Qeveria Gjurmon Lehtësitë

Qeveria po përpiqet të lehtësojë menaxhimin e buxhetit duke hedhur në treg letrat me vlerë nga janari i 2012’ës, për çka ka edhe mbështetjen e Thesarit të Shtetit të SHBA’së.

Letrat me vlerë janë instrumente financuare përmes të cilave Qeveria huazon para për të përmbushur nevojat buxhetore si dhe për realizimin e projekteve të ndryshme kapitale. Për shembull, në mungesë të parave të gatshme, ajo mund t’u japë këto letra (bonde) bankave dhe institucioneve tjera të cilave në shkëmbim ua kthen shumën plus interesin në kohën e paraparë.

Ndonëse në përgjithësi institucionet financiare preferojnë të hyjnë në biznes me shtetin, në rrafshin afatshkurtër ato mund të kenë për efekt zvogëlimin e parasë në qarkullim në vend.

Në fund të tetorit, Qeveria miratoi buxhetin për vitin 2012 pas një procesi të ndërlikuar të harmonizimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe ndërkohë institucionet e huaja thonë se vendi mund të ketë përpara “vite të shtrënguara”.

Qeveria duket se po përgatitet për t’u përballë me to. Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk e ka të zhvilluar tregun e letrave me vlerë. Me zhvillimin e këtij tregu, bankat, bizneset e korporatat e ndryshme financiare do të kenë mundësi që paratë e tyre t’i investojnë në letra me vlerë për një periudhë më të gjatë kohore.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave (MF) kanë treguar se krahas përgatitjes së bazës përkatëse ligjore është trajnuar edhe një staf në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).

Zëdhënësi Muharrem Shahini thotë se qeveria planifikon të fillojë lëshimin e letrave nga janari 2012. “Me emetimin e tyre, ndikimi më i madh do të arrihet në ngritjen e investimeve kapitale dhe zhvillimin e ekonomisë”.

Ai shton se lëshimi i këtyre mjeteve në treg do të krijojnë mundësi shumë të mira për investime. “Ky treg financiar, i cili bartë në vete dy komponentë, tregun vendor të letrave me vlerë dhe tregun e kapitalit, kërkon infrastrukturë ligjore, ngritje të kapaciteteve njerëzore dhe pajisje të
teknologjisë informative”. 

“Procesi është në përfundim e sipër nga Ministria e Financave dhe Banka e Qendrore e Kosovës, me asistencën teknike të Thesarit të SHBA’së”.

Besohet se përfshirja e Thesarit Amerikan, me përfaqësues të së cilit institucion Ministri Bedri Hamza kishte zhvilluar takime në shtator në Washington, ka të bëjë me vendosjen e sigurisë së këtyre letrave.

Përkundër kësaj, disa kanë frikën e keqpërdorimit të bondeve nga qeveritarët.

Ish-Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, e nënvizon atë. “Letrat me vlerë janë
instrumente të mira nëse nuk keqpërdoren, pasi që janë në pronësi vetëm të Qeverisë”.

Shatri insiston se Qeveria është vonuar të shfrytëzojë këtë polikë monetare.

Megjithatë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Lekë Musa, thotë se letrat me vlerë paraqesin një mundësi të re investimi. Sipas tij, Qeveritë në mbarë botën huazojnë para për të financuar buxhetin e tyre dhe për të realizuar projektet në infrastrukturë. “Një praktikë e tillë është e mirëpritur edhe në tregun kosovar”.

Nexhat Kryeziu, zëvendësguvernator në BQK, thotë se thotë se bankat komerciale do të mund të përfitonin për shkak se do të plasonin një pjesë të mjeteve likuide të pashfrytëzuara në
instrumente të borxhit të lëshuara nga Qeveria.

Ai shton se financimi i buxhetit ose projekteve kapitale mund të jetë më i lehtë dhe me kushte më të volitshme me anë të huazimit të brendshëm të parave se sa nëse kjo kërkohet nga institucionet komerciale jashtë vendit.

Lëshimi i këtyre letrave rregullohet me ligjin për Borxhet Publike, i cili është dekretuar në janar 2010.

Qeveria ka paraparë në tabelat buxhetore për vitin 2012 që pjesën e financimit të brendshëm prej 74 milionë eurosh ta mbulojë pikërisht përmes letrave të tilla me vlerë në të cilat ajo pret të investojë Trusti Pensional dhe ndonjë institucion tjetër i interesuar financiar.

Profesori i ekonomisë Avdullah Hoti thotë se emetimi i letrave ka mbetur opsion i vetëm i Qeverisë, për të mbuluar deficitin buxhetor. Sipas MF’së, ky deficit është rreth 170 milionë euro ose 3.5 për qind e GDP’së së vendit.

“Efektet ekonomike do të jenë negative nga një veprim i tillë, pasi do të tërhiqen mjete nga ekonomia si dhe do të ngarkohen taksapaguesit në të ardhmen për kthimin e borxhit dhe pagesën e interesit”, thotë Hoti për Gazetën JnK.

Ai thotë se edhe shfrytëzimi i mjeteve sikur fondi i privatizimit duhet të bëhet në bazë të një strategjie zhvillimore nacionale të aprovuar në Kuvendin e Kosovës.