KALLXO 360: Kujtohen Historitë e ‘Kohës së Kasetave’

Vitet e 90’ta u rikthyen përsëri në kujtimet e të pranishmeve përmes publikimit të edicionit më të ri të revistës Kosova 2.0.

Nëpërmjet kësaj reviste është munduar që të kthehet nga harresa fryma e solidaritetit dhe tolerancës qe mbretëronte ne atë dekadë bashkë me mundimet e aktivizimin e njerëzve, muzikën, ngjyrat dhe historitë personale.

Redaktorja e revistës Kosova 2.0, Besa Luci, tha se ky numër i kësaj reviste është shumë i veçantë dhe arsyeja e kësaj veçantie është vet tema që përmban.

“Kjo revistë i përket dekadës së kaluar e cila pothuajse është fshirë nga kujtesa jonë, brenda revistës janë tregime të ndryshme të po kësaj dekade”, tha Luci.

Sipas saj, arsyeja e dytë pse kjo revistë është e rëndësishme janë përvojat në bazë të cilave është krijuar numri i 10 dhe i fundit i revistës Kosova 2.0.

“Jemi mbështetë në përvojat dhe historitë individuale të personave të ndryshëm të cilat janë thelb i mediumit tonë, dhe besoj që ky do të jetë një medium që do t’i qëndrojë kohës dhe do t’i kujtojë tregimet dhe historitë e kësaj dekade”, u shpreh ajo.

Edicioni i viteve 90-ta jep kontekstin e shumë ndryshimeve politike dhe sociale që ndodhën në Kosovë gjate dekadës së fundit të shekullit XX, gjithashtu risjell fytyrat që dolën ne kryetitujt ndërkombëtarë dhe analizon me kujdes historitë e shumë prej atyre qe janë anashkaluar deri më tani.

Gjersa qëndronte i ulur në karrige dhe para të pranishmëve Arif Muharremi paraqiti historinë e tij personale të cilën e kishte titulluar “Jeta nëpërmjet ndryshimit”.

Ai përmes kësaj historie kujtoi disa momente kryesore që kishin ardhur si rezultat i kësaj dekade duke filluar me ndryshimin e emrave të cilat nga “Liridon” dhe “Qëndrim” u kthyen në “Gëzim” dhe “Blerim”. Ai gjithashtu përmes tregimit të tij trajtoi edhe ndryshimin që u ndodhi mediave në Kosovë, njerëzve, teknologjisë e deri tek ushqimi.

Gjithashtu para mysafirëve të cilët qëndronin të ulur në ambient të hapur, të mbuluar me batanije dhe duke pirë pije të ngrohta u paraqiten edhe 6 histori të tjera.

Veton Nurkollari me tregimin “Dita kur vdiq muzika” që përfshinte historinë që nisi me Bowie-n dhe Nirvana-n e përfundoi në një kakofoni të luftës dhe varfërisë.

Avni Rudaku me tregimin “Jetët Paralele të Sorrave” i cili e pasqyron ndarjen e njerëzve në Gjilan gjatë viteve ’90 dhe Mihane Salihu-Bala me tregimin “Ngjyra e Rezistencës”- “Gratë në të zeza” ku tregon për sfidën e luftës dhe mizoritë e saj për më shumë se 20 vjet.

Eraldin Fazliu me tregimin “Duke Vrapuar për të Jetuar”- tregoi për ndërhyrjen e NATO-s e cila solli shpresë por edhe kundërsulm, duke i detyruar shumë që të ikin prej shtëpive të tyre.

Isak Vorgucic me tregimin “Kur Lufta Vjen në Qytet” tregoi historinë e familjes Danilo Lukic që u detyrua të largohej nga Kosova, gjithashtu edhe historia e Adriana Abdullahut që ishte një talente në aktrim por jeta e saj përfundoi shumë shpejt, historia e të cilës u tregua nga Dafina Halili.

Tregimet ishin pjesë e orës leximore që mbante moton “Ktheje kasetën me Kosovo 2.0”.