Gashi: LVV po frikësohet me i prek disa eprorë të Policisë

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka thënë se partia në pushtet, Vetëvendosje nuk po guxon me nis Vetting në Polici.

Sipas tij LVV, nuk ka kurajo ta nis këtë proces.

“Nuk ka kurajo me shkakru asnjë epror të Policisë së Kosovës, me ja hek gradat, me e ulë në grada, me qitë prej pune. Kjo qeveri s’ka mujt me qitë asnjë polic të nivelit të lartë, i cili është i dyshimt që është i përfshirë në afera të korrupsionit. Shumica janë policë të thjeshtë që kanë dalë prej punës vetëm për shkak të proceseve gjyqësore e një pjesë e tyre për shkak të rasteve të dhunës në familje” – ka thënë Gashi në Kallxo Përnime.

“Nuk e di ku e kanë frikën por ajo që është konstatim është që kjo qeveri nuk guxon me i prek disa eprorë edhe në rastet kur ata mund të jenë në rrezik për sigurinë e vendit. Pra ajo që e kemi pyetur drejtorin e Policisë për lëvizjen e policëve nga një zonë në zona të tjera që ju ka ndrru pozicioni, por s’ka arsye pse janë ndërruar këto pozicione. E as s’ka arsyetime pse ata njerëz vazhdojnë të jenë në policinë e Kosovës. A është çështje e performancës apo është ajo që nuk i besojnë atyre policëve” – tha tutje Gashi.

Këtë reformë ai tha që nuk është duke u bërë e as që po guxon me u nis.

“….as në Polici as në ATK as në Doganë as në asnjë institucion, pra vetëm kemi një afrim të këtyre njerëzve me figura të cilat janë parë shpesh që janë të lidhura me krimin. Nëse ne nuk i hapim dosjet e AKI-së për me bo një hetim dhe vlerësim të integritetit të njerëzve të cilët punojnë në institucione sidomos në ato hetuese, dështimi do të jetë i garantuar dhe s’kemi me mujt me bo kurrgjë përveç reciklim të një ndikimi politik tek institucionet e hetimeve” – tha më tej Gashi.