Çfarë parasheh rregulla e re për prodhim të energjisë diellore?

Limiti maksimal për investim në panele solare për biznese aktualisht është deri në 100 kilovatë.

Por limiti pritet që së shpejti të rritet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Rritja e limitit është në diskutim publik dhe pritjet janë që të arrijë në 200 KW për konsumatorët e rregulluar.

Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRRE, në emisionin “Kallxo Përnime” ka prezantuar rregullën për konsumatorët prodhues (Prosumator) me burime të ripërtërishme të energjisë.

“Një prej rregullave që ka qenë në planin e punës tonë për ndryshim ka qenë edhe kjo. Në kuadër të saj hyjnë edhe konsumatorët vetëprodhues. Ne gjatë vitit të kaluar kemi draftuar një rregull të veçantë siç është rregulla për konsumatorët vetëprodhues, një prej çështjeve që është ngritur ka qenë edhe pragu prej 100 KW, tash me rregullin e ri ky prag do të bëhet 200 KW” – ka thënë Fejzullahu.

Ymer Fejzullahu ka shtuar që rregullorja ende është në diskutim dhe ende pranojnë komente për të, përderisa ka thënë se janë duke provuar që këtë rregullore ta aprovojnë muajin e ardhshëm.

Ndryshe ato biznese që s’janë të rregulluara nuk kanë limit, por limiti caktohet në bazë të mesatares së konsumit vjetor që kanë bizneset.

Në Kosovë janë tre konsumatorë të parregulluar “Trepça”, “Ferronikeli” dhe “SharrCem”, që furnizohen me rrymë me çmime të tregut.