Merr Tender pa Licencë

 

Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP ka kthyer në ri-vlerësim tenderin e komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë pasi që fituesi i tenderit, OJQ’ja “Qendra Kosovare për Strehim dhe Trajtim të Qenve Endacak”, QKSTQE nuk ishte e licencuar për këtë punë. 

E tërë kjo kishte ardhur pas një ankese të një kompanie tjetër që kishte marrë pjesë në tender, ambulanca veterinare “Spana” e cila në ankesën e saj kishte thënë se QKSTQE’ja nuk figuron në listën e kompanive të licencuara.

Kompania ankuese “Spana” kishte depozituar edhe listën të cilën e kishin marrë nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë, AUV ku fituesi i tenderit nuk gjindej në atë listë si kompani e licencuar për ushtrimin e këtij aktiviteti.

“QKSTQE” kishte ofruar çmimin më të lirë prej 47,250 euro ndërsa çmimi më i lartë ishte prej 199,500 euro. “Spana” kishte ofertuar me 95,850 euro.

Gjatë seancës dëgjimore në OSHP, përfaqësuesi i komunës së Prishtinës, si autoriteti kontraktues i këtij tenderi kishte deklaruar se kishin pranuar një shkresë nga AUV’ja se operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë (QKSTQE) i plotëson kushtet për pjesëmarrje në tender por në mungesë të legjislacionit nuk është pajisur me licencë adekuate.

Por, eksperti i prokurimit në shqyrtimin e këtij rasti, Agim Sheqiri përveç që thotë se komuna e Prishtinës kishte marrë një vendim të arsyeshëm pasi që AUV kishte deklaruar se në mungesë të legjislacionit fituesi nuk mund të pajisej me një licencë të tillë dhe se kjo letër kishte arsyetuar vendimin e Prishtinës.

Eksperti i njëjtë në shqyrtimin e tij pyet se me cilin legjislacion janë lëshuar licencat e mëhershme dhe cili legjislacion është në fuqi.

Sheqiri po ashtu thekson se QKSTQE’ja kishte kontratë me vet AUV’në për ushtrimin e një veprimtarie të tillë dhe ‘gjegjësisht i angazhuar për kryerjen e punëve të tilla’.   

Paneli i OSHP’së merr vendim për ri-vlerësim të tenderit duke thënë se OJQ “QKSTQE” kishte vënë në lajthitje komunën e Prishtinës se kinse vërtetimi i AUV mund të zëvendësonte licencën, një prej dokumenteve kryesore në dosjen e tenderit.

Komuna e Prishtinës pas shumë kritikave të marra nga adhuruesit e kafshëve për trajtimin e qenve endacakë, kishte vendosur vitin e kaluar për një metodë të re të trajtimit.

Ishte shoqata “Animal Friends of Kosovo” e cila kishte promovuar programin e trajtimit të qenve endacakë ku ata nuk do të vriteshin por do të sterilizoheshin dhe kastroheshin duke vënë në pah si metodë më e mirë për qentë sepse vetëm në këtë mënyrë do të bëhej pengimi i shtimit të pa kontrolluar.