Nexhmedin Beqiraj ish-mësimdhënës i gjuhës shqipe në Istog.

Mësimdhënësi Largohet Kundërligjshëm nga Puna

Nexhmedin Beqiraj kishte filluar punën si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shtator të vitit 2010 në Shkollën “Ismail Qemali” të fshatit Saradan në Istog. Në kohën e punësimit atij i janë ndarë vetëm 10 orë në javë.

“Gjatë kësaj periudhe gjithmonë kam pasur normë jo të plotë të orëve, edhe pse vazhdimisht kam kërkuar plotësim norme,” thotë Beqiraj.

Telashet për të kishin nisur në fillim të vitit shkollor në vitin 2016.

“Në fillim të vitit shkollor akademik 2016/17 në muajin shtator mua m’i kanë ndarë pesë orë gjuhë shqipe, pesë orë bibliotekë (nga drejtori i shkollës). Në momentin e fundit Drejtoria e Arsimit edhe vetë drejtori i saj Agim Haxhiu nuk ka pranuar. Aty kanë qenë pesë orë profesionale gjuhë shqipe dhe pesë orë bibliotekë për të lidhur kontratë pune. Një gjë e tillë është refuzuar nga drejtori i arsimit, ai me qellim nuk ka dashur që unë të jem në marrëdhënie pune”, thotë ai.

Atij përfundimisht i është shkëputur kontrata në fillim të vitit shkollor në vitin 2016.

“Kam punuar deri me 31/09/2016 deri sa me është ndërprerë kontrata e punës. Kam pasur kontratë të përhershme me afat të pacaktuar”, tha Beqiraj.

Arsyetimi i Komunës

Para se t’i shkëputej kontrata, ai kishte bërë kërkesa të vazhdueshme në Komunën e Istogut që t’ia plotësonte normën e orëve. I kishte propozuar komunës që ta angazhonin në bibliotekën e shkollës vetëm për të arritur normën e orëve.

“Vazhdimisht kam kërkuar që plotësimi i orëve të më bëhet në bibliotekën e shkollës ku isha edhe mësimdhënës, sepse në shkolla tjera bëhej plotësimi i orëve për mësimdhënësit tjerë, mua nuk me është lejuar një gjë e tillë nga drejtoria e arsimit të cilët me thoshin nuk e lejon ligji”, tregon ish-mësimdhënësi për KALLXO.com.

Përmes zyrtares për informim në Komunën e Istogut drejtori i arsimit në komunë Agim Haxhiu është përgjigjur në pyetje e dërguara nga KALLXO.com rreth shkëputjes së kontratës së punës me mësimdhënësin e gjuhës shqipe, Nexhmedin Beqiraj.

Haxhiu ka thënë se rënia e numrit të nxënësve dhe shuarja e paraleleve ka qenë arsyeja e shkëputjes së kontratës me mësimdhënësin Beqiraj.

“Ndërprerja e kontratës së punës për Nexhmedin Beqirajn ish-mësimdhënës i gjuhës shqipe në ShFMU ‘Ismail Qemaili’ në fshatin Staradran ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të numrit të nxënësve dhe shuarjes së paraleleve, e në pamundësi që t’i sigurohet norma e orëve, të lartpërmendurit i është ndërprerë marrëdhënia e punës,” thuhet në përgjigjen e Haxhiut.

Ai ka dhënë shpjegime edhe për refuzimin që Beqiraj të angazhohet në bibliotekë.

“DKA-ja (drejtoria e arsimit) ka të drejtë që t’i plotësojë normën me orë në bibliotekë, mirëpo sipas legjislacionit në fuqi kjo ka qenë e pamundur ngase kushtëzohet me numër të nxënësve”, tha ai. Haxhiu e ka pranuar se nëpër shkolla tjera ka raste të mësimdhënësve që kur nuk e kanë normën e plotë të orëve të angazhohen në bibliotekë.

Mësimdhënësi Beqiraj i është drejtuar Inspektoratit të Arsimit në Pejë, me pretendimin se në rastin e tij komuna ka bërë shkelje ligjore. Por, ai asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion rreth largimit tij nga puna.

Beqiraj nuk është dorëzuar, por është ankuar edhe Inspektoratin e Punës. Ata kanë marrë vendim duke i dhënë të drejtë mësimdhënësit Beqiraj.

“Drejtorati për Arsim dhe Kulturë në Istog është përgjegjës për shkeljen e dispozitave për cenimin e dispozitave-nenit 70 paragrafit 3, nenit 71, paragrafit 1, nenit 72, paragrafit 1, 2 dhe 3 të Ligjit të Punës Nr.03/L-212 dhe nenit 12, paragrafit 4 të Udhëzimit Administrativ të MASHT 06/2015”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Por, Komuna e Istogut refuzon ta zbatojë vendimin e inspektoratit të Punës.

“DKA-ja e ka pranuar vendimin Nr.159 të datës 08.12.2016 nga Inspektorati i Punës, por në pamundësi të implementimit të tij, si pasojë e mungesës së orëve, është detyruar që vendimin ta ankimojë në shkallë të dytë në Trupin Ekzekutiv të Inspektoratit të Punës në Prishtinë, e që deri me tani nuk është kthyer përgjigje,” thuhet në përgjigjet për KALLXO.com nga drejtori i arsimit në Istog.

Mësimdhënësi i larguar nga puna, Nexhmedin Beqiraj e ka paditur Drejtorin e Arsimit në Gjykatën Themelore të Pejës, në degën e saj në Istog për shkëputje të marrëdhënies së punës. Lënda ende është në proces të shqyrtimit.

Konkursi për drejtor shkolle

Edhe pse i ishte shkëputur marrëdhënia e punës nga Drejtoria e Arsimit në Istog, Beqiraj thotë së prapë kishte konkurruar për drejtor në shkollë. Ai pretendon se edhe në këtë konkurs i është bërë e padrejtë.

“Pavarësisht se me ligj edhe konkurs i kam plotësuar të gjitha kriteret, Drejtorati i Arsimit ka vendosur me anuluar konkursin në Shkollën ‘Trepça’ në fshatin Banjë. Kam aplikuar prapë herën e dytë e ka anuluar me arsyetimin së asnjë kandidat nuk i plotëson kushtet për drejtor. Unë të gjitha kushtet i kam plotësuar,” thotë Beqiraj.

Në anën tjetër Drejtoria e Arsimit thotë së asnjë kandidat nuk ka qenë i suksesshëm në konkursin e hapur për drejtor në Shkollën “Trepça” në fshatin Banjë. Ata kanë folur konkretisht edhe për arsyen e mospranimit të Beqirajt në pozitën e drejtorit.

“Sa i përket Nexhmedin Beqirajt është ftuar në intervistë për pozitën e drejtorit në ShFMU ‘Trepça’ në Banjë, mirëpo i njëjti nuk ka treguar rezultat pozitiv ne intervistë,” thuhet në përgjigjet me shkrim nga Drejtoria e Arsimit për KALLXO.com.