Tabele e mencur/Ilustrim
Komuna e Prishtinës ndan 400 mijë euro për 175 tabela të mençura për shkolla
Komuna e Prishtinës ka ndarë 400 mijë euro për furnizim me tabela të mençura për institucionet arsimore.
Sipas të dhënave, me anë të këtij tenderi komuna pritet të furnizohet me 175 tabela të tilla. Derisa, në këtë çmim përfshihet edhe montimi dhe trajnim 50 orësh për zyrtarët e IT-së së shkollave.
Sipas kalkulimeve një tabelë e tillë do ketë kosto rreth 2,300 euro.
Në detajet e dosjes së këtij tenderi theksohet se tabelat e mençura, të llojit interaktive, do jenë me dimension 75 inç (195cm).
Jetëgjatësia e këtyre tabelave do jetë mbi 50 mijë orë.
Kurse, garancioni për këto tabela është minimum 3 vite, maksimumi 5 vite.
Në detaje tjera potencohet se operatori ekonomik duhet të angazhoj personelin profesional të cilët duhet të kenë kualifikimet shkollore si: Një Menaxher i kontratës bachelor apo master në fakultetin ekonomik, b) Minimum 1 person të Teknologjisë Informative – bachelor apo master në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.
Nga komuna nuk janë dhënë më shumë detaje se për sa shkolla do jenë këto tabela dhe nëse do jenë për ciklin fillor apo mesëm.
Një nga premtimet e kryetarit Përparim Rama ka qenë digjitalizmi në institucionet publike.
Sa i përket fushës së arsimit komuna është në proces të ndërtimit të tri shkollave me partneritet publiko-privat (PPP). Derisa të enjten komuna nënshkroi marrëveshje për ndërtim të pesë shkollave tjera me procedurë të njejtë (PPP).