Ish-zëdhënësi i NATO-s komenton shndërrimin e FSK-së në ushtri

Jamie Shea, që kishte shërbyer si zëdhënës i NATO-s foli lidhur me formimin e ushtrisë së Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Shea foli për afrimin e 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

Ai po ashtu tha se konsideron se ushtria do duhej të bëhej me ndryshime kushtetuese dhe me reflektim të shoqërisë që jeton në Kosovë.

“Pika e parë është nga pikëvështrimi i NATO-s e me të cilën pajtohem edhe unë e që kërkon që ky transformim të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ashtu që të gjitha komunitetet dhe grupet të marrin pjesë, në mënyrë që Forcat e Kosovës të jenë aq multietnike sa është zhvilluar e është bërë edhe Policia e Kosovës, e që është një shembull i mirë. Pra duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese”, tha Shea.

Ai po ashtu tregoi për kushtet që do duhej t’i plotësonte ushtria e re për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare.

“Pikë së pari, duhet të kenë njësite kualitative e që janë trajnuar në atë mënyrë që i plotësojnë të gjitha standardet, të kenë njësite që mund të jenë të dobishme. Së dyti, duhet të ndërtojnë partneritete të sigurisë, ngase siç e kam përmendur më herët, këto njësi shpeshherë duhet të bëhen pjesë të divizioneve multietnike apo shtabeve multinacionale të vendeve të tjera. Prandaj, si e tillë, ajo duhet të ndërtojë marrëdhënie të fuqishme edhe me partnerët e vet”, shtoi Shea.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: