Arkiv - Panairi i punësimit

Trekëndëshi jofunksional kufizon tregun e punës- pësojnë studentët e diplomuar

Bazuar në rezultatet e Agjensionit të Statistikave të Kosovës (ASK) niveli i papunësisë në Kosovë është rreth 32.9%, që është shumë e lartë krahasuar me shtetet e tjera në zhvillim.

Shqetësuese është çështja se niveli i papunësisë për grup-moshat 25 deri 35 është mbi 40.1%, kjo nënkupton se nga 10 të rinj në Kosovë, 4 nga ta janë të papunësuar

Gjetja e fajtorit kryesor që po ndikon në këtë nivel të lartë të papunësisë është mjaft e vështirë pasi, faji bartet nga njëri tek tjetri.

Megjithatë, përgjegjësia kyçe bie mbi trekëndëshin – universitet,  kompani private dhe institucionet ndërmjetësuese.

Pritshmëritë e çdo studenti pas diplomimit nga universiteti është punësimi në tregun e punës. Ndërsa, tregu i punës varet direkt nga performanca e institucioneve ndërmjetësuese.

Nga ky fenomen paradoksal më së shumti pëson studenti, që në fund mbetet i papunë.

Për t`u përshtatur me dinamikat e tregut të punës, universitetet kanë krijuar qendrat për zhvillim të karrierës. Këto qendra janë të obliguara të bashkëpunojnë ngushtë me zyrat e burimeve njerëzore mbi kërkesat e tyre për rekrutim.

Gjithashtu, ky bashkëpunim duhet ndërmjetësuar nga Agjensioni për Punësim, Oda Ekonomike Kosovës dhe Organizatat joqeveritare (p.sh. EYE Helvetas ose GiZ ) që kanë për qëllim zbutjen e papunësisë në Kosovë.

Këto institucione janë bazat e trekëndëshit të lartpërmendur, i cili nuk është duke funksionuar siç duhet dhe ndikon në nivelin e lartë të papunësisë.

Tregu i punës është në kërkim të punonjësve të kualifikuar e këto kërkesa nuk duhet neglizhuar nga qendrat për zhvillim të karrierës, pasi diplomat nuk garantojnë punësim. Ky është indikator i qartë mbi rolin dhe rëndësinë e këtyre qendrave në funksionimin e bashkëpunimit institucional.

Sipas, Valbona Rraci përfaqësuese e EYE Helvetas ‘’Roli i qendrave të karrierës është krijimi i partneritetit të dobishëm reciprok midis punëdhënësve dhe universitetit”.

Për më shumë, këto qendra duhet analizuar tregun dhe duhet rekomanduar universitetin për përshtatje të kurrikulës, me synim përmbushjen e kërkesave të tregut. Prandaj suksesi i këtyre qendrave, të sapodiplomuarëve do t`ju mundësonte punësimin.

Në Kosovë janë të regjistruara disa qendra për zhvillim të karrierës që funksionojnë në kuadër të universiteteve, si: Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universiteti te Prishtinës (QZHK-UP), QZHK e Universitetit Amerikan (A.U.K) ose QZHK e Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë (UBT).

Bazuar në analizat e tregut të punës, shumica e të rinjve të papunësuar janë të diplomuar nga universitetet publike. Kjo nuk mund të thuhet për universitetet private pasi studentët e këtyre institucioneve po inkuadrohen më lehtë në tregun e punës.

Tetida Podrimçaku (Ipko Telecommunications) dhe Abdylkerim Ratkoceri (Meridian Group) njëzëri u shprehen se QZHK e universitetit publik është treguar neglizhente për të bashkëpunuar me tregun e punës.

Podrimçaku shtoi se: “Kemi tentuar t’i dërgojmë konkurset tona edhe në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje ne e-mailat tanë dhe si rrjedhojë nuk kemi arritur të kuptojmë nëse ato konkurse janë shpërndarë tek studentët. Pavarësisht kësaj, ne kemi pranuar aplikacione edhe nga studentët e Universitetit të Prishtinës, por kjo nuk është bërë në mënyrë të institucionalizuar, por individuale, pasi zyrtarisht nuk kemi pranuar përgjigje nga ky institucion publik”.

Aktualisht, bashkëpunimi mes kompanive private dhe universiteteve menaxhohet përmes mekanizmave tradicional si: memorandumet e bashkëpunimit, konkurset përmes emaileve ose panairet e punës.

Kompanitë po dërgojnë konkurset e punës tek universitetet por kjo nuk po ka rezultat. Memorandumet e bashkëpunimit janë vetëm dakordim përmes letrës që nuk detyrojnë asnjërën palë për të vazhduar më tej bashkëpunimin.

Kurse, panairet e punës po shfrytëzohen më shumë për reklamë sesa për punësim. Prandaj, studentët nuk po përfitojnë asnjë mundësi për praktikë. Kjo duke konsideruar se mundësitë për praktikë ju ndihmojnë studentëve për të treguar vetën në tregun e punës.

Në shtetet e zhvilluara, praktika konsiderohet si periudha provuese për të cilën kohë studentët pajisen me shkathtësitë “e buta”, të cilat ju ndihmojnë për përshtatjen me pozitën e punës.

“Tek të rinjtë në Kosovë ekziston problemi, se nënvlerësohet praktika – e ky mentalitet duhet ndryshuar. Nuk munden menjëherë me u ngritë në pozita të larta pa i kalu disa hapa tjerë. Pra, praktika është mëse e domosdoshme”, thotë Ratkoceri përfaqësues i Meridian Group.

Universitetet private praktikën e kanë si pjesë të kurrikulës, dhe kjo ka ndikuar në suksesin e këtyre institucioneve në tregun punës.

Halil Bashota, përfaqësues i Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë (UBT), thotë se futja e punës praktike në kurrikulat e tyre është nevojë e kohës.

“Trekëndëshi universitet, student dhe industri paraqet një nevojë tashmë jo vetëm obligim institucional, pasi që një pjesë e kurrikulave dhe programeve mësimore e shohin praktikën të përfshirë në lëndët bazë, ku synohet që studenti të arrijë këto shkathtësitë praktike’’, tha Bashota.

“Universiteti Amerikan (A.U.K) praktikën e ka të integruar si pjesë të kurrikulës dhe studentët e këtij institucioni e kanë detyrë kompletimin e 400 orëve të praktikës tek partnerët biznesor”, tha Arlinda Hajdari, përfaqësuese e këtij universiteti.

Në Universitetin Publik praktika nuk është pjesë e kurrikulës, prandaj studentët duhet që individualisht të kryejnë praktikën ose punësohen. Kjo situatë në Universitetin Publik është shkaku se institucioni në fjalë nuk po krijon mundësi e as stimulim për studentët e tyre.

Përfaqësuesit e qendrës për zhvillim të karrierës të Universitetit Publik të Prishtinës përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme, nuk kanë pranuar të përgjigjen.

“Iniciativat e universiteteve private kanë pasur sukses, kurse ato publike kanë dështuar të krijojnë struktura për punësim të studentëve. Universitetet Publike po krijojnë organe kompetente që kanë për qëllim mundësimin e praktikës për student, por po mungojnë rezultatet. Në vitin 2015 Universitetet Publike në Kosovë, kanë provuar të menaxhojnë situatën duke “krijuar trupat këshillëdhënëse me përfaqësues nga tregu i punës, ndërmarrje private, ndërmarrje publike, shoqata të biznesit.. përmes këtyre trupave këshillëdhënëse vetëm një numër i vogël i njësive akademike kanë arritur t’i adaptojnë programet sipas nevojave të tregut të punës si dhe t`u mundësojnë studentëve përfundimin e punës praktike’’, thotë Majlinda Rizvanolli Bajraktari nga EYE-Helvetas.

Përveç praktikës, shkaku kryesor për mosfunksionimin e trekëndëshit është mospërputhja e profileve që po diplomojnë nga universitetet, me profilet që kërkohen nga tregu i punës.

Kjo mospërputhje e kërkesave mes institucioneve vjen si pasojë e mungesës së hulumtimeve mbi dinamikat e tregut të punës.

Për këtë çështje, Era Jashari përfaqësuese e Odës Ekonomike Kosovës (OEK) tha se pas bashkëpunimit me kompanitë private, OEK ka arritur në përfundim që një ndër sfidat kyçe të tregut të punës është pikërisht gjetja e punëtorëve të kualifikuar ose profileve të caktuara.

“Çuditërisht në njërën anë ekziston një numër shumë i madh i të papunësuarve, e në anën tjetër këta të papunësuar nuk janë të kualifikuar për tregun e punës”, thotë ajo.

Ekspertët vlerësojnë se hendeku i aftësive vjen si rezultat i mungesës së profileve adekuate dhe ndikon në jo-efikasitetin e tregut të punës.

Sipas sondazheve mbi kërkesat e kompanive private, profilet më të kërkuara në Kosovë janë ato që kanë të bëjnë me: Shitje, burime njerëzore, shërbime për konsumator, ose teknologji.

Ndërsa, universitetet vazhdojnë të fokusohen në fushat irelevante si ekonomi, juridik e filozofi.

Praktika, mospërputhja e profileve dhe jonefiçienca e qendrave është konstatuar se janë ndër faktorët që po e ngadalësojnë procesin e uljes së papunësisë. Megjithatë, nuk duhet anashkaluar rëndësinë e institucioneve ndërmjetësuese dhe organizatave joqeveritare që kanë për synim zbutjen e papunësisë.

Besim Mustafa përfaqësues i OEK tregon se në vendet e zhvilluara, bashkëpunimi i Institucioneve Arsimore dhe bizneseve bëhet në mënyrë të struktuar, me ndarje të përgjegjësive në implementimin e aktiviteteve të ndryshme gjatë procesit edukues, trajnues dhe certifikues.

“Kjo zakonisht bëhet me ndërmjetësimin e Odave Ekonomike. Ky institucion në Kosovë është partner i fuqishëm i tregut të punës prandaj, intervenimi i OEK në procesin e bashkëpunimit do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e situatës aktuale. Një trekëndësh funksional do të thotë që universitetet prodhojnë kuadro, tregu i punës punëson kuadrot, e institucionet ndërmjetësuese e mundësojnë këtë bashkëpunim. Pra, aktivitetet e akterëve që përbëjnë trekëndëshin janë të ndërlidhura dhe kooperimi mes tyre është më se i nevojshëm”, thotë Mustafa. Përfaqësuesit e GiZ Kosova (organizatë joqeveritare gjermane) tregojnë se një bashkëpunim ideal ndërsektorial do t’i ndihmonte tregut të punës nëpërmjet punëtorëve të përgatitur me shkathtësitë e nevojshme (teorike dhe praktike), mundësi më të mëdha punësimi për të rinjtë e përgatitur, mundësi rritjeje për kompanitë vendore duke pasur parasysh se punëtorët e përgatitur ndikojnë në performacën dhe rritjen ekonomike për kompanitë ku ata punojnë.

Përgjegjësia për mosfunksionimin e trekëndëshit vazhdon të bartet mes institucioneve përgjegjëse.

Mungesa e mundësive për praktikë, neglizhenca e qendrave për zhvillim të karrierës ndaj tregut të punës, mospërputhja e profileve, mospërfillja e rolit të institucioneve ndërmjetësuese dhe shumë faktorëve të tjerë po ndikojnë negativisht ne procesin e uljes së papunësisë në Kosovë.

Për më shumë, bashkëpunimi mes institucion është prezent dhe duke funksionuar mirëpo, jo në mënyrë adekuate. Formulimi i një strategjie kombëtare mbi strukturimin e bashkëpunimit të trekëndëshit do të përmirësonte situatën aktuale. Kjo strategji së bashku me hulumtime të shumta mbi tregun e punës do të ndihmonte në anashkalimin e faktorëve që po kufizojnë progresin e vendit tonë kundrejt uljes së papunësisë.