Pse kaq shumë rusë deklarohen pro luftës në Ukrainë?

Në një klimë censurimi të kohës së luftës, shprehja e thjeshtë e një mendimi të paligjshëm fillon të ndihet si një veprim proteste.

Një muaj që kur Rusia pushtoi Ukrainën, sondazhet e opinionit publik kanë treguar një sërë mbështetjeje midis rusëve për atë që Vladimir Putin dhe media shtetërore e vendit e quajnë një operacion ushtarak special. Në një anketë, gjashtëdhjetë e pesë për qind e të anketuarve i miratuan veprimet e Rusisë në Ukrainë; në një tjetër, shifra ishte shtatëdhjetë e një. Por një gjë duket e qartë: lufta, të paktën siç u shit dhe iu tregua popullit rus, duket të jetë mjaft popullore. Edhe sondazhet e pavarura tregojnë miratim mbi pesëdhjetë për qind. Por çfarë do të thotë mbështetje publike në një shoqëri pa opozitë politike funksionale, një media të lirë të shkatërruar dhe një regjim represiv në pushtet?

“Nuk mendoj se mund të themi se, në përgjithësi, njerëzit në Rusi e duan këtë luftë – se u pëlqen ideja për pushtim”, tha Alexey Bessudnov, profesor i sociologjisë në Universitetin e Exeter. “Por unë mendoj se do të ishte po aq e rreme të thuash se krejt kjo vjen nga Kremlini, se ata thjesht po i shpikin këto shifra, se ato nuk pasqyrojnë realitetin”.

Njerëzit po mbështesin diçka, tha Bessudnov, por “ne duhet ta kujtojmë atë që njerëzit e kanë parasysh kur thonë se mbështesin atë që po ndodh në Ukrainë”.

Ai vuri në dukje se Qendra ruse e Hulumtimit të Opinionit Publik në pronësi shtetërore e përdori këtë shprehje në sondazhin e saj – “A e mbështesni vendimin e marrë që Rusia ta kryejë një operacion të posaçëm ushtarak në Ukrainë?”. “Së pari, ky vendim tashmë është marrë, që është një lloj aludimi pikërisht atje”, tha Bessudnov. “Dhe, së dyti, është një “operacion special”, jo një pushtim apo luftë”.

Në ditët e para të pushtimit, televizioni shtetëror u tha teleshikuesve se qëllimi i “operacionit ushtarak special” ishte mbrojtja e rusishtfolësve në Donbas, duke e përmendur pak bombardimin masiv të Kharkiv, rrethimin barbar të Mariupolit ose betejat jashtë Kievit. Ky mesazh u duk bindës, të paktën deri në një pikë. Sipas Projektit Athena, një kolektiv sociologësh dhe specialistë të IT-së që i kanë kryer sondazhet e tyre javët e fundit, tridhjetë e tetë përqind e të anketuarve që i shohin lajmet në televizion e kanë identifikuar qëllimin kryesor të ndërhyrjes si mbrojtje të popullsive të kuazi-republikave të mbështetura nga Rusia në Donetsk dhe Luhansk. Njëzet e një për qind e shikuesve televizivë nuk e dinin qëllimin e operacionit.

Kremlini me sa duket është në dijeni se një luftë e plotë me Ukrainën do të ishte një koncept i vështirë për t’iu shitur shumicës së rusëve. Edhe nëse ideja ka rrënjë perandorake, koncepti gjerësisht tingëllues i Ukrainës si një “komb vëllzëror” do të thotë se pakkush kënaqet duke parë e popullsinë e saj duke vuajtur në mënyrë aktive—prandaj, këmbëngulja e qeverisë për gjuhën e “operacionit special” dhe portretizimi i fushatës si një luftë jo kundër popullit ukrainas, por kundër forcave të largëta të NATO-s dhe kërcënimit të papërcaktuar të “nazizmit”.

Putini ka thënë vazhdimisht se njësitë ukrainase që luftojnë kundër forcave ruse nuk janë trupa të rregullta, por batalione neo-naziste. Televizioni shtetëror rus shpërthen nga mëngjesi deri në mbrëmje duke folur për një luftë pothuajse të shenjtë kundër fashizmit. “A e mbështesni një betejë kundër nazizmit?” – pyet Bessudnov. “Unë po, dhe vë bast se edhe ju. Vetëm ju dhe unë nuk mendojmë se pushtimi rus i Ukrainës ka të bëjë me një betejë me nazizmin – por shumë njerëz brenda Rusisë mendojnë se po”.

Deri në një masë, të dhënat ka të ngjarë ta pasqyrojnë një impuls, qoftë të lindur nga frika apo pasiviteti, për t’i përsëritur mesazhet e miratuara në vend që t’i artikuloni tuajat. “Anketat nuk tregojnë se çfarë mendojnë njerëzit, por çfarë janë të gatshëm të thonë, se si janë të përgatitur të paraqiten në publik”, thotë Denis Volkov, drejtori i Qendrës Levada, organizata kryesore e pavarur e sondazheve dhe hulumtimeve në Rusi. Edhe para luftës, Rusia nuk ishte lloji i vendit ku dashje pa dashur i ndani bindjet tuaja politike me të huajt. Kjo tendencë, e farkëtuar në periudhën sovjetike, u intensifikua vetëm në javët e fundit, me ligje të reja që e kriminalizonin “diskreditimin” e ushtrisë ruse, përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe përmendjen nëpër media se pushtimi rus i Ukrainës ishte luftë.

Porosia e synuar e shtetit nuk ka humbur në publik: fol për operacionin special me fjalë kyçe të miratuara paraprakisht, ose mos fol fare për të. Tatiana Mikhailova, profesoreshë dhe ekonomiste në Moskë, tregoi se si një sondazh nga një agjenci shtetërore e kishte arritur me telefon dhe tha se, nëse ajo merrte pjesë, numri i saj do të regjistrohej për “kontroll të cilësisë”. Siç tha ajo, “çdo person normal do ta mbyllte telefonin”. Në fillim të këtij muaji, Maxim Katz, politikan opozitar në Moskë, dhe një ekip studiuesish porositën një sondazh mbi qëndrimet e publikut rus ndaj luftës; Katz raportoi se, nga tridhjetë e një mijë njerëz që u thirrën, njëzet e nëntë mijë e katërqind e e mbyllën bisedën sapo dëgjuan temën.

Në mes të marsit, Aleksei Miniailo, ish-sipërmarrës social dhe politikan aktual opozitar, mbikëqyri një tjetër sondazh telefonik me synimin për t’i kapur efektet e frikës dhe propagandës në të dhënat e sondazhit. Ai më tha se, kur studiuesit e shtuan opsionin “Unë nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”, dymbëdhjetë për qind e të anketuarve zgjodhën këtë përgjigje – një numër që ai supozoi, duke pasur parasysh atmosferën, përbëhej pothuajse tërësisht nga ata që kundërshtuan luftën. Dhe kjo shifër erdhi nga ata që pranuan të merrnin pjesë; Miniailo dyshonte se sondazhet nuk po e kapnin shumicën e ndjenjës reale kundër luftës, pavarësisht nga madhësia e saj.

Edhe ata që pranuan t’u përgjigjen pyetjeve në sondazhin e Miniailo shfaqën një nivel të lartë frike dhe shqetësimi. Një burrë rreth të pesëdhjetave tha: “Tani është e ndaluar me ligj të përgjigjesh se çfarë mendon për këtë temë. Kështu që unë do të përmbahem.” Një burrë tjetër tha: “Natyrisht, unë do t’ju them se ky është një “operacion ushtarak special”. Çdo mendim tjetër rrezikon dënimin me ligj”. Një grua që jetonte në një qytet tha se ishte e shqetësuar se policia do të vinte dhe do ta arrestonte të nesërmen.

Hulumtimi e la Miniailon me pak besim në sondazhet rreth opinionit publik ndaj luftës. E vetmja gjë e vërtetë, tha ai, është se është e pamundur të thuhet diçka me shumë siguri për atë që rusët mendojnë në të vërtetë për të. “Të flasësh nëse të dhënat e sondazhit janë ulur me dhjetë apo edhe njëzet për qind e humbet plotësisht kuptimin”, më tha ai. “Ajo që unë mendoj se kemi mësuar është se numrat në lidhje me mbështetjen për luftën janë njëqind për qind jo të besueshme – ata nuk na thonë asgjë”.

Sondazhi për luftën, pra, është ndoshta një tregues më i mirë i gatishmërisë së një personi për të postuar përmbajtje kundër luftës ose për të marrë pjesë në një protestë sesa për atë që dikush mund të mendoj privatisht ose të diskutojë në shtëpi. Duke pasur parasysh se mospajtimi publik, ose mungesa e tij, ka rëndësi për aftësinë e Putinit për ta vazhduar luftën, për të mos e përmendur mbajtjen e pushtetit nga ana e tij, ky informacion gjithashtu është i rëndësishëm – është thjesht një pyetje tjetër sesa nëse rusët e mirëpresin pushtimin. “Mbështetja e marrë në sondazhe nuk është e thellë apo pasionante, ka pak përfshirje emocionale dhe sigurisht asnjë eufori”, thotë Volkov, nga Qendra Levada. “Është më shumë si tolerancë”.

Megjithatë Volkov shtoi se kjo tolerancë, sado pasive, ka të ngjarë të mbetet mjaft e qëndrueshme, madje e fortë. “Njerëzit nuk po i përgjigjen kaq shumë luftës, por, përkundrazi, po kërkojnë ta konfirmojnë një botëkuptim ne kundrejt tyre që ishte mbyllur në Rusi shumë kohë më parë”, më tha ai. “Rusia është në anën e së mirës dhe Perëndimi është kundër saj”. Gjatë një diskutimi në fokus grup që Qendra Levada e zhvilloi në fillim të këtij muaji, një grua tha se ajo mbështeti “operacionin special”, por pranoi se nëse merrte informacionin për këtë, të themi, nga BBC, ajo mund ta mendonte ndryshe. “Nëse do të shikoja kanale të ndryshme, ndoshta do të kisha një mendim tjetër, por nuk i shikoj ato”, tha ajo. Nuk është se ajo nuk e di se ka informacione alternative, por se ajo nuk e dëshiron atë, që vizioni i saj për botën të mos kërcënohet. “Nuk bëhet fjalë për ta rishqyrtuar këtë ngjarje, por gjithçka që keni menduar dhe kuptuar gjatë dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve të fundit”, më tha Volkov.

Në Rusinë e sotme, ekziston gjithashtu një ndjenjë tejet e madhe e mosbesimit në vetë mundësinë e vetëdijes qytetare: domethënë, një shkëputje dhe tjetërsim pothuajse total nga çështjet e politikës ose shqetësimit publik, manifestimi më ekstrem i të cilave është lufta. “Njerëzit janë mësuar të mos e fusin hundën në politikë, jo vetëm sepse është e rrezikshme apo e pamatur, por sepse është marrëzi – vetëm një budalla do të mendonte ta bënte një gjë të tillë”, thotë sociologu dhe filozofi, Greg Yudin. “Njerëzit po përpiqen ta mbrojnë botën e tyre, këtë hapësirë personale që ata e ndërtuan me shumë vështirësi, dhe tani duan ta mbrojnë atë – dhe atyre u është thënë shumë herë se çdo formë e veprimit kolektiv mund të jetë diçka që i mund t’i rrëzojë të gjitha”. Në një klimë censurimi dhe represioni të kohës së luftës, shprehja e thjeshtë e një mendimi të paligjshëm ose kritik fillon të ndihet si një veprim proteste; dmth, gjëja që duhet ta shmangë një person i arsyeshëm e me interesa personale.

Kjo ka rezultuart në një situatë më të rrezikshme nga të gjitha, frikësohet Yudin. “Shumica dërrmuese e rusëve nuk ndjejnë asnjë ndjenjë përgjegjësie politike”, tha ai. “Kjo do të thotë se shteti mund të bëjë absolutisht gjithçka dhe njerëzit nuk do ta mendojnë se ka të bëjë me ta”./The New Yorker

Përgatiti: Nuhi Shala