Zyrtarja e Ministrisë përballet me rrëfimin e Liridona Deliut, e mbijetuara e masakrës së Abrisë

Në emisionin #KallxoPërnime u transmetua rrëfimi i Liridona Deliut e cila si një nga katër të mbijetuarit e masakrës së Abrisë nuk kishte mundur të fitojë statusin e viktimës së luftës.

Liridona ka rrëfyer se ajo së bashku me vëllanë e saj Besnikun dhe djalin e xhaxhait Albertin, ju refuzuan aplikimet për statusin e viktimës së luftës.

Gjatë rrëfimit të saj, ajo ka treguar se asnjëherë nuk ju dha arsyetim për refuzimin si dhe asnjëherë nuk ju kthyen dokumentet e aplikimit.

Së bashku me gazetaren Jeta Xharra, Liridona Deliu shkoi në zyret e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për të parë dokumentet e refuzimit dhe për të kërkuar arsyen e refuzimit të aplikimeve të saj.

Pas hyrjes në objektin e Ministrisë, Liridona kërkoi dokumentet e saj si dhe arsyetimin e refuzimit duke treguar se paraprakisht nuk ju lejua marrja e dokumenteve.

Nëpër disa zyre u dërguan Liridona dhe Jeta deri kur ju dhanë dokumentet e kërkuara.

“A është hera e parë që po e merr drejtpërdrejt vendimin?”- ishte pyetja që Jeta Xharra i drejtoi Liridona Deliut.

“Hera e parë”- ishte përgjigjia e saj.

Në momentin që dokumentet për herë të parë i mori Liridona, gazetarja Xharra pyeti zyrtarët se pse vendimet nuk kanë arsyetimin se cili kriter nuk është përmbushur.

Zyrtari prezent deklaroi se zyrtari përgjegjës është në pushim mjekësor.

Zyrtarët e Ministrisë u përballën edhe me refuzimin e tyre për t’ia dhënë dokumentet Liridonës por që deklarimi i zyrtarit ishte se kushdo që do t’i tërheqë ato mundet t’i marrë.

Në Ministri, Liridona Deliu dhe Jeta Xharra kërkuan emrat e mjekëve që ishin në komision të vlerësimit kur Liridonës në vitin 2020 ju tha “ti ke kriju familje, ke fëmijë, nuk të pranohet statusi”.

Procesverbal të takimit të Liridonës me Komisionin e vlerësimit, sipas Igballe Krasniqit, zyrtare ligjore në Ministri, nuk ka.

“Nuk mundemi me mbajt procesverbal sepse unë jam juriste me profesion, ata janë mjekë dhe fundi i fundit nuk i kuptoj në aspektin mjekësor çka… Unë nuk po dua me paragjyku, po mendoj që Komisioni ka qenë kredibil”- ishin fjalët e Krasniqit.

Zyrtarja ligjore u përball edhe me rrëfimin e Liridonës e cila tregoi se në komision i thanë “ke fëmijë, nuk je viktimë”.

“Oh bre nuk po muj me… Unë s’po dua me paragjyku, s’po dua me thanë as që ka ndodh as që s’ka ndodh por nuk po më kujtohet që mjekët janë sjellur në atë mënyrë”- deklaroi ajo.

Vlerësimin për shkallën e invaliditetit të invalidëve civil të luftës e bën Komisioni Mjekësor i Shkallës së parë (të cilët janë të intervistuar në fund të emisionit), dhe të dytë i cili vepron dhe punon në kuadër të Ministrisë, të cilët janë të intervistuar në fund të emisionit.

#KallxoPernime ka dërguar pytje te Shqipe Krasniqi, Bukurie Krasniqi dhe Mehdi Thaqi, që i kanë nënshkruar tri vendimet për refuzim, por deri në momentin e publikimit të këtij emisioni nuk kemi pranuar përgjigjje nga ta.