Si Pritet të Sillet Turqia në Vlugun e Konfliktit Sirian

Kështu pati deklaruar në shtator të vitit të kaluar historiani turk Halil Inallxhëk, njeriu më i rryer dhe më me emër nga historianët e gjallë të Turqisë. Ky konkludim me peshë kur kihet parasysh personaliteti i tij, ishte dhe është ngacmues në një kohë kur tashmë tre vjet konfikti sirian nuk ka të ndalur dhe kur mu këto ditë po hyn në momente kritike pas kundërofensivës së ushtrisë besnike të Bashar Al-Assad ndaj Ushtrisë së Lirë Siriane/opozitës dhe rënies në duart e autoriteteve qendore të qytetit strategjik Kusejr, si dhe me gjasë njëkohësısht edhe të- lëvizjes së Perëndimit nga vendi.  

Konkludimi i Inallxhëk, është një fakt historik mbi politikën e jashtme turke, dhe tashmë janë bërë gati dy dekada, kur milie e rrethe intelektualësh kanë rrahur gjerë e gjatë pozicionin e vendit, qoftë në qarqe akademike, qoftë në rrethe tjera, se cilat janë alternativat e mundshme tjera të politikës së jashtme të vendit, pos aleancës me Perëndimin në NATO dhe kërkesës së pareshtur për anëtarësim në BE.

Zaten edhe një konvulsion i tillë në shoqërinë dhe kulturën e brendshme turke solli në pushtet para një dekade partinë momentale (AKP), respektivisht diskursin e ri në shkollën diplomatike turke: nga izolimi drejt hapjes.  

Sidoqoftë, ministri i jashtëm turk Ahmet Davutoglu si arkitekt kryesor i vetë diplomacisë në fjalë, do të pajtohej vetëm me konkludimin historik të historianit, por jo edhe me vlerësimin (gjeo)politik të  tij.

Kjo ngase Davutoglu në rend të parë ndasitë e tilla i konsideron si paradigma orientaliste e të tejkaluara të kohës së Detantës, si koncepte që pikërisht Turqinë e kanë bërë në teori dhe realitet ‘vend të çarë’ në vend së të jetë ‘vend qendër’, duke potencuar se rendi ndërkombëtar ka nevojë për politika të themeluara mbi humanitetin dhe vlerën e njeriut, duke theksuar po ashtu se në veçanti Lindja e Mesme ka vuajtur shumë nga ideologjitë e politikat moderne, në vend se t’i ofrojë botës shembuj vlerash, si djep historik i disa prej civilizimeve të mëdha, si dhe duke insistuar në përdorimin e asaj që në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si ‘soft power’.  

Natyrisht, përkundër ambicieve teorike për një rend më ideal ndërkombëtar, diplomacia turke ka edhe elemente të qarta realizmi e interesash të ngushta shtetërore, e ndër  to mbi të gjitha mbajtjen nën kontroll të kurdëve në Turqi edhe ashtu të pamikluar, a përfshirë në ndonjë tendencë që vlen të përmendet, por edhe kontrollmi i milicive lokale kurde në veri të Sirisë, deri në suaza margjinalizimi. Kjo si e para.

E dyta, narracioni i zhvillimeve të deritanishme dhe momentale përreth konfliktit sirian, përgënjeshtron Inallxhëkun (por edhe qasjen huntingtoniane) në pretendimin se në lojë përreth këtij konfikti qëndron Perendimi versus të tjerët.

Nëse elemente nga armiqësitë e kohës së Detantës, ndihen akoma në rendin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, janë pikërisht akterët e rinj që ka nënvizuar si fakt edhe vetë Inallaxhëk, njëra nga arsyet që bota e sotme të mos jetë  e kundrueshme mbi bazën e realiteteve të kohës së Detantës.  

Megjithë këto përpjekje për ridimensionimin e themeleve dhe kahjeve të politikës së jashtme, diplomacia turke nuk ka arritur të ketë ndikim të madh në eliminimin e bindjes dhe stereotipit ndërkombëtar mbi Turqinë si një vend hermafrodit. Në sytë e Iranit, Turqia vazhdon të jetë pararojë, e madje mashë e Perëndimit, dhe shtet që ua mbanë anën sunitëve në rajon.

Qëndrimin akuzues në fjalë si maksimë: ‘o me mua, o kundër meje’, Irani në veçanti e ka intensifikuar pas nisjes së konfliktit sirian, ani pse pikërisht Irani, ka luajtur dhe luan me kartën e sektarizmit në raportet ndërfqinjësore.  

Kjo mund të vërtetohet më së miri nga ngritja partikulare e zërit që Irani  bënte ndaj rrjedhave dhe zhvillimeve që i konsideronte si të padrejta në rajon. Nëse me të drejtë, ngrinte zërin mbi shtypjen e autoriteteve sunite mbi shiitët në Bahrejn, ose mbi çështjen e Palestinës, Irani i ka dhënë krahun pogromit të regjimit shekullar (!) të të Bashar Al-Assadit mbi popullatën civile në Siri.

Për Perëndimin në anën tjetër, dukeshin risi flirtimet rastësore të Turqisë me shtete jo-Perëndimore, siç ishte p.sh. ndërmjetësimi i negociimit të uraniumit në mes Iranit dhe Brazilit në vitin 2010.

Moskoordinimi i deritanishëm amerikano-turk konsiston(te) në tetë arsye kryesore: E para: SHBA-të nuk ishin për një lëvizje aq direkte që do të konsistonte në kohabitim me Turqinë e që injoron krejtësisht Rusinë, ani pse kundërshtare. Madje Obama e shihte si të rrezikshme një nismë të tillë. Prandaj edhe u provuan kanalet diplomatike, siç qe procesi i parezultat i Gjenevës.

E dyta: SHBA-të ishin kundër pozicionimit të pakusht të Turqisë përkrah opozıtarëve, përfshi Al-Nusran që SHBA-të e kanë cilësuar si zgjatim i Al-Qaidas, përkundër që tani u është imponuar mbështetja, pavarësisht fjalëve paraprake në adrese të kësaj organizate.

E treta: SHBA-të te Turqia e Izraeli akoma shihnin dy ish-partnerë strategjikë që kishin ngrirë marrëdhëniet në mes vete pas rastit të Mavi Marmarasë dhe vetos turke ndaj relacioneve të Izraelit me NATO-n, e që akoma për më shumë Izraeli nuk pozicionohej qartë kundër regjimit, por vetëm kundër ‘rënies së armëve në duar të islamistëve’ përkundër dy ndërhyrjeve inkursive brenda territorit sirian.

E katërta: SHBA-të vërenin mosgatishmërinë e Europës për involvim edhe pas predhave siriane të rëna në territorin turk dhe vendosjes së raketave ‘Patriot’.

E pesta: Vërehej po ashtu mosgatishmëria arabe për bashkëpunim direkt në ndërhyrje, përpos mbështetjes në të holla.

E gjashta: SHBA-të nuk e dëshironin Turqinë as ‘krye në vete’ në Siri (potencialisht) sepse as nuk e duan me rol prijetar (e potencialisht edhe si fituese të vetme të luftës) por aq më pak të katandisur në humbje.

E shtata: Orientimi i energjive të Turqisë veçse në konfliktin sirian ishte i kufizuar nga brenda, konkretisht nga ‘procesi i paqes’ me Partinë Punëtore Kurde, respektivisht me tërheqjen e pjesëtarëve të saj në Irakun verior si dhe nisjen e përnjëhershme të ngjarjeve të Gezi Parkut të pasuara nga protesta tjera.

E teta: Vetë Turqia nuk ishte/dhe nuk është për ndonjë ndërhyrje vetëm dypalëshe, por ka bërë dhe po bën thirrje për ndërhyrje të përbashkët të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Parashikimi se çfarë na presin konkretisht javët e ardhshme është shumë vështirë i mundshëm, përpos se pritet të luajnë gurët nga vendi.

Akoma mund të jetë e përjashtueshme ndërhyrja direkte nga jashtë, por furnizıimi shumë më i drejtpërdrejtë dhe shumë më masiv, i opozitës,  pritet të ndodhë – e pas kësaj edhe rritja e pritshmërive për fitore.

Në rastin më të keq mund të ndodhë përfundimi i luftës pa shkuarjen e Assadit, siç pati ndodhur gjatë luftës Irak-Iran (1980-1988) kur Perëndimi kot furnizoi Saddamin karshi Khomeneit.

Çelës në proces është Rusia respektivisht kthimi i syve të Putinit kah ndonjë interes më profitabil se Siria, e që vështirë të pritet të ndodhë, kundruall Iranit që është i zënë me zgjedhjet presidenciale.

Pikëreferenca e poziconit turk nuk pritet të ndryshojë: arsyeja e diplomacisë turke publikisht nuk do të jetë e bazuar mbi interesat ose real-politikën (anipse natyrisht janë fundamente në krejt rrjedhën që do të vijë), por viktimat dhe humbja e kredos morale e legjitime të Assadit për pushtetim të mëtejmë.

Zaten edhe shikuar me sytë e realizmit morgenthau-ian, potenca diplomatike turke karshi Sirise deri me tani, del fiasko. Pra ata që rendin ndërkombëtar  (krijesë njerëzish ndër histori) si dhe luften per fuqi, i shohin me të vlefshme sesa jeten e njeriut, atëherë – mbi këto kondita – diplomacia turke është në fiasko, sepse Turqia nuk ka gjasa karshi pesëshes: Siri-Rusi-Kinë-Iran-“Hezbollah”.

Gjithnjë mbi konditat e teorisë realiste, si fiasko mund të lexohet edhe paradigma e shpallur ‘zero probleme me fqinjët’ e Davutogllusë.

Kjo ngase u nxorr mësimi se të pasurit ‘zero probleme’ me fqinjët, nuk është një gjë e varur vetëm njëtrajtshmërisht nga njëra palë.  

Por për idealistët, që si pikë epicentrike kanë eksistencën e njeriut, qenien e tij dhe vlerën e tij mbi të gjitha, diplomacia e pafuqishme turke, është në anën e duhur të historisë, te rasti sirian.

Sepse është në anën e viktimës, siç ishte NATO-ja në Kosovë më 1999. Futja eventuale edhe e Izraelit e arabëve tjerë sunitë në lojë, përfshi edhe Jordaninë të aktivizuar në ditët e fundit, do ta bëjë edhe me të nxehtë arenën, e do të pamundësojë zërat se në fushë ka vetëm një Perëndim kundër Sirisë, kur kihen parasysh panatyrshmëritë e aleancave të krıjuara, përfshirë pështjellimet (gjeo)politike.

Autori është politikolog dhe vijues i studimeve postdiplomike në Universitetin e Stambollit në fushen e Historisë Politike.