Lepa Brena. Foto: Beta

Kosovarëve u veniten kujtimet për Lepa Brenën

Të vjetrit e Prishtinës ende e mbajnë mend piketën e një ndërtese sipas nofkës së këngëtares yll të Jugosllavisë, Lepa Brena, por ndryshimet e pasluftës tregojnë se të rinjtë dinë shumë pak për të.

Ajo ishte ylli më i famshëm i pop-it i brezit të saj në ish-Jugosllavi dhe përtëritja e nofkës së saj të pazakontë ishte në ndërtesën e Korporatës Energjetike të Kosovës në qendër të Prishtinës.

Historia se si ndërtesa u emërua Lepa Brena – sipas nofkës së këngëtares folk-pop Fahreta Zhivojinoviq, përvijon se si kultura në ish-Jugosllavi kapërceu kufijtë dhe etnitë.

Por fakti që ndërtesa e Korporatës Energjetike nuk njihet më si Lepa Brena nga banorët e rinj të Kosovës, dëshmon atë se si kulturat janë shkëputur në prag të ndarjes së përgjakshme të shtetit të Jugosllavisë në vitet 1990.

Objekti i Korporatës Energjetike u ndërtua në fillim të viteve 1980 në Prishtinë dhe asokohe shihej si një nga strukturat më të larta në kryeqytetin e Kosovës – dhe një nga më tërheqëset.

‘’Kur u përfundua kjo ndërtesë, e quajtëm Lepa Brena pasi ishte njëra nga ndërtesat më të bukura të kohës. Ishte po aq e gjatë dhe e bukur sa Lepa Brena’’, tha për BIRN-in Nexhmedin Abazxhik, një pensionist në Prishtinë.

Abazxhik kujtonte se si njerëzit e brezit të tij në Kosovë mahniteshin nga bukuria e këngëtares.

‘’Ajo ishte shumë e bukur dhe e mirënjohur. Siç ishte Madona në botë, Lepa Brena ishte në ish-Jugosllavi’’, sqaroi ai.

Bislim Gashi, një taksist në Prishtinë, ka thuaj të njëjtat kujtime.

‘’Gjatë viteve ’80, çdokush e dinte ku ishte ndërtesa Lepa Brena sepse ishte kaq e bukur dhe kaq e madhe, siç ishte dhe këngëtarja’’, tha Gashi.

Lepa Brena ishte artistja femër me albumet më të shitura në Jugosllavi; ajo shiti mbi 40 milionë sosh dhe gjithnjë stadiumet mbusheshin plot kur ajo mbante koncerte.

Sikurse nxirrte mbi 15 albume, ajo u shfaq në një sërë filmash të njohur në 1980 dhe 1990, veçanërisht tek ‘Hajde da se volimo’ (Le të biem në dashuri).

Për shkak të popullaritetit të saj, ka mjaft ndërtesa me nofkën Lepa Brena në mbarë Serbinë – në Novi Sad, Zrenjanin, Kragujevac, Nish, Prokuplje, Uzice, Kovin dhe Novi Pazar.

Por gjatë viteve ’90, sikundër tensionet u rritën mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, nofka e ndërtesës në Prishtinë u kthye në temë konflikti dhe disa banorë shqiptarë të kryeqytetit vendosën ta ndryshojnë.

‘’Në vitet ’90 nuk donim më ta përdornim atë emër sllav, kësisoj e zëvendësuam me Adelina Ismaili, një yll popi shqiptar i Kosovës’’, ndërmendi Bislim Gashi.

Ndërtesa e KEDS në Prishtinë, që dikur njihej si ‘Lepa Brena’. Foto: Kallxo.com

Këto kohë, brezi i ri i Prishtinës dinë shumë pak për këtë histori dhe shumë as nuk i drejtohen ndërtesës së Korporatës Energjetike si Lepa Brena – ose nëse e bëjnë, nuk janë të sigurt përse.

‘’Personalisht nuk mund ta ndërmend bukurinë e Lepa Brenës tanimë e as nuk mund ta kuptoj ndërlidhjen mes ndërtesës dhe ikonës së popit’’, thotë Fat Limani nga Prishtina për BIRN.

‘’Por vetëm kaq, gjithkush e quan Lepa Brena dhe ende sot e quajmë nganjëherë ashtu, megjithëse më tepër përdoret nga brezat e vjetër’’, shtoi ai.

Berna Caka, prezantuese në radion Urban FM në Prishtinë, e cila ishte adoleshente në vitet ’90, e kujton atë vend si pikëtakim për të rinjtë atëkohë.

‘’Pas shkollës ose kurdo dilnim dhe takonim miqtë, aty do ishte vendi, më i larti e ndoshta më i bukuri në qytet’’, tha Caka për BIRN.

Ajo e përshkroi Lepa Brenën si ‘’një nga shënjestrat kryesore të shtypit asokohe, meqë ishte myslimane boshnjake e cila këndonte dhe fliste serbisht’’.

Kohëve të fundit, folësit e serbishtes janë të rrallë mes të rinjve shqiptarë të Kosovës, siç janë dhe ata që e njohin Lepa Brenën dhe përse ndërtesa mbante atë emër, tha Caka.

‘’Me brezat e rinj që po vijnë, nuk dihet se kush apo çfarë është Lepa Brena; as nuk e flasin gjuhën serbe, të cilën ne e flisnim rrjedhshëm pasi ishte e detyrueshme, në të kundërt do keqtrajtoheshe’’, shpjegoi ajo.

Vesa Sahatçiu, historiane e artit në Prishtinë thotë që me ndryshimet në sisteme politike dhe ideologji, vijnë edhe ndryshimet në piketa kulturore dhe shënjues.

‘’Ne kësisoj u japim një kuptim të ri ndërtesave të vjetra dhe piketimet e dikurshme kulturore përgjithësisht harrohen’’, tha Sahatçiu për BIRN.

Sahatçiu thotë që shumë përmendore të ish-Jugosllavisë qëndrojnë ende ‘’por janë në kundërti me vlerat kulturore të Kosovës sot’’.

‘’Gjithashtu, duhet konsideruar se historikisht, Kosova ka qenë në kundërti me trendët mbizotërues kulturorë të ish-Jugosllavisë, duke e ndier mungesën e përfaqësimit madje edhe në periudhat më të mira, kur kishte njëfarë lirie kulturore në vend’’, shtoi ajo.

Ndërtesave të kohës së Jugosllavisë në Kosovë u janë vendosur emra të rinj shqiptarë qëkur lufta përfundoi në vitin 1999.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve, i ndërtuar gjatë viteve ’70 në Prishtinë është veç një shembull.

Pasi u ndërtua, u quajt ‘Boro dhe Ramiz’ sipas partizanëve jugosllavë të Luftës II Botërore – Boro Vukmiroviq, i cili ishte serb dhe Ramiz Sadiku, shqiptar.

Ndërtesa Boro dhe Ramiz kish për qëllim të simbolizonte vëllazërinë brenda shtetit socialist.

Por pasi shqiptarët e Kosovës luftuan për liri ndaj sundimit shtypës të Beogradit, Pallati i Rinisë dhe Sporteve u riemërua Adem Jashari sipas komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili u vra nga forcat serbe bashkë me 59 anëtarë të familjes së tij të gjerë në Prekaz në vitin 1998.

Lepa Brena është 57 vjeçe sot dhe ende është në skenë, por periudha kur muzika e saj ishte faktor i përbashkët kulturor në një shtet unitar, ka kaluar kaherë dhe është e pamundur të paramendohet që ndonjë ndërtesë në Prishtinë të mbajë emrin e ndokujt nga e shkuara jugosllave.

‘’U prehtë në paqe Lepa Brena’’, tha Caka.