Atiq: I kemi ndalur 13 ndërtime të larta pa leje në komunën e Mitrovicës së Veriut

‘‘I kemi ndalë 13 ndërtime të larta në Mitrovicë të Veriut se s’kanë pasë leje, janë të financuara nga Beogradi’’ – ka thënë kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se gjatë kontrollit ka hasur edhe në punëtorë shqiptarë porse nuk ka informacion se kujt i përkasin kompanitë e ndërtimit.

“S’kanë pasë leje, ndërtime të financuara nga Beogradi për banim kolektiv, pa leje i kanë ndërtuar edhe ato që tash janë të përdorueshme, është e padefinume financuesi por ne mendojmë që është Beogradi se kush vjen ndërton aty. Ai është projekt politik, Beogradi investon edhe aty vijnë, banorë serbë najherë edhe prej Bosnjës e Kroacisë edhe ia japin në shfrytëzim ato banesa për 3 vjet, për këtë natyrë të kolonizimit jena tu folë dhe normal që i kam nalë ato” – tha Atiq.

Ai shtoi se këto ndërtime nuk janë duke vazhduar dhe sipas tij janë duke u monitoruar.

“Kush po financon janë probleme të dimensioneve më të mëdha politike, e tejkalojnë komunën dhe kryetarin e komunës. Ka pasë raste kur disa punëtorë që kanë qenë aty kanë ikë kur e kanë parë inspektoratin. Punëtorë ka pasur shqiptarë por kompani s’e di, nuk e kemi parë” – shtoi tutje ai.

www.kallxo.com