Lulzim Peci: Marrëveshja e Ohrit me elemente të reja
Marrëveshje të momentumit gjeopolitik e ka quajtur marrëveshjen e Ohrit Lulzim Peci nga KIPRED.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për marrëveshjet e dakorduara në Bruksel e Ohër mes Kosovës e Serbisë, ka shtuar që nuk ka të bëjë me shkathtësi të negociatave të të dyja palëve me atë që është propozuar nga Franca e Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përmbajtjen, esencën e marrëveshjes nuk kanë mundur që ta ndryshojnë” – tha ai.
Peci ka thënë gjithashtu që marrëveshja e Ohrit ka elemente të reja.
“Elementet të cilat janë të reja te marrëveshja pikë së pari kanë të bëjnë me elementet të cilat e ngrisin, për herë të parë kjo marrëveshje ngjet një marrëveshje mes dy vendeve të cilat nuk e njohin njëri-tjetrën, por e pranojnë ekzistencën, marrëveshje e bazuar në modelin gjermano-gjerman” – tha Peci.
Peci ka shtuar se mungesa e vullneti të mirë dhe mosbesimi që kanë të dy vendet në njëri-tjetrën kanë ndikuar në moszbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Ndryshe, më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.
Palët nuk e nënshkruan Marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë.
Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.