argjendtë, për vendin e dytë Ansambli Shota ka marrë edhe një shpërblim material në vlerë prej 2000 dollarësh amerikan.
“Ansambli ‘Shota’, ka përsëritur suksesin e vitit 2013, kur poashtu kishte fituar çmimin e dytë në këtë festival, por tani në një konkurrencë dukshëm me të fortë, duke marrë parasysh që në edicionin jubilar- të 20-të të këtij festivali, këtë çmim e ka marrë në garën ku kanë konkurruar 28 shtete nga mbarë bota”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Shotës.
Krahas pjesëmarrjes në garë të folklorit, sipas komunikatës së ansamblit, “Shota” është nderuar edhe me praninë në disa aktivitete sociale, në njërin nga të cilët, inaugurimi i një linje detare nëpër Bosfor, ansambli kosovar ishte ansambli i vetëm pjesëmarrës i ftuar për performancë.
Vendin e parë dhe çmimin “Ura e Artë” e Mimar Sinanit, të këtij festivali e kanë ndarë dy ansamble nga Rusia dhe Hungaria ndërkaq vendin e tretë e ka fituar ansambli nga Gjeorgjia.
Festivali i Folklorit dhe Arteve në Buyukçekmece organizohet nën patronatin e dy organizatave më të mëdha të folklorit në botë: CIOFF dhe FIDAF dhe komuna e Buyukçekmeces, Turqi.