Kontraktimet e kundërligjshme nga Komuna e Leposaviqit

Komuna e Leposaviqit e kishte angazhuar një kompani pa përvojë në menaxhimin e mbeturinave pa procedura të prokurimit. Madje kjo kontratë ishte e panevojshme pasi Komuna e kishte themeluar një ndërmarrje publike për të njëjtin qëllim, menaxhimin e mbeturinave.

“Shpenzimet e paguara për këtë kontratë ishin gjithsej 52,037€ prej të cilave pagesat në total prej 12,358€ nuk kishin të bënin me këtë kontratë. Përshkrimi në faturë për këto pagesa ishte: ‘Pagesë për shërbime të ujësjellësit, hapja e kanalit si dhe shtrirja e rërës për shërbimet komunale të ujësjellësit në mirëmbajtje të rrjetit’, punime të cila nuk ishin në përputhje me kontratën”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo është një nga shumë shkeljet e evidentuara në fushën e prokurimit nga Auditori i Përgjithshëm në pasqyrat financiare të Komunës së Leposaviqit.

Auditori ka dhënë detaje të shkeljeve që janë bërë në kontratën për “Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe fshatra të komunës së Leposaviqit” e nënshkruar në tetor 2015. Fillimisht kjo Komuna e kishte iniciuar këtë proces të prokurimit pa dorëzuar tek Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) Deklaratën për zotimin e fondeve për projektet e pa planifikuara buxhetore siç kërkohet në Ligjin e Prokurimit Publik.

Komuna, nuk ka specifikuar projektet që do të zbatohen nga kjo kontratë, si dhe mënyrën se si do të sigurohen fondet.

Për të njëjtën kontratë, Auditori ka gjetur se nuk janë dhënë me paramasat dhe parallogaritë se sa njësi do të kryhen për secilin pozicion dhe nuk dihet kostoja e tërë projektit.

“Po ashtu, nuk ka as projekte konkrete sa rrugë do të ndërtohen, sa do të jetë gjatësia dhe gjerësia e tyre, çfarë materiali do të përdoret dhe sa do të kushtoj secili. Nuk ka as plan dinamik për asnjërin prej projekteve”, gjen auditori.

Komuna anashkaloi procedurat e prokurimit për eliminimin e “deponive të egra” duke nënshkruar kontratë në vlerë të përgjithshme prej 53 mijë e 71 euro me kompaninë e cila nuk e kishte veprimtari biznesi menaxhimin e mbeturinave.

Kompani kishte kryer punë në shpërputhje me kontratën e cila kishte të bënte me menaxhimin e mbeturinave.