‘SKENA UP’ Shkrinë Garën Kombëtare në Ndërkombëtare
Pas dymbëdhjetë vitesh organizimi, këtë vit posti i drejtorit të festivalit kaloi nga Arben Zharku te Hana Qena, e cila tha që gjatë organizimit sivjet nuk është lëvizë asgjë nga programi tradicional i festivalit, përveç që janë shtuar disa risi.
“Këtë vit është themeluar çmimi Vehap Shita, pastaj kemi edhe debatet të cilat do të mbahen në Prishtinë. Kemi vendosë që me çmimin Vehap Shita ta stimulojmë mendimin kritik te të rinjët, pasi që është vetë emri qe i shtyn këta të rinjë me tentu me u fokusu në kritikë me profesionale ndaj një shfaqje,” tha Qena për Gazetën Jeta në Kosovë.
Filmat këtë vit janë kryesisht të prodhuar nga regjisorë të brezit të viteve ’90, dhe trajtojnë me shumë tema sociale, që kanë të bëjnë me marëdhëniet familjare në mes prindërve dhe fëmijeve, tema për komunitetin LGBT, seksin etj.
Veton Firzi, sekretari i përgjithshëm nga Ministria e Kulturës, që është një nga sponsorët e festivalit, tha se e vetmja rrugë që gjenerata e re e artistëve kosovarë të bëhet imazhi kryesor i vendit në skenën ndërkombëtare, është mbështetja e kësaj gjenerate me të gjitha mundësitë.
“Një festival që sjell në Prishtinë prodhimet e fundit të filmit e teatrit nga vendet e ndryshme në botë, ju ofron studentëve kosovarë që të njihen me punën e kolegëve të tyre ndërkombëtarë,” tha Firzi.
Anëtarët e jurisë qe do t’i vlerësojnë filmat janë Natasha Lako, poete dhe noveliste nga Shqipëria, Harold Adapter, profesor zëvendësues për Divizionin e Shkrimeve në USC (University of Southern California) dhe regjisorja kosovare Kaltrina Krasniqi.
Ndërkaq garën teatrale do ta gjykojnë juria e përbërë nga Dirk Rademacher, autor, producent-menaxher dhe regjisor, aktori nga Romania, Katalin Jugravu dhe Fjolla Hoxha, dramaturge dhe kritike e teatrit dhe dramës.
Festivali do të organizojë edhe workshop-in “Declare Independence” të udhëhequr nga aktori rumun, Katalin Jugravu, në bashkëpunim me DJ nga Stokholmi i cili do të zhvillojë teatrin dhe vallëzimin me muzikë Techno .
Shfaqjet, filmat dhe manifestimet e tjera artistike do të mbahen ne Teatrin Oda, Teatrin Dodona dhe në qendrën Multimedia.
Koktejet dhe afterparty-t me këngëtarë dhe grupe te ndryshme, do të mbahen në MIQT Pub dhe Maroon Pub.
Festivali përfundon me 7 dhjetor.