Studentët Shqiptarë që Rrëzuan Komunizmin, Mendojnë një Revolucion të Ri Politik

46 vjeçari Vullnet Spahiu është pak i njohur sot për publikun e gjerë në Shqipëri.

Megjithatë, 26 vjet më parë, ai ishte një nga udhëheqësit e lëvizjes studentore që rrëzoi sistemin e ashpër komunist që sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vitin 1992.

Shumica nga miqtë dhe kolegët revolucionarë të Spahiut në atë kohë themeluan ose iu bashkuan partive politike të sapo formuara dhe u bënë pjesë e institucioneve të reja politike të Shqipërisë – por jo ai.

Të pakënaqur me elitën e re politike e cila, sipas tij, nuk i ka përmbushur shpresat dhe idealet e lëvizjes studentore, Spahiu ka emigruar në Greqi dhe ka bërë punë të rastësishme ndër vite për të ushqyer familjen e tij.

Megjithatë, ëndrra për një Shqipëri demokratike dhe të suksesshme, të cilën ai e ka ëndërruar në vitin 1990, duket se e ndjek ende nga pas.

Disa muaj më parë, ai u kthye në Shqipëri me një mision për të rrëzuar klasën politike që e qeveris vendin.

“Shqipëria është në një situatë shumë të vështirë dhe asnjë nga idealet tona nuk janë zbatuar”, tha ai për BIRN.

“Ne nuk e meritojmë të qeverisemi nga llojet e njerëzve që kemi sot në parlament”, shtoi ai.

Si shumë shqiptarë, Spahiu beson se partitë kryesore të Shqipërisë – ashtu si komunistët – kujdesen vetëm për interesat e tyre dhe injorojnë nevojat reale dhe dëshirat e qytetarëve të zakonshëm.

Në Shqipëri, ka ankesa të vazhdueshme edhe pas kaq shumë kohe që nga rënia e komunizmit dhe qëllimi i demokracisë së vërtetë mbetet punë e papërfunduar.

Korrupsioni i përhapur dhe partitë e drejtuara nga udhëheqësit autoritarë e kanë bërë periudhën e “tranzicionit” në Shqipëri shumë më të gjatë se sa ishte menduar dhe pritur.

Shumë prej tyre gjithashtu janë të frustruar se 26 vjet pas rënies së komunizmit krimet e sistemit të vjetër kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe dosjet e ish-policisë së fshehtë nuk janë hapur ende.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që duhet për të ndryshuar këtë situatë”, shton Spahiu.

Fatmir Merkoçi, një avokat në Tiranë, është një tjetër ish-revolucionar që beson se ndryshimi politik është i nevojshëm në Shqipëri.

Si një student i ri i drejtësisë ka qenë në mes të demonstratave të vitit 1990 dhe 1991 që rrëzuan sistemin komunist.

“Ne ishim një familje patriotike dhe intelektuale të persekutuar nga regjimi i Enver Hoxhës, dhe unë kam pasur shumë pasoja personale si rezultat i kësaj”, tha ai për BIRN.

Më 20 shkurt 1991, si anëtar i një bashkimi të pavarur, ai udhëhoqi një turmë të zemëruar prej rreth 100.000 shqiptarëve në sheshin Skënderbeu të Tiranës dhe përmbysën statujën e Enver Hoxhës.

Ai u qëllua nga policia dhe humbi vetëdijen, kështu që miqtë e tij e dërguan në spital.

Pothuajse tri dekada më vonë, ai ndihet i zhgënjyer me rezultatet e revolucionit të Shqipërisë nga vitet e ’90-ta.

Ai kritikon klasën politike që është krijuar që nga rrëzimi i sistemit komunist dhe si rezultat nuk pranoi të ndjekë një karrierë politike.

Merkoçi tha për BIRN se klasa aktuale politike nuk do ta ndalë atë nga kërkimi me zë të lartë i zbatimit të vonuar të idealeve të revoltës anti-komuniste.

“Media është platforma ime për të vazhduar aktivizmin tim për një vend më të mirë. Që nga viti 1995 kam artikuluar idetë e guximshme në çdo rast politik dhe social, çdo herë që kam pasur mundësi ta bëj këtë”, tha ai.

Merkoçi gjithashtu tha se disa nga idetë e tij të shprehura në publik mbi çështjet e rëndësishme aktuale, si reformat gjyqësore, kishin krijuar mosmarrëveshje me zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe e kanë komplikuar punën e tij si avokat.

“Unë jam parë gjithmonë si një dele e zezë, por kjo nuk është problem për mua. Unë nuk do të ndaloj kurrë së foluri hapur për çështjet e rëndësishme të vendit tim, pavarësisht çmimit”, tha ai.

Merkoçi tha se ai ka bërë fushatë që nga viti 1990 në lidhje me të drejtën e njerëzve për të ditur se kush ka bashkëpunuar me policinë e dikurshme sekrete komuniste, Sigurimin.

“Me shkrimet e mia, kam kërkuar vazhdimisht hetimin e krimeve komuniste dhe dënimin e zyrtarëve fajtorë ish-komunistë”, tha ai.

Spahiu tha se një lëvizje e re politike e quajtur Bleta Shqiptare e udhëhequr nga Shenasi Rama, një ish-aktivist studentor, ka sjellë shpresë te njerëzit si ai dhe miqtë e tij të cilët nuk identifikohen me sistemin aktual politik.

“Unë kam besim se kjo lëvizje do të ndryshojë disa gjëra në Shqipëri,” tha ai. “Tani është e rëndësishme për t’u organizuar”, përfundoi ai.