Mosaprovimi i buxhetit të Kosovës dhe konsekuencat

Ndikimi i zgjedhjeve në politiken fiskale është një nga temat më të studiuara në ekonominë politike dhe shkencat politike në shtetet e zhvilluara.

Pyetja kryesore teorike në këto shtete është nëse qeveritë në detyrë mund të kenë kohë të strukturojnë financat publike në mënyra që të përmirësojnë shanset e tyre për rizgjedhja, ndërsa pyetja kryesore empirike është nëse kjo ndodh në të vërtetë (shih Askoven dhe Lasen). Në rastin e Qeverive të deritanishme të Kosovës kjo gjë as që i ka shkuar në mend ndokujt. Përkundrazi, Qeveritë kanë qenë shkaktari kryesor për vonesa në krijimin e një sistemi të menaxhimit të mirë të financave publike dhe vonesave në zhvillimin normal të procedurës buxhetore.

Buxheti formon bazën ligjore të shpenzimeve qeveritare. Zhvillimi i rregullt i procedurës buxhetore konform me Ligjin mbi procedurën buxhetore, në botën bashkëkohore është treguesi më i mirë i konsolidimit institucional të shteteve. Procedura buxhetore paraqet një sistem të rregullave (formale dhe joformale) të cilat i mundësojnë pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe të kontrollit marrjen e vendimeve të parapara në mënyrë taksative të cilat janë të afatizuara dhe të ndara në disa faza procedurale. Fazat e procedurës buxhetore janë të parapara të zhvillohen në kohen e paraparë dhe nga institucionet e caktuara. Vonesat në një fazë reflektohen edhe në fazat tjera sipas efektit domino.

Në rastin e Kosovës, konform me Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, Qeveria i dorëzon Kuvendit draft-buxhetin e Republikë së Kosovës, së largu me 31 Tetor. Kuvendi i ka dy muaji kohë për ta shqyrtuar, plotësuar, ndryshuar dhe aprovuar përfundimisht së largu deri më 31 Dhjetor. Viti Buxhetor nënkupton fazën e ekzekutimit të buxhetit që në Kosovë përputhet me vitin kalendarik. Ministria e Financave monitoron në mënyrë të vazhdueshme zbatimin e buxhetit dhe i raporton Kuvendit çdo tre muaj. Këto raporte shqyrtohen nga Komisioni për Buxhet dhe Financave, por nuk kërkohet që të miratohen nga ana e Kuvendit.

Kosova ka hyrë në Janar të vitit 2020 pa buxhet për vitin buxhetor që nis me 1 janar. Madje, buxheti nuk është miratuar as nga qeveria e Kosovës e rrjedhimisht nuk është dërgura e diskutuar nga Kuvendi për shkak të vonesave në konstituimin e institucionet shtetërore, respektivisht moskonstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 6 Tetorit të vitit 2019.

Praktikat e deritnishme të aprovimit të vonuar të buxhetit vjetor dëmtojnë përpjekjet për të ndërtuar një sistem të mirë të menaxhimit të financave publike që do të arrihej përmes rishikimit të vazhdueshëm dhe përmirësimeve të praktikave ekzistuese.

Rreziku i minimit të reformave të rëndësishme në menaxhimin e mirë të financave publike është më i lartë në shtetet me kapacitete të ulëta institucionale, ku reforma të tilla janë ende në fillimet e tyre, siç është rasti i Kosovës.

Përfaqësuesit e partive që i kanë fituar zgjedhjet e 6 tetorit, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar se projeksionet e buxhetit për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve të bëra nga Qeveria në largim, do të rishikohen.

Qeveria e re sigurisht se do të propozoj ndryshimin e strukturës në kategori të ndryshme buxhetore. Për më tepër draftbuxheti sipas rregullit do të shqyrtohet për aprovim në Kuvend dhe kjo do merr kohë. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Në këto rrethana është e pasigurt se a do të arrin Kuvendi në “versionin më të mirë” të tejkalimit të kësaj situate të aprovoj buxhetin për vitin 2020 në ditët e fundit të Marsit.

Një buxhet i tillë i aprovuar me nguti nën presionin e kufizimit kohor, edhe me impenjimin maksimal të Qeverisë dhe Kuvendit të ri, do jetë e vështirë të jetë i planifikuar kujdesshëm në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës,

Kosova edhe në vitin 2019 pati hyrë pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Buxheti për vitin 2019 në vlerë prej 2.3 miliardë eurosh ishte miratuar në muajin shkurt. Kjo praktik e deritanishme e vonesave në zhvillimin e procedurës buxhetore jo në përputhje me afatet e parapara ligjore ka ndikime direkte në menaxhimin jo të mirë të financave publike si dhe keqpërdorimit të parasë publike.

Besueshmëria tek dizajnuesit e buxhetit mund të vihet në diskutim, nëse miratimi me vonesë i komponimeve të buxhetit ka probleme ekzistuese, siç janë dobësitë në parashikimin e të ardhurave dhe menaxhimin e transfereve.

Stimujt për të zëvendësuar vlerësimin e parave me mjete më të mira të planifikimit të rrjedhës së parave mund të minohen. Mbetet të shpresohet se probleme të tilla nuk do të vazhdojnë, në të kundërtën reformat e buxhetit siç janë Korniza Afatmesme e Shpenzimeve që inkurajojnë planifikimin sektorial të përmirësuar me integrimin më të madh të projekteve të financuara nga jashtë brenda procesit buxhetor të Qeverisë gjithashtu mund të rrezikohen.

Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të profesorve të së Drejtës Tatimore -Amsterdam.