Si ndodhi që 17 nxënëse në Fushë-Kosovë lënduan veten si pasojë e një "loje" në "TikTok"?

Ndërmjet datave 29 dhe 30.05.2024 në shkollat “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë u raportuan 17 raste të lëndimeve të nxënëseve.

Nënëset vajza dyshohet se kanë lënduar veten me mjete të mprehta në duar si pasojë e një trendi/loje në “TikTok”.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha, thotë nxënëset janë nga klasa e gjashtë deri në të tetën.

“Në fillim të ditës ku filloi procesi mësimor kujdestarët e klasëve i kanë vërejtur shenjat në duar dhe menjëherë janë njoftuar të gjitha institucionet. Kemi fillu me kontrollimin e të gjithë nxënësve dhe na kanë dalë 17 nxënëse me gërvishtje” – deklaroi Berisha.

Tutje ai shtoi se veprimet nga nxënëset u kryen në shtëpi apo vende tjera por jo në shkolla.

“Sipas Policisë inspirimi ka ardhë nga një video në “TikTok” dhe fëmijët thonë se ‘dhimbjen e brendshme të cilën e kanë vajzat, nëse e lëndon veten, ajo del në sipërfaqe’. Veten po e lëndojnë me mjete të ndryshme të metalta, të forta” – thotë Berisha tutje.

Ai shtoi se kanë ftuar edhe këshillat e prindërve që të bisedojnë për këto raste.

Kur KALLXO.com e ka pyetur Policinë e Kosovës në lidhje me këto raste, ata e kanë konfirmuar se janë të njoftuar, porse nuk kanë ndarë më shumë informata.

“Jemi të njoftuar dhe të gjitha informatat po i trajtojmë në koordinim me institucionet kompetente” – thuhet në përgjigjen e Policisë.

Mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitura nga një “lojë” në “TikTok”