Richard Hoolbrooke Foto: NATO

Ushtari në fotografi: Në kujtim të Richard Holbrooke

Një fotografi rasti në qershor të vitit 1998 e diplomatit të ndjerë amerikan i ulur pranë një luftëtari shqiptar të Kosovës shënon një pikë kthese në luftën e Kosovës – dhe tregon historinë e saj për njeriun që francezët e quajtën ‘Le Bulldozer’.

Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Australi, duke pozuar me foton e tij me ambasadorin Richard Holbrooke. Foto nga Hajdin Abazi.

Pas lehtësimit të masave të bllokadës të COVID-19 në Australi në qershor të këtij viti, takova ambasadorin e atëhershëm të Kosovës në këtë shtet, Hajdin Abazi, në një restorant në Canberra për të diskutuar dialogun në vazhdim e sipër Serbi-Kosovë.

Unë u ekstazova kur zbulova se Abazi është personi të cilin mediat perëndimore vazhdojnë t’i referohen si ushtari i pa paidentifikuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, nga një fotografi disi enigmatike me ambasadorin e ndjerë amerikan Richard “Dick” Holbrooke.

Hajdin Abazi, ish-ambasador i Kosovës në Australi duke mbajtur fotografinë e tij me ambasadorin Richard Holbrooke

Ata që kanë njohuri për luftërat jugosllave të viteve 1990 do të njohin imazhin, portreti të cilit po i referohem. Është imazhi ku një Holbrooke këmbëzbathur pa këpucë, me një këmishë të bardhë me vija, ulet krah për krah mbi një qilim pranë një ushtari të në dukje i bukur porse i lodhur në uniformë ushtarake, një beretë të gjelbër me simbolin e UÇK-së mbi të, çizme me baltë dhe duke e shtrënguar një AK-47 me duart e tij. Të dy burrat mbanin syze dhe dukeshin mjaft të qetë – Holbrooke madje e kishte zgjidhur kravatën. Siç rezultoi pastaj, ajo që dukej si një moment i qetë kishte pasoja të mëdha diplomatike.

Isha i etur të dëgjoja për përshtypjen e Abazit mbi Holbrooke dhe të mësoja për kontekstin e fotografisë. Kujt nuk i pëlqen një histori për Holbrooke?

Diplomati amerikan jetoi një jetë të mbushur me dramë. Diçka reale për personalitetin e tij teatral, ai vdiq diç më shumë se dhjetë vjet më parë, pak pasi u rrëzua gjatë një takimi me Sekretaren e Shtetit të atëhershëm, Hillary Clinton. Fjalët e fundit të Holbrooke ishin: “Ju duhet t’i jepni fund kësaj lufte në Afganistan”, duke shpirë ne ekspertët perëndimorë në një lloj turbullire, pasi ata agonizuan mbi kuptimin e saktë pas dëshirës së tij të fundit.

Holbrooke ishte pak a shumë si Vegemite (një lloj ushqimi australian), ajo ngjyrë kafe e errët e përhapur nga një lloj mbetjeje e tharmit të birrës dhe perimeve: ose e doni ose e urreni. Burrështetasi kishte një listë të gjatë arritjesh dhe ishte një zgjidhës i mirënjohur i problemeve. Francezët e quajtën atë “le buldozer” dhe, nuk është sekret që sjellja e tij nganjëherë shqetësonte një sërë individësh duke filluar nga kolegët e tij më të afërt e deri  tek zyrtarët e huaj të nivelit të lartë. Por çfarë do të thoshte Holbrooke për Abazin? Dhe çfarë ndikimi pati ai në Kosovë?

Shkrimtar i kthyer në ushtar

Gjatë viteve të Jugosllavisë, Serbia përbëhej nga dy krahina autonome: Kosovën dhe Vojvodinën. Shqiptarët e Kosovës formuan grupin dominues identitar me vendbanim në Kosovë dhe u përballën me diskriminim të madh sistematik.

Së bashku me aktivistët e tjerë shqiptarë të Kosovës, Abazi në të njëzetat e hershme u burgos nga vitit 1979 deri në vitin  1983 për aktivizmin e tij politik. Cili ishte krimi që kishte bërë? Avokimi që Kosova të bëhet republikë brenda Jugosllavisë. Deri në vitin 1989, Sllobodan Millosheviqi ishte bërë President i Serbisë dhe po promovonte nacionalizmin etnik serb ndërkohë Abazi u bë një refugjat dhe përfundoi në Suedi. Shqiptari i Kosovës u përfshi me shpejtësi në kulturën suedeze dhe madje shkroi poezi për shtëpinë e tij të re, gjatë gjithë kohës duke e ndjekur për së afërmi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Deri në vitin 1993, Jugosllavia përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi – të gjitha republikat e tjera tani ishin të pavarura. Megjithë dashurinë e tij të re për Suedinë, Abazi ndjeu një dëshirë të madhe për t’u kthyer në Kosovë për të luftuar për pavarësi nga Serbia. Në shkurt të vitit 1998, filloi Lufta e Kosovës, dhe një muaj më vonë shkrimtari arrit në atdheun e tij për të dhënë kontributin e tij në luftë.

Gjatë Luftës së Kosovës, nga viti 1998 deri në vitin 1999, nofka e Abazit ishte Lum Haxhiu, një emër që iu dha nga Komandanti i Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Thuhet se pasi Haradinaj u qëllua në dorë dhe ijë nga një serb, ai i paketoi plagët e tij me djathë për të ndaluar gjakderdhjen në mënyrë që të vazhdonte luftën. Vite më vonë, Haradinaj do të bëhej Kryeministër i Kosovës.

Abazi u takua me Holbrooke mesditën e së mërkurës, 24 Qershor të vitit 1998 në Junik, një qytet i vogël në Kosovën jugperëndimore pranë kufirit me Shqipërinë. Në atë kohë, Holbrooke ishte i Dërguari Special i Presidentit Bill Clinton në Ballkan. Takimi, i cili sipas Abazit zgjati rreth një orë e 40 minuta, ishte domethënës sepse ishte hera e parë që një përfaqësues i nivelit të lartë amerikan u takua publikisht me UÇK-në. Në fakt, në shkurt të atij viti, paraardhësi i Holbrooke, Robert Gelbard, e kishte quajtur UÇK -në një organizatë “terroriste”.

Përpara takimit të Junikut, SHBA-të kryesisht u morën me Ibrahim Rugovën, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK. Ai ishte një studiues shqiptar nga Kosova i cili mbante gjithmonë një shall shallin dhe quhej “Gandi i Ballkanit”. Të zhgënjyer për shkak se diskriminimi sistematik kundër shqiptarëve të Kosovës nuk u përfshi nga Holbrooke në procesin e paqës në Dayton, disa shqiptarë të Kosovës filluan heqin dorë nga pacifizmi i Rugovës duke iu bashkuar UÇK-së.

Në muajt e parë të vitit 1997, UÇK -ja ishte thjesht një organizatë heterogjene me më pak se 100 armë në posedim. Pastaj, ndodhi një mrekulli: Shqipëria përjetoi trazira të mëdha politike dhe ekonomike pas rënies së një sërë skemash Ponzi. Gjatë këtyre trazirave, sektori i sigurisë braktisi armatimet e vendit. Ai la vakum për grabitësit që zbrazën të gjithë arsenalin e Shqipërisë, përfshirë rreth gjysmë milioni kallashnikovë AK-47, shumë prej të cilëve u bartën përtej kufirit dhe përfunduan në duart e UÇK-së. Deri në maj të vitit 1998, UÇK-ja tashmë kishte nën kontroll rreth 40 përqind të territorit të Kosovës.

Juniku ishte i njëjti vend ku UÇK-ja së pari e bëri publik formimin e saj dhe më pas u bë qendër e mediave për gazetarët ndërkombëtarë që mbulonin luftën e Kosovës. Siç ishte rasti me myslimanët boshnjakë gjatë luftës boshnjake 1992-5, propaganda serbe i përshkruante shqiptarët e Kosovës si islamikë radikalë që bënin një luftë të shenjtë. Në Junik, Abazi – Zyrtar për Moral, Politikë dhe Informacionin në Lagjen e Nënzonës në Junik dhe Rekë e Keqe – së bashku me një shqiptar të ri të Kosovës të quajtur Gani Shehu – Komandant i Shtabit të UÇK -së për Junik – që të dy u ngarkuan në detyrë për marrëdhëniet publike të UÇK-së. Dyshja Abazi-Shehu formuan një partneritet të fortë dhe ata shpesh angazhoheshin me Reuters, CNN, The Washington Post, AP dhe The New York Times në çështjet që ndërlidheshin me luftën çlirimtare të UÇK-së kundër Jugosllavisë.

Në atë ditë fatale të muajit qershor, një ushtar i UÇK-së i mbushur plot frymë i përcolli një mesazh Abazit: Shehu kërkonte praninë e tij në një fermë aty pranë. Abazi thotë se hypi në anën e pasme të një motoçiklete dhe ngadalë u nis drejt lokacionit. Me të mbërritur aty, ai vuri re dy burra që dukeshin si zyrtarë të sigurisë që vijnë nga Central Casting (një agjenci ose departament që furnizon aktorët për role filmike të vogla): kostume të errëta, syze dielli dhe radio dore duke qëndruar pranë një postblloku kufitare. Në atë moment, Abazi kuptoi se po takonte të huaj, ndoshta ndonjë VIP. Megjithatë, Abazi thotë se ai ishte shokuar plotësisht kur Shehu e informoi se ata do të takoheshin me të dërguarin special të Clinton për Ballkanin, Holbrooke. Paqartësia e luftës ra mbi Junikun. Asnjë aranzhim diplomatik nuk u bë para mbërritjes së Holbrooke dhe energjia elektrike në Junik ishte ndërprerë, kështu që UÇK-ja kishte pak informacion në lidhje me atë që po ndodhte jashtë zonës së tyre.

Dy zyrtarët e informuan dyshen Abazi-Shehu se personeli i sigurisë serbe këmbënguli ta shoqëronte Holbrooke në territorin e UÇK-së “për sigurinë e tij”. Abazi, i cili donte të shmangte reagimin e mediave dhe refuzonte t’u jepte informacione inteligjente serbëve aq lehtë, insistoi. Ai u përgjigj: “Zotëri, thajini Ambasadorit Holbrooke se do të ishim të kënaqur ta prisnim. Është shumë e rëndësishme për ne që ai të vijë në Junik pasi kemi çështje të rëndësishme për të diskutuar, por ne nuk mund t’i lejojmë armiqtë tanë – serbët – të futen në territorin e UÇK-së … Ne do të garantojmë sigurinë e Ambasadorit Holbrooke. “Abazi pastaj i hodhi një sy Shehut për ta miratuar atë që tha ndërkohë që ky i fundit pohoi me kokë si shenjë pajtimi.

Dy ushtarët e UÇK-së dukeshin nervozë ndërkohë që zyrtarët amerikanë i transmetuan kushtet e Abazit tek ekipi i Holbrooke. Ata nuk i donin armiqtë e tyre serbë në territorin e tyre, por në të njëjtën kohë, ata nuk donin të ishin përgjegjës për humbjen e një mundësie për t’u takuar me Holbrooke. I dërguari special i Clinton ishte tashmë i famshëm në Ballkan për shkak të rolit të tij në përfundimin e luftës në Bosnje. Përveç kësaj, disa ditë para ardhjes së tij në Junik, Holbrooke nisi librin e tij të kujtimeve në lidhje me procesin e Dejtonit të titulluar ‘To End a War’, dhe u emërua Ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara. Nëse ekipi i Holbrooke do t’i refuzonte kushtet për të hyrë në Junik, kjo do të nënkuptonte një turp të madh për UÇK-në dhe dy ushtarët me siguri do të qortoheshin për këtë.

Pas disa komunikimeve të bëra përmes radiolidhjes, e të cilat iu dukën të pafundme dyshes Abazi-Shehu, njëri nga zyrtarët deklaroi: “Ambasadori Holbrooke po vjen!” Abazi dhe Shehu u gëzuan, por filluan të shqetësohen për sigurinë e Holbrooke dhe përmbajtjen e diskutimit të ardhshëm. Në vijë direkte, forcat ushtarake serbe ishin vetëm 300 deri në 400 metra larg vendndodhjes së tyre në Junik.

Euforia fillestare për ardhjen e Holbrooke kaloi shpejt kur Abazi kuptoi se takimi do të ishte ndryshe nga angazhimet e tij nëpër media. Në vend që të ishte një diskutim informues, Abazi parashikoi që takimi do të ishte i “rëndësisë politike”. Ai e konsideroi atë si një formë të “negociatave diplomatike” që mund të ndikojnë në rrjedhën e së ardhmes së Kosovës. Ndërkohë që stomaku i Abazit filloi t’i përzihej, një pjesë e tij dëshironte që dikush më lart në zinxhirin ushtarak të ishte aty, duke qenë se e ardhmja e Kosovës tani rëndonte mbi supet e tij. Sigurisht, nuk ndihmoi që kishte shumë “të panjohur” – UÇK-ja nuk kishte as një strukturë zyrtare politike dhe objektivat e lëvizjes ishin akoma fillestare. Kësisoj Abazi u ndie pak më lirshëm dhe reflektoi mbi aktivizmin e tij gjatë dy dekadave e gjysmë më parë në vende si Suedia, Danimarka, Austria, Zvicra, Gjermania dhe Norvegjia. Ai arriti në përfundimin se ky aktivizëm i tij i mëhershëm e kishte përgatitur atë për këtë angazhim të rëndësishëm me Holbrooke.

Brenda gjysmë ore nga njoftimi i vizitës së papritur të Holbrooke, një autokolonë e gjatë me ngjyrë të bardhë u shfaq në distancë mes një pluhuri të ngritur. Një flamur amerikan ishte ngjitur në antenën e automjetit kryesor të autokolonës. Kur autokolona u ndal, Abazi e njohu menjëherë Holbrooke në momentin kur figura e tij doli nga një prej automjeteve. Në Serbi, Holbrooke ishte i njohur për lobimin e NATO-s për intervenim për t’i dhënë fund luftës në Bosnje, por në Kosovë, figura e tij ishte shumë popullore.

Holbrooke ishte në shoqëri të disa kolegëve, përfshirë Christopher Hill (asokohe ambasador amerikan në Maqedoni dhe i dërguari i posaçëm amerikan në Kosovë) dhe Tina Kaidanow (asistente speciale e Hill dhe ambasadore e ardhshme në Kosovë), një mori gazetarësh – përfshirë korrespondentin e luftës , Kurt Schork – dhe një delegacion shqiptar i Kosovës i cili e përfaqësonte LDK-në, përfshirë numrin dy të Rugovës, Fehmi Aganin, i cili do të vritej nga forcat jugosllave të sigurisë më pak se një vit pas takimit të Junikut.

Megjithëse Abazi njohu shumicën e vizitorëve, diç më shumë e njohu Schork, i cili e kishte intervistuar disa ditë më parë. Në atë kohë, korrespondenti i luftës ishte i famshëm për regjistrimin e storjes tronditëse Romeo dhe Zhuljeta në Sarajevë. Për Abazin kishte shumë kuptim që t’ia tregonte narrativen e tij për luftën në Kosovë një gazetari kaq prestigjioz. Ai madje shkroi një poezi të përzemërt për Schork kur gazetari u vra në vitin 2000 teksa punonte për Reuters në një pritë në Sierra Leone.

Sa i përket Holbrooke, ai gjithmonë kishte një marrëdhënie të veçantë me mediat. Ai i ka dëgjuar me kujdes gazetarët dhe interpretimet e tyre të ngjarjeve pasi ata shpesh kishin njohuri më të mëdha se diplomatët, dhe shpesh përdorte mediat për të nxjerrë informacion në ndjekje të qëllimeve të tij. Ai jo vetëm që e përdori gazetarin Schork dhe gazetarë të tjerë për informacion në lidhje me UÇK-në, përfshirë marrjen e njohurive mbi të kaluarën e Abazit, por, siç do të shihet, kur Holbrooke mbaroi me takimin e tij në Junik, ai u shfaq para kamerave për të dërguar një mesazh strategjik për botën në përgjithësi.

Takimi i Junikut

Abazi kujton se kur Holbrooke hyri në shtëpinë e Mete Shalës, ai i zbathi këpucët e tij. Pastaj, në gjysmë të shkallëve, Holbrooke i qortoi disa nga kolegët e tij amerikanë që hynë në brenda me këpucët e tyre, duke shpjeguar se hyrja mbathur nuk ishte respekt për mikpritësit e tij shqiptarë të Kosovës. Kolegët e tij u kthyen dhe me bindje i lanë këpucët në hyrje (përveç një apo dy prej tyre, përfshirë Ambasadorin Hill).

Sa për Abazin, ai mbeti pas pjesës tjetër të grupit. Ai duhej të sigurohej që situata të ishte e sigurt pasi kishte frikë se forcat serbe të sigurisë do të sulmonin delegacionin e Holbrooke dhe pastaj do ta fajësonin UÇK-në. Kur u sigurua me masat e sigurisë, ai iu bashkua delegacionit brenda në shtëpi.

Me të hyrë, Abazi ishte gati t’i hiqte çizmet ushtarake, por ishte pak i shqetësuar. Për shkak të situatës së sigurisë në Junik, ai kishte fjetur në çizmet e tij për disa net me radhë, që do të thoshte se këmbët e tij me siguri do të nuhasnin aromë të pakëndshme dhe ndoshta do të shkaktonin edhe një incident diplomatik. Për t’ia lehtësuar, mikpritësi i tij, Metë Shala, këmbënguli që ai ti mbante çizmet e tij sepse Abazi duhej të ishte “gati për betejë”- armiku mund t’i godiste ato në çdo moment të caktuar. Pastaj, Abazi ishte gati ta dorëzonte kallashnikovin e tij në lidhje me nikoqirin e tij, por përsëri, Metë Shala këmbënguli që Abazi duhet ta mbante atë për të njëjtën arsye. Metë Shala ishte i zoti i shtëpisë dhe Abazi duhej të bindej.

Me hyrjen e Abazit në shtëpi, Holbrooke ishte rrethuar tashmë në qilim nga Hill në të djathtën e tij dhe nga i riu Gani Shehu në të majtë. Pastaj, Metë Shala ndërhyri për herë të tretë dhe të fundit: ai këmbënguli që Shehu të lironte pak hapësirë në mënyrë që Abazi, oficeri më i lartë i UÇK-së prezent aty, të ulej pranë Holbrooke. Ashtu si një diplomat i vërtetë, nikoqiri po hapte komunikimin mes dy figurave më të rëndësishme të secilit delegacion. Ballafaqimi i imazhit të diplomatit amerikan të rruar dhe të ulur zbathur vetëm me çorapat e tij dhe ushtarit me mjekër të UÇK-së si dhe me AK-47 dhe çizmet e tij krejt baltë, do të ishte vështirë të injorohej. Ishte momenti kur cirku medial po bënte festë me kamerat e tyre, duke shkrepur fotografi nga larg të Holbrooke dhe Abazit. Disa nga ato fotografi u bënë virale gjatë ditëve në vijim.

Pas shkrepjes së fotografisë, Holbrooke kërkoi me mirësjellje nga gazetarët që të largoheshin “për të na lënë të flasim”. Në shoqërim të disa kafeve turke dhe ujit nga burimi, Holbrook kureshtar u bëri një sërë pyetjesh shokëve të tij të rinj të UÇK-së. Në një moment, ai iu drejtua Abazit dhe e pyeti: “A je ti shkrimtari me armë?” Abazi ishte i mahnitur që Holbrooke dinte diçka për të kaluarën e tij. Ai thotë se Holbrooke e huazoi një rresht nga një artikull për të, ndoshta i shkruar nga Schork, i cili u botua në mediat perëndimore jo shumë kohë para fjalimit të tyre.

Nga viti 1973, shumë kohë para se Abazi të njihej me nofkën Lum Haxhiu, ai luftoi kundër shtypjes së shqiptarëve të Kosovës përmes lapsit dhe letrës. Megjithatë, rezistenca paqësore nuk funksionoi, kështu që “si mjeti i fundit”, shpjegoi Abazi për Holbrooke, “Unë kapa armët për të mbrojtur këtë tokë në mënyrë që fëmijët e mi të mos mbeten pa shtëpi.” Për ta elaboruar çështjen, ai shtoi: “Më mirë të marr stilolapsin tim dhe të shkruaj sesa të përdor këtë armë.” Abazi e urrente vërtet luftën. Në fakt, rreth një vit pas takimit të tij me Holbrooke, ai shkroi një poezi ‘Te Strehuarit Ne Male’ duke shprehur vështirësitë e luftës.

Këtu gjithçka është mungesë, edhe uji.
Ajri kristalshmëri e ndotur helmesh e tymrash të granatave.
Lukthi duke bluar kujtimin e shujtave kthehet në një mi brejtës.
Absolute këtu është vetëm pasiguria.
Për t’i shpëtuar të ftohtit të tmerrit ndezin zjarre shprese.

Ndërkohë që dialogu në qershor të vitit 1998 midis delegacionit amerikan dhe përfaqësuesve të UÇK-së po shënonte progres, Holbrooke e pyeti Abazin për qëllimet e UÇK-së, të cilat ishin ende të paqarta për SHBA Deri në atë moment, Abazi i ishte përgjigjur pyetjeve të ngjashme nga shumë reporterë, por ai ishte i vetëdijshëm në faktin që këtë herë përgjigja e tij do ta shtonte rëndësinë duke pasur parasysh që pranuesi i mesazhit të tij ishte një gjigant diplomatik. Ai u përgjigj: “Për ta thënë troç, ne duam të heqim qafe regjimin pushtues të Serbisë në Kosovë. Ne duam të divorcohemi përgjithmonë nga Serbia ”.

Abazi pastaj i dha detaje më të mëdha delegacionit të Holbrooke në lidhje me vuajtjet e pësuara nga shqiptarët e Kosovës nën sundimin serb. Ka një mëdyshje nëse Holbrooke kishte nevojë për një ligjëratë pasi ai ishte tashmë një ekspert për Ballkanin. Holbrooke ishte në dijeni se si kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë, ai e njihte Millosheviqin dhe dëshirën e tij për një Serbi të Madhe, dhe ai kishte parë rezultatet e spastrimit etnik – eufemizmit që u bë i famshëm në vitet 1990 për krimet brutale të kryera kundër një grupi të caktuar të njerëzve për shkak të identitetit të tyre. Shumë nga ato çështje u thanë në librin e tij ‘To end a War’. Sidoqoftë, të dëgjuarit është pjesë kryesore e diplomacisë dhe kështu Holbrooke dëgjoi. Abazi e përfundoi përgjigjen e tij ndaj Holbrooke duke shtuar se ata donin që Kosova të ishte e lirë, jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por edhe për të gjitha pakicat që jetojnë brenda kufijve të saj.

Holbrooke i tha Abazit se një nga qëllimet e tij kryesore ishte promovimi i një armëpushimi midis UÇK-së dhe Jugosllavisë, dhe ai pyeti nëse grupi gueril do t’i lejonte forcat serbe të hynin në një pjesë të caktuar të territorit nën kontrollin e UÇK-së në Junik. Përgjigja e Abazit ndaj Holbrooke ishte “UÇK-ja dëshiron paqe, por ajo paqe duhet të vijë me lirinë”. Me fjalë të tjera, një armëpushim pa garanci për pavarësinë nuk do ta prishte atë. Përveç kësaj, shtoi Abazi, një armëpushim është diçka që duhet diskutuar më lart në zinxhirin e UÇK-së.

Në kohën e takimit, SHBA dhe anëtarët e tjerë të NATO-s nuk e njohën pavarësinë e Kosovës. Sidoqoftë, Abazi pretendon se Holbrooke i dha atij një mesazh të rëndësishëm: Kosova një ditë do të jetë e pavarur, por nëse dëshiron mbështetje nga Perëndimi, UÇK-ja duhet ta distancojë veten e saj nga muxhahidët – luftëtarët e huaj radikalë islamikë. Me sa duket, SHBA mori vesh se UÇK-ja ishte mbështetur nga muxhahidët dhe Holbrooke donte të dinte nëse kjo ishte e vërtetë.

Abazi i tha Holbrooke se kishte dëgjuar vetëm zëra për luftëtarët e huaj islamikë që hynin në Kosovë. Përveç kësaj, argumentoi ai, shqiptarët e Kosovës janë të bashkuar nga identiteti i tyre kombëtar dhe megjithëse shumica e tyre janë klasifikuar si myslimanë, ata po luftonin për një shtet demokratik, laik. “Kjo nuk është një luftë e shenjtë, kjo luftë ka të bëjë me lirinë,” i tha Abazi Holbrooke. Më e rëndësishmja, Abazi vuri në dukje se “Shqiptarët e Kosovës gjithmonë dhe do të vazhdojnë t’i përafrojnë interesat tona me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara”.

Holbrooke atëherë i kërkoi Abazit të bindte UÇK-në që të punonte me LDK-në në mënyrë që ata të kishin unitet të kauzës së tyre. Megjithatë, diplomati i famshëm ndoshta e dinte se faktet në terren kishin ndryshuar: LDK-ja e Rugovës po humbiste me shpejtësi mbështetjen ndërsa gjithnjë e më shumë shqiptarë të Kosovës po i bashkoheshin UÇK-së. Në fund të fundit, ishte një nga arsyet pse Holbrooke vendosi të lidhej me kryengritësit. Sidoqoftë, Abazi i shpjegoi Holbrooke se shumë ish-anëtarë të LDK -së, përfshirë Shehun i cili para luftës, ishte kryetar i LDK-së në Junik, ishin bërë anëtarë të UÇK-së, duke ia bërë me dije qëllimet tashmë të përcaktuara. Për UÇK-në, megjithatë, pacifizmi i deritanishëm nuk i kishte ndihmuar shqiptarët e Kosovës të fitonin lirinë e tyre. Prandaj, lufta e Kosovës, sipas fjalëve të Abazit, përfaqësonte ndryshimin midis “jetës dhe vdekjes”.

Para se të largohej nga shtëpia, Holbrooke dukej se kishte arritur në të njëjtin përfundim. Ai e preku Kallashnikovin AK-47-in e vjetër të Abazit dhe i tha: “Më mirë mbaje atë sepse e vetmja gjuhë që kupton Millosheviqi është fuqia e armës.” Në atë kohë, Millosheviqi tashmë e kishte spastruar Kosovën nga rreth 80,000 shqiptarë të Kosovës dhe kishte vrarë më shumë se 300 njerëz, kryesisht civilë. Zyrtarët amerikanë ishin të shqetësuar se Millosheviqi do të promovonte spastrimin etnik në Kosovë në të njëjtën mënyrë sikurse kishte bërë më herët në Serbi, Kroaci dhe Bosnjë. Në fakt, pas takimit në Junik, Holbrooke tërhoqi publikisht ato paralele. Pasi vlerësoi disa nga dëmet dhe masakrat në Kosovë, ai deklaroi: “Ky nuk është rezultat i luftimeve … këto ishin forcat jugosllave të sigurisë që hynë dhe i dëbuan njerëzit.”

Holbrooke, me tonin e tij realist, theksoi më tej: “E vetmja alternativë për të luftuar … është një negociatë paqësore … Është po aq e thjeshtë dhe aq e komplikuar sa ajo.” Ai u largua nga Juniku pa asnjë zotim për armëpushim, por jo para se të karakterizonte aventurën e tij diplomatike si jozyrtare. Holbrooke deklaroi se “Ky nuk është një takim zyrtar midis zyrtarëve amerikanë dhe anëtarëve të UÇK-së.”

Megjithatë, zgjidhësi i famshëm i problemeve duhet të ketë ditur se fotografia e tij teksa shihet ulur pranë Abazit dhe AK-47 e tij do të shpërndahej nga mediat kryesore në të gjithë botën dhe se kjo me siguri do ta mërziste Millosheviqin. Megjithatë, ai duhej ti mbante të hapura kanalet diplomatike, kështu që ai dërgoi Hill-in në Beograd të nesërmen për të siguruar udhëheqësin serb se “luftëtari i UÇK-së që dukej si Che Guevara” (siç i referohej Hill Abazit në kujtimet e tij Outpost: Diplomat at Work) ishte futur “befasisht” në shtëpi (Junik).

”Natyrisht, Millosheviçi ishte i zemëruar. Sipas Hill, ai tha: “Më pëlqen Deek [kështu e shqiptoi” Dick “]. Por për hir të karrierës, ai është në gjendje të hajë fëmijë të vegjël për mëngjes. ”

Paslufta

George Packer në librin e tij të ri ‘Our Man’ (Njeriu ynë), pohon se ish Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ishte e pakënaqur që Holbrooke u zgjodh për postin e Ambasadorit të SHBA në OKB. Thuhet se ajo e hodhi poshtë punën e tij në Kosovë dhe pretendoi: “Ai e dreçosi atje. Ai nuk është një gjeni.” Sidoqoftë, nga perspektiva e Abazit, vizita e paparalajmëruar e Holbrooke fuqizoi UÇK-në dhe u dha atyre shpresë se Kosova një ditë mund të arrijë pavarësinë.

Superfuqia e botës dikur gjithashtu bëri një luftë për pavarësi, dhe deri në qershor të vitit 1998, ajo dërgoi një figurë të fuqishme diplomatike në Kosovë për të diskutuar çështjen e UÇK-së. Në fund të fundit, ekziston gjithmonë një vijë e hollë midis një terroristi dhe një çlirimtari. Kur Holbrooke u ul krah për krah me Abazin para mediave që shkrepen fotografitë e  tyre për brezat e ardhshme, kjo sinjalizoi një pikë kthese në Luftën e Kosovës, pasi SHBA e pranoi UÇK-në, jo si një organizatë “terroriste“, por si një lojtar me një kauzë e drejtë me të cilën Uashingtoni ishte i gatshëm të punonte.

Abazi duhet ta ketë përcjellë mesazhin në lidhje me shqetësimet e SHBA në lidhje me muxhahedinët, sepse edhe pse rreth 115 luftëtarë islamikë të njohur si Abu Bekir Sidik vepronin në Kosovë nga maji deri në qershor të vitit 1998, ky grup u shpërbë shpejt pas takimit të Junikut.

Në fund, siç ishte parashikuar nga Holbrooke, Millosheviq vazhdoi të kryente mizori të mëdha kundër shqiptarëve të Kosovës, duke zhvendosur midis 1.2 milionë dhe 1.45 milionë njerëz, gati 90 përqind të popullsisë dhe duke vrarë mbi 10.000 njerëz para se NATO të ndërhynte dhe të ndalonte gjenocidin. Albright gjithashtu përfundoi duke luajtur një rol të madh në inkurajimin e ndërhyrjes së NATO-s për të ndaluar mizoritë serbe në Kosovë. Në fund të vitit të kaluar, ajo tha se ishte një nga momentet më krenare në karrierën e saj dhe bëri shaka se statuja që Kosova ndërtoi për nder të saj “më bën të dukem më e gjatë”.

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Duke qenë besnike ndaj deklarimeve të Holbrooke të bëra në Junik, SHBA njohu sovranitetin e Kosovës dhe mbi 100 shtete e kanë ndjekur atë shembull. Edhe pse Kosova është teknikisht në paqe, konflikti vazhdon të ziejë duke pasur parasysh se Serbia së bashku me – më e rëndësishmja – Rusinë, Kinën dhe pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, nuk e njohin pavarësinë e saj. Dialogu Serbi-Kosovë do të jetë një prioritet kryesor për administratën Biden.

Sa i përket Abazit, pas luftës, ai hoqi dorë nga nofka e tij, Lum Haxhiu, dhe e dorëzoi uniformën dhe armën e tij në këmbim të rrobave civile dhe të një stilolapsi. Ai mban titullin e doktorit në Filozofi, dhe përveç poezisë, ai i kaloi disa vjet në politikë para se të bëhej ambasador i Kosovës në Australi, duke përfaqësuar me krenari vendin e tij deri në korrik të këtij viti. Për Abazin, Holbrooke, lythat e tij dhe krejt të tjerat, do të jetë gjithmonë një hero.

Dr. Leon Hartwell është ushtrues detyre i Drejtorit të Programit të Lidershipit Transatlantik në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).