FOTO KALLXO- autobuset e linjave private

Kompanitë private të Trafikut Urban do i rrisin çmimin e biletave

Kompanitë private të linjave të Trafikut Urban në Prishtinë planifikojnë të rrisin çmimin e biletës nga 40 centë në 50 centë.

Kjo rritje vjen si shkak i rritjes së çmimeve në përgjithësi.

Ismet Haliti përfaqësues i linjës 3A për KALLXO.com bëri të ditur se rritja e këtij çmimi ka qenë e nevojshme muaj më parë për shkak të gjendjes ekonomike, duke potencuar se edhe udhëtarët e shohin këtë të arsyeshme.

“Ka qenë e nevojshme muaj më parë sepse mezi po ia dalim. Çmimi pritet të jetë 0.50 centë, pra çmim i arsyeshëm dhe kësaj here udhëtaret e shohin të arsyeshme ngritjen e çmimit duke e marr parasysh ngritjen e çmimeve tjera”, ka thënë Haliti.

Haltiti potencoi se komuna paguan 2 euro për çdo kilometër ndaj autobusëve të Trafikut Urban, kurse kompanitë private varen nga të hyrat e biletës.

“Trafiku Urban paguhet me km 2.08 cent dhe subvencionohet çdo muaj nga Komuna kurse ne varemi tërësisht nga të hyrat e biletës, gjithashtu udhëtarët janë të kufizuar brenda autobusit për shkak të Pandemisë”, shtoi tutje Haliti.

Ndërmarrja Komunale ‘Trafiku Urban’ aktualisht ka në menaxhim 51 autobusë dhe pret të blejë edhe 30 të tjerë, ku prej tyre 6 do jenë elektrikë.

Komuna e Prishtinës ka kontratë me këtë ndërmarrje për pagesë të çdo kilometri që kalon dhe subvencionohet rregullisht nga Kuvendi Komunal.

Derisa, janë dhjetëra kompani tjera private që mbulojnë linjat e trafikut urban dhe varen vetëm nga të hyrat e çmimit të biletës.

Për shkak të gjendjes me pandeminë, komuna në muajin Maj të këtij viti ka marr vendim të subvencionojë kompanitë private të autobusëve më 400 mijë euro.