Nuk Lejohet të Kryejë Burgun në Kosovë

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me seli në Strasbourg, e ka hedhur poshtë si të papranueshme kërkesën e Igor Naskovicit, shtetas i Serbisë, i cili ka kërkuar që të dërgohet në Kosovë për të vuajtur dënimin me burg.

Naskovic (1982), është duke vuajtur dënimin për vrasje, në burgun e Nishit. Ai kishte kërkuar të vuajë dënimin në Kosovë, pasi familja e tij, jeton në një fshat afër Gjilanit, dhe nuk ka mundësi ta vizitojë atë rregullisht në Nish.

Pasi kërkesa e tij është refuzuar nga autoritetet serbe, Naskovic kishte hyrë disa herë në grevë urie, nga shtatori 2010, duke humbur deri në 14 kilogramë dhe rrezikuar seriozisht shëndetin.

Avokati i tij, Milan Jovanovic, ia ka dërguar kërkesën për ekstradim të klientit të tij institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Gjykatës së Strasbourgut.
 
Kërkesa është paraqitur në mars, ndërsa dhoma e gjykatësve, e kryesuar nga Françoise Tulken, e ka marrë vendimin në qershorin e sivjetmë.

Më 8 prill 2004, Gjykata e Qarkut në Gjilan të Kosovës, e kishte shpallur Naskovicin fajtor për një vrasje të kryer më 2003 dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me 18 vjet e 3 muaj burgim.

Ai kishte filluar të shlyejë dënimin e tij në Kosovë, por më 9 dhjetor 2004, me kërkesën e tij, u transferua në burgun e Mitrovicës së Sremit, në pajtim me Marrëveshjen lidhet ndërmjet Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më 2007, ai transferohet në Burgun e Nishit. Por, Naskovic parashtron sërish kërkesë që të transferohet në një burg në Kosovë.

Në gusht 2010, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, e hedh poshtë këtë kërkesë, duke vënë në dukje se ajo bazohej në arsye familjare dhe shëndetësore. Drejtoria bënte vërejtje se aplikanti ishte ankuar vetëm për dhimbje në këmbë, për çka i ishin dhënë në mënyrë të rregullt ilaçe të mjaftueshme. Së dyti, Burgu i Nishit kishte spitalin e tij të burgut dhe, nëse është e nevojshme, aplikanti mund të dërgohet në institucione të tjera mjekësore jashtë burgut. Së treti, Burgu i Nishit ishte burgu më të afërt në Kosovë, ku familja e aplikuesit jetonte (rreth 120 kilometra).

Në shkurt 2011, aplikanti paraqiti një kërkesë të re për t’u transferuar në Kosovë. Aty, ai shpjegonte se tërë familja e tij jetonte atje dhe ajo nuk mund të përballonte për ta vizituar atë rregullisht në Nish, por edhe shpenzonin më shumë për shërbimet postare për t’i dërguar pako. Naskovic ankohej, po ashtu, se cilësia e shërbimeve mjekësore të parashikuara në burgun e Nishit nuk ishin adekuate.

Sërish, në mars 2011, Drejtoria e hedh poshtë kërkesën për transferim, duke paraqitur arsyet e njëjta. Në refuzimin e kërkesës, gjithashtu thuhej se arsyet familjare nuk mund të jenë vendimtare në vlerësimin e një kërkesë transferimi, dhe rikujtonte se ankuesi ishte transferuar nga Kosova me kërkesën e vet.

Më pas, Naskovic  paraqet dy ankesa në Ministrinë e Drejtësisë, por pa përgjigje pozitive.
 
Më 20 shtator 2010, në atëkohë 28-vjeçari nis një grevë urie, duke kërkuar transferimin e tij në një burg në Kosovë.  Nga 5 tetori 2010, ai refuzon të marrë dhe ujë. Sipas fakteve të paraqitura para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, më 19 tetor 2010, aplikanti ndërpreu grevën. Por më 17 janar 2011, ai e nis sërish grevën e urisë, duke kërkuar transferimin e tij në Kosovë.

Në mars 2011, ai ankohet për probleme frymëmarrjeje dhe të funksionimit të veshkave, si dhe humbje peshe (më shumë se 14 kilogramë), dhe e ndërpret grevën.

Por pasi merr vendimin refuzues të Drejtorisë, më 29 mars 2011, Naskovic vendos të rifillojë grevën, duke refuzuar të marrë ushqim dhe ujë.

Pasi kishte humbur vetëdijen në disa raste, dhe kishte dhimbje në veshka, më 20 prill 2011, ai e njofton avokatin se ka rinisur të marrë ujë. Më 5 maj 2011, gjykata informohet se i burgosuri kishte ndërprerë grevën krejtësisht.

Në arsyetimin për hedhjen si të papranueshme të kërkesës, Gjykata thekson mes tjerash se aplikuesi është dashur t’i përdorë të gjitha mjetet juridike të përcaktuara nga sistemi ligjor kombëtar, duke supozuar se sistemi i brendshëm siguron mjete efektiv në lidhje me shkeljen e pretenduar për mungesë kujdesi të duhur shëndetësor në burg.

Kurse sa i përket ankesës së Naskovicit për kontakte me familjen,  Gjykata rikujton se Konventa për të Drejtat e Njeriut nuk iu jep të burgosurve të drejtën e zgjedhjes së vendit të tyre të paraburgimit, dhe se ndarja dhe distanca nga familja e dikujt janë pasoja të pashmangshme.