Prof. Dr. Bardhyl Çaushi –Korifeu i arsimit juridik dhe avokues i Pavarësisë së Kosovës

Në kujtim të 84 vjetorit të lindjes.

S’do mend se është tejet vështirë që në pak rreshta të rindërtosh jetën dhe veprën  e një njeriu shumë të shquar  i cili i ka dhënë gjithçka  arsimit juridik universitar dhe  mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës gjatë jetës 63 vjeçare.

Së këndejmi,  edhe vet titulli i këtij shkrimi të fut në mundim të thellë për të përmbledhur  thuktë veprën madhore që një personalitet i përmasave emblematike ka lënë pas ndër dekada.

Ata që e kanë njohur profilin juridik  dhe kombëtar të  profesorit te nderuar, gjykoj se do e mbajnë në mend si një metafore të rrallë.

Kryeprotogonisti ynë erdhi në jetë më 15 gusht 1936  në Gjakovën martire me të cilën mburrej dhe krenohej  deri në epilogun e jetës. Ndërkaq, më 20 qershor të po atij viti, në Krumë të Hasit (Shqipëri), kishte ardhur në jetë akademiku patriot e kombëtar  Gazmend Zajmi, arkitekti i veprave monumentale  juridike e politike  të historisë më të re të Kosovës.

Jeta e gjeneratës së këtyre dy figurave të shtrenjta  intelektuale e kombëtare qe pleksur me shpresa e zhgënjime të kushtëzuara nga rrethanat që sillte me vete stuhia e kohës së shkuar.

Bardhyl Çaushi, përfundoi arsimin fillor në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prishtinë. Këtu mori një formim të shëndosh që t’i vijoi studimet për drejtësi ngase i kishte vënë vetes për detyrë.

Ndaj, djaloshi gjakovar ëndërrimtar vajti në Beograd ku u  regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në vitin akademik 1955/56. Sapo u regjistrua, çuditërisht, u transferua në Fakultetin e Drejtësisë të Shkupit. Dhe ketu, ne vitin 1959, i riu 23 vjeçar u pajis me diplomën  e juristit.

Në rrugëtimin të arsimit juridik nuk u ndal me kaq. Sërish kthehet në Fakultetin Juridik të Beogradit, por tani në studime pasuniversitare  dhe në shkurt të vitit 1978 mbron temën: “Përputhjet e së drejtës zakonore shqiptare me të drejtën romake”  e cila i solli titullin e magjistrit të shkencave juridike civile.

Këtë rrugëtim akademik e përmbylli në Fakultetin e Drejtësisë në Zagreb më 10 maj 1989 duke fituar doktoratën – gradën supreme të shkencave juridike civile.

Nëse i nënshtrohemi një realiteti të thjeshtë duke gërmuar dhe vështruar postimet e shkrimet  kushtuar Cv se profesorit të respektuar, përveçësia e tij qëndron në faktin se jo vetëm që mbaroi shkëlqyer të gjitha shkallët e asimimit por ai kishte edhe një  begraund akademik, gjyqësor dhe kombëtar: ishte pedagog universitar gjatë tri dekadave, ishte gjyqtar, përkatësisht kryegjyqtar gjatë një dekadë si dhe luftëtar i guximshëm i kauzës së popullit shqiptarë  të Kosovës për vetëvendosje, përkatësisht  për shtet të pavarur e sovran.

Talentin e tij prej juristi të sapodiplomuar, Bardhyl Çaushi e promovoi në cilësinë e gjyqtarit civilist gjatë dekadës së viteve 1959 – 1969.

Ç’është e vërteta, në aspektin profesional u sfidua në dy instanca juridike: në të parën – në Gjykatën komunale në Gjakovë gjatë viteve 1959 – 1965 dhe në instancën e dytë – në  Gjykatën e Qarkut në Pejë, viteve 1965 – 1967.

Kryepersonazhi ynë, mbuloi edhe pozitën e kryetarit të Gjykatës Komunale në Gjakovë gjatë periudhës kohore 1967- 1969.

Në fakt, që andej, nga viti 1970 kaloi në  Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës për t’mos iu nda jetës pedagogjike deri në fund të jetës, më 10 maj 1999.

Kalimthi të rikujtoj  se, Fakulteti juridik-ekonomik në Prishtinë fillimisht ishte themeluar sipas ligjit republikan të Serbisë në vitin 1961 dhe ishte pjesë e Universitetit të Beogradit. Mirëpo, nga viti 1970 kur themelohet Universiteti i Prishtinës ky Fakultet bëhet pjesë e tij. Sakaq, pas një viti (1971), ky Fakultet ndahet në dy njësi të veçanta: njera si – Fakulteti Juridik  dhe tjetra si – Fakulteti Ekonomik. 

Siç u theksua më sipër, nga viti akademik 1970/71 Bardhyl Çaushi  krijoi marrëdhënie të rregullt pune ë Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, në cilësinë e bashkëpunëtorit të lartë profesional për lëndën E drejta romake. Kësisoj, iu bashkangjit pishtareve shqiptarë të arsimit juridik universitar: Gazmend Zajmit, Zejnullah Gruda, Rifat Osmani, Esat Stavilecit, Ejup Statovcit, Faik Brestovcit, Ismet Salihut, Ragip Halilit, Ejup Sahitit, Hilmi Ismajli, Muhamed Mehmeti, Ramadan Vraniqi, Faruk Presheva, etj.

I përkushtuar me  pasion patetik, ligjëratat e profesorit  Bardhyl, përbënin ngjarje.

Kështu, për ta shpalosur lëndën  e  së drejtës romake: periodizimin, rregullimin shtetëror, burimet e së drejtës, strukturën shoqërore, të drejtën familjare, të drejtën reale, të drejtën trashëgimore dhe të drejtën e detyrimeve, profesori vullnetfortë shiqonte gjërësisht interesimin e studentëve që t’iu ndihmojë pa kursyer asgjë  që të njihen sa më mirë me bazat, nocionet dhe institutet kruciale juridike të lëndës që po e ligjëronte.

Së këndejmi, nuk më shqitet nga kujtesa momenti kur gjatë ligjëratave  në vitin akademik 1971/72,  profesori Bardhyl reflektonte energji pozitive, energji me të cilën rrënjoste njohuri juridike në mendjen e studentëve  të vitit   të parë. Fliste qartë e me zë të kumbueshëm. Kishte stil gjuhësor magjepsës dhe dëgjohej me ëndje. Prore ishte njerëzor e mbreslënës. Shquhej me paanësi dhe moral suprem pedagogjik. Nuk mbushej mllef e negativitet.

Duke përfytyruar me këto dhunti mahnitëse imazhin  elegant të këtij personaliteti të veçant, edhe  tani gati pas gjysemshekulli,  ende ruaj në kujtesë momentin kur në foltore të amfiteatrit të madh të juridikut vështrohej dhe dëgjohej i mrekulluar nga studentët  me të cilët ishte i afërt. Sikur i mëkonte të rinjtë me zemërgjërsinë dhe dashurinë e çiltër për mësimet e derivuara nga lënda institutet e së cilës edhe sot e kësaj ditë kanë rol vital në sistemet juridike të vendeve të ndryshme.

Shikuar tutje në retrospektivë, poashtu e kam fare të lehtë t’i evokoj edhe detajet e momentit kur pasi i  notonte me notën 10 (dhjetë)  njohuritë e studentëve të dalluar në provim, çdo herë ngritej në këmbë i ngazëllyer. Pas tij, sakaq edhe studenti.

Në shenjë kënaqësie për  përgatitjen e shkëlqyer të lëndës njerën dorë ia shtrinte  studentit, ndërsa me tjetrën dorë ia kthente prapa indeksin studentit të shkëlqyer.

Aktin “solemn”  të përgëzimit e bënte edhe më kuptimplotë urimi gojor me plot dashamirësi i profesorit të entuziazmuar kur në sallën e stërmbushur me student shprehej me gojën plot: “Urime koleg ! Urime ! Suksese në provime tjera. Të lumte !”

Vallë, mund të gjendej kompliment më i madh për një student-brucosh se sa kur ai komplimentohet botërishtë në fillet e studimeve të tij nga një profesor universitar me veshje elegante dhe  qendrim pedant dhe duke  dëgjuar se si flet me  aq dashuri e respekt ? E thënë troç: në këto çaste secili student do e dëshironte “pozicionin” e studentit të dalluar !

Por, përjetonin  apo jo ndonjë emocion të veçant  “studentet e dalluar”,  ndërsa qëndronin përkarshi  fizikusit te profesorit shtatëgjatë, fytyrëqeshur e mustaqezi   ? Për këto përjetime, studentët tjerë vetëm mund të hamendësonin. E në këtë amalgamë ndjenjash, për të ditur përnjëmend intimitetin e këtyre ndjenjave emotive të studentëve të dalluar, pra, për t’kuptuar emocionet e tyre në ato çaste “përballjeje sy me sy” me profesorin Bardhyl, duhet përjetuar “live” secili syresh veç e veç përmes botës së tyre shpirtërore, botës së brendshme.

Ndryshe, pas një dekade pune, nga  viti akademik 1980/81, ish-bashkëpunëtori  avancohet në profesor të së drejtës romake dhe vazhdon tutje karrierën pedagogjike duke  përgatitur juristë për: gjyqtarë, prokurorë, avokat, …

E posaçërishtë në rrethanat sfiduese përgjatë një dekade   (1989-1999), prof. Çaushi identifikohet si një personalitet i rrallë dhe autoritet i pacenueshëm i cili kontribuoi në mënyrë të veçantë në fushën e arsimit universitar.

Në fakt, viti 1991 ishte viti kur  pushteti serb suprimoi me dhunë mësimdhënien në gjuhën shqipe dhe pushoi me dhunë nga puna profesorët dhe zyrtarët tjerë shqiptarë që nga shkallët më të ulta të hierarkisë së institucioneve edukative arsimore deri në shkallë  universiteti.

Megjithatë, fal frymës dominante arsimdashëse e patriotike në Universitetin e Prishtinës,  e në këtë kontekst edhe në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë (hiq ca profesorë shqiptarë, fatkeqësisht !) ngjizen plane që t’mos ndërprehet procesi mësimor në gjuhën shqipe. Përkundrazi. Këto plane u tumirën sakaq masovikisht nga  profesorati universitar dhe komuniteti studentor.

Për rrjedhojë vazhdojë procesi mësimor pa shkëputje jashtë hapësirave zyrtare, pavarësishtë se ishte  kohë e turbulltë dhe pavarësisht se dinjiteti njerëzor i shqiptarëve  nëpërkëmbej  dhunshëm nga presioni dhe represioni sistematik e i egër i përfaqësuesëve të estabilishmentit serb .

Jetëgjatësia një dekadëshe (1989-1999) e këtij realiteti  skajshmërisht të rënduar, pra, imponoi mobilizimin dhe rezistencën imediate e titanike të kolegëve të profesorit Bardhyl dhe të studentëve të devotshëm të  juridikut.

Këtej, bëmat e kolegëve të profesorit të nderuar dhe të studentëve të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës gjatë harkut kohor prej një dekade, paraqesin një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë të shekullit XX.

Së këndejmi, mund të flasim për një traditë tipike patriotike (atdhetare) të profesorëve dhe studentëve shqiptarë të Universitetit te Prishtinës të asaj dekade kur mbaten ligjërata dhe provime  në kushte të ambienteve private (shtëpi, lokale, etj.) e në rrethana presionit, torturave e represaljeve të paparashikuara nga regjimi barbar serb.

Ndryshe, gjendja e përgjithshme ishte rënduar  dhe  kishte mbërthyer çdo qelizë të popullit shqiptarë sepse pushteti serb kishte rrënuar dhe pllakosur  çdo gjë shqiptare në çdo cep  gjithandej Kosovës.

Në këtë atmosferë  të katandisur,  spirala e dhunës së përditësuar ushtrohej në trajta nga më të rënda nga ana e milicisë serbe. Dhuna përfundonte lehtësishtë me arrestime të kundërligjshme, ndalime arbitrare dhe gjykime të padrejta të qytetarëve të pafajshëm, vetëm sepse ishin shqiptarë dhe se po luftonin për të drejtat e shkelura. Përfaqësuesëve nopran të pushtetit iu shërbenin pretekst “krimet” që për autorë kujdestarë po i mbanin shqiptarët, gjë që ishte totalisht e pavërtetë.

Vet përfaqësuesit e shtetit policor stisnin gënjeshtra e shpifje dhe ndaj “terroristëve  shqiptarë” ngrenin kurthe djallëzisht dhe tinëzisht  për t’i provokuar dhe përndjekur “për shkak të dyshimeve se janë pjesë e grupeve të armatosura kriminale për të kryer akte dhune dhe  terroriste … !”.

Ndonëse ishte shumë koshient për përmasat, rreziqet dhe pasojat e këtyre zhvillimeve tronditëse, megjithatë, profesori Bardhyl rrugëtonte prej vitesh nga Gjakova për në Prishtinë dhe i mbante ligjëratat rregullisht.

E gjendja e sigurisë përshkallëzohej sidomos nëpër postblloqet famëkeqe. Natyrisht, as në “shtëpitë shkolla”,  sidomos siguria fizike nuk dallohej aspak prej sigurisë fizike në ambiente publike përnga skenat rrënqethëse që pasqyronin violencën institucionale serbe  për të mbajtur të shtypur vullnetin arsimdashës të popullit shqiptarë. Edhe kthimi mbrapsht në Gjakovë prore kishte rreziqet e veta për jetën, trupin e shëndetin e profesorit Bardhyl. Me bashkëvendësit – kolegë e studentë me të cilët bënte udhëtimin ndërurban Gjakovë-Prishtinë-Gjakovë i përbashkonte fati i të qenit objekt potencial keqtrajtimesh dhe të kenë panikun nga kërcënimet e sulmet e forcave policore për ndonjë tragjedi që nga çasti në çast mund të eskalonte.

Megjithatë, në këtë situatë të rrëmujshme, profesorin Bardhyl nuk e përkulen as keqtrajtimet që ndodhnin e as paniku që përhapej. Për më tepër, që nga viti 1993, profesori Bardhyl zuri të bënte  edhe detyrën e avokatit bashk me vajzën tij, Teuten, në zyrën e tyre të përbashkët në Gjakovë.

Ndërkaq, nga një udhëtim në histori, mësojmë se përnga prurjet shkencore e profesionale, profesor Bardhyl Qaushi rezultoi të këtë qenë produktiv në shkallë modeste, do thoshim, nëse na lejohet ne për të vlerësuar këtë aspekt.

Ç’është e vërteta, mbështetur në gjurmimet tona, trashëgiminë e veprës intelektuale të profesorit të nderuar përbëjnë tre artikujt e publikuar në revistat shkencore, kulturore, juridike dhe shoqërore, shto këtu edhe dy punime: atë të magjistraturës dhe të  doktoratës.

Ndryshe, në kontekst të jetës intelektuale të prof. Bardhyl, pashmangshëm duhet përmendur një të dhënë  mjaft të dhëmbshme.

Kur piromanët serb i kishin vënë flakën shtëpisë së prof. Bardhyl, bashk me gjësende shtëpiake, fondin librar të bibliotekës së pasur dhe arkivin  familiar ishte kallur edhe ekzemplari i vetëm i dorëshkruar i tekstit universitar E drejta romake të cilin ende nuk kishte arritur ta përfundoi së shkruari profesori Barshyl.

Po të realizohej synimi i tij, botimi i këtij dorëshkrimi do të paraqiste të parën  vepër të këtijë lloji hartuar në gjuhën shqipe në Kosovë dhe natyrisht do ishte një kontribut i  çmuar për begatimin e krijimtarisë shkencore e profesionale të prof. Bardhyl – në njerën anë dhe të literaturës juridike në gjuhën shqipe – në tjetrën anë.

Prandaj, gjykoj se do ishte mrekulli që së paku shkrimet e botuara të profesorit Bardhyl të ribotohen që të mos lihen në harresë ! Fundja, prej tyre kanë çka të përfitojnë sidomos studiuesit e fushës së drejtësisë civile, por edhe  gjyqtarët, avokatët, studentë dhe opinioni lexues kureshtarë.

Ndërkaq, duke analizuar aspektin përmbajtësor  të këtyre publikimeve, padiskutueshëm se të njejtat dalin të denja.

Publikimet e tilla përmbajnë kritere të qarta dhe cilësi të veçanta akademike. Këto  paraqesin  pasuri mendore dhe gjurmë të pashlyeshme në kuadër të literaturës  juridike shqipe. Ç’është e vërteta, ndonëse të paktë në numër, megjithatë ato paraqesin vlera të spikatura mendimi intelektual, shkencor e profesional në piramidën e lartë të hierarkisë së vlerave të shkencës juridike kosovare, pse jo edhe përtej saj.

Së  këndejmi, pretendoj fuçishëm se është me interes për opinionin juridik që të ravijëzoj në mënyrë përmbledhëse detajet e këtyre shkrimeve në akord me karakterin e këtij punimi.

Shiquar historikisht, ka shumë të ngjarë se promovimi i parë i prof. Bardhyl Çaushi para opinionit lexues juridik ishte bërë në vitin 1970,  me artikullin: “Shkurorizimi për shkak të jetës së padurueshme të bashkëshortëve”,  publikuar në nr. 6 te revistës për çështje kulturore dhe shkencore “Përparimi”.

Autori këtu shpalos “një arsenal të tërë shkaqesh” që shkaktojnë shkurorizimin si pasojë e mosdurimit të ndërsjell të burrit dhe gruas.

Të shkëputur nga artikulli në fjalë, në vijim po e paraqesim këtë “arsenal shkaqesh” të specifikuara nga dora e vet autorit që sjellin shkurorizimin e bashkëshortëve martesor: “mënyra e edukimit dhe shkalla e arsimimit ndryshimet në pikëpamjet per jetën, martesën dhe familjen  ndryshimet e mëdha në vjet, impotenca seksuale, papajtueshmëria seksuale  mospërfillja reciproke ndryshimet në konstitucionin  psikofizik, xhelozia, bigamia,  fëmijtë nga martesa e mëparshme e bashkëshortëve mosmarrëveshjet me farefisin, jeta patriarkale në bashkësi të prapambetura familjare, mospasja e fëmijëve deflorimi para martesës, jeta e ndarë për shkak të shkuarjes, në shërbimin ushtarak, në shkollim në punë , ose për mjekim, kryerja e veprave penale, të dhënit  pas alkoolit, bixhozit ose veset e tjera, mosmarrëveshjet rreth zgjidhjes  së vendbanimit  ose të vendit  të punës, mosmarrëveshjet  rreth shkollimit ose zgjedhjes  së profesionit, kushtet e vështira të banimit, mjerimi material, lidhja e kurorës së marteses  në ndikimin e farefisit, etj.”.

Punimi tjetër: “Një vështrim historik – krahasues rreth çështjes së autonomisë së vullnetit dhe interpretimit të kontratave” është studim shkencor i publikuar në “Përmbledhje punimesh” 1961 – 1971, botim i  Fakultetit juridik-ekonomik, 1972,  Prishtinë, fq. 239-253,  i cili botim i dedikohej shënimit të dhjetëvjetorit të punës së këtij Fakulteti.

“Principi i autonomisë  së vullnetit i shkruar në Kartën e të drejtave të njeriut  dhe qytetarit si  dhe në Code civil u bë njëri na preokupimet më të mëdha shkencore të doktrinës së atëhershme juridike në tërë Francën e bile edhe anë e mbanë Eurpës borxheze”, citohet të ketë thënë artikullshkruesi Çaushi.

Në vijim, ai hodhi dritë në origjinën e autonomisë së vullnetit duke potencuar se kjo formë autonomie njihet sidomos në të drejtën romake.

Sipas vlerësimit të tij, autonomia e vullnetit  në Europën perëndimore  vlerësohej  si  shtytëse  e raporteve mall-para dhe se ndodhitë në shoqëri shpjegoheshin sipas autonomisë së vullnetit.

Autori  vëren se jo vetëm në legjislacionin juridik pozitiv por edhe në praktikën gjyqësore, autonomia e vullnetit përkufizohet në mënyra të ndryshme.

Siç lë të kuptohet ai, autonomia e vullnetit ishte në bazën e çdo kontrate ose ka dominuar tek marrëdhëniet kontraktuese. Për rrjedhojë, këto kontrata interpretoheshin sipas kriterit subjektiv për dallim nga legjislacionet ku implementohej kriteri objektiv.

Domethënia e dispozitave që i përmban kontrata vlerësohen varësisht nga rendi publik, zakonet e mira, nderi, morali afarist si dhe vlerat pozitive, saktësonte autori Çaushi.

Ai vë re dilemën që shpërfaqet në të  drejtën krahasuese përkitazi me atë se cili  quhet vullnet i vërtet: ai i brendshmi apo ai i shprehuri.

Nuk ekzistojne kode civile  të cilat përvetësojnë vetëm njerën apo vetëm tjetrën  teori, duke qenë se teoria e vullnetit dhe teoria e shprehjes bien ndesh njëra me tjetrën,  pretendon Çaushi.  Këto teori disa kode  kanë zgjedhur të jenë në mes tyre, t’i kombinojnë ato.

Sipas tij, te vullneti i shprehur me heshtje “palës tjetër  me këtë, as që i është dhënë mundësia të dij përafërsisht se çfarë  mendon dhe dëshiron pikërisht bashkëkontraktuesi i saj”. Madje-madje, autori  mendon se e drejta bashkëkohore, këtu nuk pranon  as maksimën latine: “Qui tacet consentire videtur” (“Kush hesht merret se pranon”).

Tutje, sipas autorit Çaushi, interpretimi i kontratave ndërlikohet p.sh. te kontratat mikste,  kontratat gjenerale, kontratat e veçanta, kontratat intuitu personae, kontratat abstrakte.

Prof. Çaushi nënvizonte se ka norma interpretuese tradicionale gjithandej sistemeve juridike në botë.

Problem i veçant është  interpretimi i dispozitave kontraktuese që përmbajnë ambiguitet, vëren ai.

Ky problem konsiston në interpretimin e dispozitave kontraktuese sipas zakoneve të ambientit ku është lidhur kontrata – në njërën anë dhe sipas përmbajtjes, natyrës së tyre, lëndës kontraktuese  dhe cilësive të   kontraktuesëve – në tjetrën anë, shprehet autori Çaushi.

Pasi pohon pavarësinë dhe lirinë gjyqësore gjatë hulumtimit të vullnetit real të palëve, autori Çaushi sqaron se këto nuk varen nga normat dogmatike dhe formale të interpretimit. Pikërisht për këtë arsye kjo pikëpamje  kontribuuon në “ruajtjen e raporteve ekuivalente të prestimeve  reciproke, stabilizimin e moralit afarist dhe përforcimin e besimit të kontrahentëve ndaj njëri tjetrit”, thot në rreshtat e fundit të artikullit autori Çaushi.

Artikulli “E drejta e parablerjes sipas të drejtës zakonore shqiptare”, është botuar në revistën për çështje juridike shoqërore  ”E drejta – Pravo”, nr. 1/78, fq. 83-94, botim i Institutit të Kërkimeve Juridike dhe Shoqërore të Fakultetit Juridik  të Universitetit të Prishtinës dhe Shoqatës së Juristëve të Kosovës.

Këtu, autori gjen se e drejta zakonore shqiptare njeh të drejtën e parablerjes vetëm mbi sendet e paluajtshme. Pretenduesi i kësaj të drejtë, sipas autorit Çaushi, duhej t’i atribuuohej ndonjerës prej këtyre versioneve: të drejtës sipas farefisnisë  (jure parentelae) ose të drejtës sipas  bashkëpronësisë (jure condominii) ose së fundmi, të drejtës së fqinjësisë (jure contiguitatis).

Ndonëse e drejta zakonore shqiptare në përgjithësi, pranon të drejtën e parablerjes mbi sendet e paluajtshme, autori vëren se, megjithatë, në veçanti, Kanuni i Lekë Dukagjinit  nuk përmban këtë institut juridik ! .

Por, prapëseprapë  “brendia e këtij nocioni juridik rregullohet me të  gjitha modalitetet e veta në tërësi me paragrafet 464-472”  të Kanunit të Lekë Dukagjinit, shpjegon ai.

Këtë tezë e mbështetë në paragrafin 465 të këtij Kodi. Sipas këtij paragrafi, thot autori, fqiu mund ta blej tokën e fqiut  kur atë nuk e blen farefisi, vëllazëria apo fisi i shitësit. Ndërkaq, në situatën kur askush nga fshatarët e atij fshati nuk e blen, blerës mund të jetë çdokush, transmetonte autori Çaushi citatin e Gjecovit i cili i referohet par. 467 të Kanunit të Lek Dukagjinit.

Ndryshe, autori Çaushi pretendon se, ashtu siç është  i disenjuar paragrafi 468 i këtij Kanuni, bëhet fjalë për shitblerjen  “kundër ligjore”. Për rrjedhojë,  shitblerja duhet  të shfuqizohej, ndërkaq çështja  do të zgjidhej me rivendosjen e gjendjes së mëparshme.

Për të qenë parablerja  juridikisht valide, Kanuni i Skënderbeut parashikonte  detyrimin e pranisë jo vetëm të palëve kontraktues, por edhe të “farefisit, e vëllazërisë  e fisit  e fqinjëve si dhe e vetë pjesëtarëve të fshatit përkatës të shitësit”, pohonte autori Çaushi.

Sipas hipotezës së tij, e drejta e kontraktuar e parablerjes,  bazohet në një marrëveshje paraprake kontraktuese. Në fakt, bazohet në dakordimin e vullnetit të palëve kontraktuese, të farefisit dhe të dëshmitarëve që bëhej në formë solemne. Në të kundërtën, sipas tij, kontrata cilësohej në dy forma alternative: e para – inekzistente ose, e dyta – absolutisht nul.

Ndërkaq, e drejta e kontraktuar e riblerjes në favor të shitësit  në të drejtën zakonore shqiptare nuk ka rregulla të veçanta, tërhjek vërejtjen autori Çaushi.

Ai konstaton se kjo shitblerje  është shfaqur praktikisht  ndër fshatarët shqiptarë në disa situata: në rast rreziku të jetës së tyre, në rast të shmangies nga gjakmarrje,  apo në situata  të hakmarrjes.

Në situata të tilla, brenda  afatit të caktuar kohor, shitësi mund ta  shkëputte  kontratën e shitblerjes dhe të rimerrte sendin prapa, ndërkohë që blerësi  detyrohej  t’a kthente çmimin e sendit, sqaron autori Çaushi.

Sipas tij, gjatë vendosjes për këto çështje te sendet e paluajtshme,“pleqnarët gjykues”  respektonin pajtimin e vullneteve të palëve kontraktuese si dhe formën  e kontraktimit.

Dhe, duke vazhduar së rrëmuari në bibliotekën time për të gjetur edhe diçka rreth krijimtarisë shkencore e profesionale të Bardhyl Çaushit më ra në dorë diskutimi nga Kuvendi i parë mbi ilirët, mbajtur në Tiranë prej 15-20 shtator 1972.

Këtë diskutim, nën titullin: “Besa-një ndër mbështetjet e vazhdimësisë iliro-shqiptare”, e kishte publikuar Fakulteti Juridik në Prishtinë në “Përmbledhje punimesh”,  botim i II, viti 1974, prej  fq. 233-237.

Diskutuesi,  ishte fokusuar rreth  asaj që, sipas opinionit të tij, “e tërë bota e qytetëruar e quan besa shqiptare”.

Më kujtohet si sot se gjatë ligjëratave nga e drejta romake, profesori Bardhyl sikur parapëlqente që në kuadër të leksioneve të  caktuara “duke dalur përtej temës që po ligjëronte ”, të tërhiqte paralele mes nocioneve, instituteve  apo kategorive të caktuara të së drejtës romake dhe besës shqiptare (dhënia e besës,  shkelja e besës, zgjatja e besës, vrasja në besë, etj.) për t’i identifikuar ngjashmëritë dhe divergjencat mes tyre.

Ndryshe, në hyrje të diskutimit, panelisti këtë “besë” e pagëzoi me  togfjalëshin emror “fenomen të lashtësisë sonë iliro-shqiptare”.

Ajo që më ra në sy në mënyrë imediate ishte fakti se prof. Bardhyl  gjakonte që besën ta kundroi si “vlerë etike të kulturës sonë autoktone shpirtërore”  dhe impaktin e saj  “në marrëdhëniet juridike e të tjera”.

Duke bërë  fjalë rreth gjenezës së besës, folësi kishte thënë se  besa  është rrjedhojë  e kushteve dhe rrethanave historike ndër shekuj nëpër të cilat kalojë popullata ilire dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët.

Pastaj kishte zënë n’gojë një gamë luftërash ilire: luftërat ilire kundër grekëve, kundër maqedonëve, kundër barbarëve, kundër sllavëve dhe, fare në fund kundër otomanëve.

Me qenë se “nuk arritën të mposhtin frymën dhe shpirtin luftarak të tyre”, ky popull as nuk u zhduk e as nuk u asimilua, por i rezistoi secilit pushtues, shprehej prononcuesi Çaushi.

“Elementi iliro-shqiptar qëndroi, përpos tjerash, përherë i lidhur mes vedit me fjalën e dhënë, me fjalën  e tyre  më se të shenjtë, për të cilën  edhe vdisnin në çdo rast, kur e kërkonte nevoja”, kishte pohuar gojëtari Çaushi. Tutje, duke u angazhuar për dimensionet dhe forcën morale të besës, kishte pretenduar se  besa  bëhet “nyje e fortë kohezioni të brendshëm  jo vetëm në jetën brendafisnore, por edhe në raportet ndërfisnore, më vonë edhe midis shteteve më të hershme ilire, gjë që vazhdoi edhe në mes të principatave shqiptare të mesjetës.”

Ndryshe, besa iliro-shqiptare historikisht u përball me shumë faktorë, por arriti  të  ruaj kontinuitetin e vet, kishte theksuar prof. Çaushi.

Besa, gjatë raporteve juridike  tek ilirët, përkatësisht tek  shqiptarët  ishte më  e fortë se format më rigoroze të punëve  juridike romake. Ishte më e fortë se sa punët bona fides në Romë. Mosrespektimi i besës kishte pasoja më të rënda se  infamia romake, sipas   prof. Çaushi.

Besa shqiptare, shprehet ai kah fundi i diskutimit, është në epiqendër të së drejtës zakonore shqiptare duke u sanksionuar me ca kanune: Kanunin e Lek Dukagjinit, Kanunin e Skënderbeut,  Shartin e Idriz Sullit, Kanunin e Musë Ballgjinit, etj.

Përndryshe, “besa vehet në shërbim të mbrojtjes së rregullave të reja zakonore”, shprehej oratori Çaushi. Vlera morale (etike) e besës  reflektohet edhe në respektimin e mikut dhe pajtimin e hasmërive (gjaqeve), thot në  përmbyllje të diskutimit të tij.

Për të shpalosur vetëm thelbin e diskutimit gojor të prof. Bardhyl, u krodha në leximin e  versionit të shkruar të diskursit të tij me ç’rast ndjeja kënaqësi vërtet intelektuale.

Është për t’u përmendur angazhimi i profesorit Bardhyl edhe si përkthyes.

Duke iu referuar të dhënave të disponuara, Bardhyl Çaushi ishte shqipëruesi i parë i tekstit universitar nga serbo-kroatishtja për studentët e juridikut në Prishtinë. Teksti i titulluar: “Sistemi ekonomik i Jugosllavisë” (Gjorgje Mileviç) ishte botuar i shqipëruar në vitin 1965. Ndërsa, më vonë shqipëroi edhe tekstin e dytë: “E drejta romake” (dr. Ivo Puhan) që u botua në vitin 1971.

Me qenë se ishin vite të vështira për studentë shqiptarë të drejtësisë në Prishtinë  dhe ndihej shumë mungesa e librave në gjuhën shqipe, pas Bardhyl Çaushit u vunë në lëvizje edhe disa pedagog tjerë të stafit akademik të drejtësisë duke iu ofruar studentëve shqiptarë tekste universitare të shqipëruara me çka i ndihmuan ata jashtëzakonisht shumë për  sigurimin e literaturës juridike në gjuhën shqipe. Pikërisht për këtë arsye meritojnë të përmenden këta ndihmëtarë pasionant: docent mr. Ismet Salihu (“E drejta penale”, 1971),  mr. asistent Ragip Halili (“Kriminologjia”, 1971) dhe mësimdhënësi Faruk Presheva (“Hyrje në të drejtën  civile”, 1971). Më vonë kanë pasuar përkthime të tjera të teksteve juridike universitare.

Kryeprotogonisti ynë dha kontribut të vyer në mënyrë të përsëritur edhe për avokimin e çështjes së Kosovës, çështjen për të cilën, pushteti serb kishte hartuar historikisht një sërë programesh, përkatësisht elaboratesh famëkeqe, sikundër janë: “Naçertanija” e Ilija Garashaninit e vitit 1844 ; në vitin 1939 u botuan dy:  Elaborati i Klubit Kulturor Serb dhe Elaborati i Ivo Andriqit; Elaborati i Dyte i Vaso Çubrilloviqit, i njohur me titullin: “Problemi i minoriteteve në Jugosllavinë e Re” e vitit 1944; Memorandumi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë e vitit 1986 u botua dhe Programi jugosllav  i vitit 1990.

Vështruar nga prizmi i historisë politike kosovare, kontributi fillestar i Bardhyl Çaushit, daton nga viti 1968 dhe i atribuuohet amandamenteve kushtetuese të Kushtetutës jugosllave të vitit 1963.

Në këtë kohë, Bardhyl Çaushi i bashkangjitej intelektualeve te mirenjohur: prof. dr. Fehmi Aganit, prof. dr. Gazmend Zajmit, prof. dr. Dervish Rozhajes, prof. dr. Ali Hadrit, prof. dr. Esat Stavilecit, Rezak Shalës dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë.

Në fakt, prof. Bardhyl Çaushi, gjatë viteve 1968 -1973 nëpër debate shkencore , tubime shkencore dhe simpoziume shkencore kishte artikuluar kërkesa konkrete politike për avancimin e statusit kushtetues të “Krahinës autonome të Kosovës e Metohisë”  të parashikuar me Statutin e saj (1963) dhe të Kushtetutës së Jugosllavisë (1963).

Ç’është e vërteta, prof. Bardhyl Çaushi, angazhohej për zgjërimin e funksionit legjislativ të Kosovës dhe forcimin e pozitës kushtetuese juridike të saj në federatën jugosllave. Mëtonte që Kosova të cilësohet si element konstituiv i kësaj  federate. Pas përpjekjeve të gjata e të mundimshme të intelektualëve shqiptarë dhe jo vetem,  Kushtetuta jugosllave e vitit 1974 sanksionoi Kosovën si element apo pjesë konstituive   të Federatës  me çka krahinat autonome  u bënë bartëse  burimore të autorizimeve, ndërsa  federata ishte në funksion të  elementeve struktural të saj.  Po ashtu, në vitin 1974 Kosova u bë me  Kushtetutën e saj dhe në esencë  kishte pozitë të ngjashme me republikat federative, por megjithatë, nuk ishte e barabartë me to.

Prandaj, prof. Bardhyl Çaushi insistonte se pozicionimi kushtetues i Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë – nuk përkonte me vullnetin e vërtet të popullit shumicë shqiptarë.

Mirëpo, në Kosovë çdo gjë u kthye mbrapshtë me aneksimin e fundit të Kosovës nga Serbia në vitin 1989 (1912,  1918, 1945), me ç’rast u shemb pozita kushtetuese juridike e saj.

Në fakt, shqiptarët u zhveshën nga çdo lloj pushteti, iu  pamundësua çdo lloj vendimmarrje  apo influence për vendimmarrje kudo qoftë  në Kosovë.

Ky rrënim filloi së realizuari juridikisht nga ana e pushtetit  serb kur solli korpusin e akteve juridike të cilat shpërfaqnin hapur elemente diskriminuese dhe gjenocidiale:  amandamentet 9-49 në Kushtetutën e Serbisë, datë 28 mars 1989; Ligjin mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta, date 26 qershor 1990;  Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës dhe të Këshillit Ekzekutiv të tij, datë 5 korrik 1990; Ligjin mbi marrëdhëniet e punës në rrethana të veçanta, datë 26 korrik 1990; Ligji mbi ndërprerjen e punës së Kryesisë së Kosovës, datë 18 mars 1991; Vendimet mbi shkarkimin e anëtarit të Kryesisë së Jugosllavisë nga Kosova (Riza Sapunxhiu) dhe zgjedhjen e anëtarit tjetër të Kryesisë së Jugosllavisë  nga Kosova (Sejdo Bajramoviq), datë 18 mars 1991 dhe    Kushtetutën e Serbisë, datë 27 shtator 1990 me të cilën kulmojnë  kokëfortësisht atributet e diskriminimit dhe të gjenocidit të regjimit serb të kohës.

Megjithë kuadrin e këtillë ligjor, rrënimi i autonomisë së Kosovës nuk u bë vetëm në kuptimin juridik. Ky rrënim u sigurua me implementimin praktik të tyre nga ana e autoriteteve serbe në shoqerinë kosovare.

Ç’është e vërteta,  me që nuk u dha pëlqimi  në amandamentet  e Kushtetutës serbe më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990 me Deklaratën kushtetuese për Kosoven njësi e pavarur dhe e barabartë me njësitë tjera në  federatën-konfederatën jugosllave anuloi vendimin e vet paraprak nga viti 1989 për dhënien e pëlqimit në ato amandamente.

Profesor Çaushi ishte një nga intelektualet zëmadh që kontribuoi në procesin e hartimit të Deklaratës kushtetuese të Kosovës të 2 korrikut 1990 si njësi  e mëvetësishme dhe  e barabartë me njësitë tjera në federatën-konfederatën jugosllave.

Pa u shërbye me fraza e parulla, edhe prof. Çaushi pretendonte se kjo Deklaratë  nuk bie ndesh me asnjë normë të Kushtetutës jugosllave të vitit 1974.

E cilësuar si akt politik, legal e i ligjshëm, kjo Deklaratë  shprehte vetëvendosjen dhe demokracinë; barazinë dhe barabarësinë  me republikat tjera jugosllave; përcaktonte se, duke qenë shumicë në Kosovë, populli shqiptarë është komb: nuk është as “kombësi” as “pakicë kombëtare”. Megjithatë, kjo Deklaratë u anulua përfundimisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë, që ishte plotësisht  e ndikuar nga Serbia.

Prof. dr. Bardhyl Çaushi u angazhua  për  këto përcaktime edhe gjatë  hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, miratuar dhe shpallur më 7 shtator 1990 nga përfaqësuesit ligjitim të  populllit shumicë të Kosovës.

Me këtë Kushtetutë Kosova deklarohej  për pavarësi dhe barazi me njësitë e tjera në rendin federativ apo kofederativ të Jugosllavisë.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të  Serbisë, datë 7 shkurt 1991, me  të cilin refuzohej propozimi për konstatimin e jokushtetushmërisë së Ligjit për veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta dhe hedhej poshtë kërkesa për vlerësimin e kundërshtisë së ligjit  të kontestuar  me ligjet  federative, u sfidua Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë.

Kështu, prof. dr. Bardhyl Çaushi, në cilësinë e  Kryetarit të Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, gjatë dëshmisë së vet në seancën gjyqësore, mbajtur më 30 maj 1991 propozoi që kjo Gjykatë të konstatojë se ligji republikan është jokushtetues dhe i njejti të hiqet.

Sipas pretendimeve të tij, ligji i kontestuar është “antikushtetues  i cili jo vetëm që injoron rëndë aktet më të larta të nivelit federativ por edhe ato të karakterit republikan … jokushtetueshmëria e tij e qartë ka të bëj si me pjesën e tij materiale juridike ashtu edhe me atë procedurale juridike”.

Prof. dr. Bardhyl Çaushi, jokushtetushmërinë materiale e kishte shpjeguar duke u shprehur fiks me këto fjalë: “Serbia i jep vetës të drejtë që pa vrarë mendjen për rregullativën kushtetuese federative nëpër dyer të vogla anësore të fut gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shpall ekzistimin e rrethanave të jashtëzakonshme në pjesën e territorit të Serbisë, duke u shmangur me këtë rast që të thot qartë se fjala është për Kosovën si njërën nga njësitë federale, pozita e së cilës, të drejtat dhe detyrat e saj janë të përcaktuara në mënyrë të prerë me Kushtetutën ende në fuqi te RSFJ, të vitit 1974.”

Dëshmitari Çaushi me këtë rast, kishte sjell në vëmendjen e gjyqtarëve të dhënat vitale demografike e historike – se Kosova është “territor i banuar me popullatë shqiptare  mbi 90 %, si territor në të cilin shqiptarët jetojnë me shekuj dhe mijëvjeçar si popull autokton” . Kishte shtuar se masave të veçanta të pushtetit serb po iu nënshtrohen ndërmarrjet, univeristeti, shkollat, spitalet, madje edhe shkollat speciale e institucionet e kryqit të kuq. Mbase duhet shtuar se si pasojë e këtij Ligji në mbi 200 ndërmarrje dhe institucione shoqërore u vendosën masat e dhunshme, ndërsa udhëheqësit shqiptarë u zëvendësuan me ata serb e malazias.

Dëshmitari Bardhyl Çaushi në këtë séancë gjyqësore kishte thënë se Ligji mbi veprimin  e organeve republikane në rrethana të veçanta, datë 26 qershor 1990 është në kolizion edhe me ca ligje procedurale: penale, administrative dhe përmbarimore. Kishte  përmend edhe largimin masiv nga puna dhe delegimin e kompetencave republikane te organet e drejtësisë kosovare. Kalimthi të përmendim shifrën  enorme prej 53 mijë punëtorëve shqiptarë të larguar nga puna – jo se vet e lëshuan punën.

Ndërkaq, jokushtetushmëri procedurale, prof. Çaushi,  kishte quajtur mungesën e pëlqimit paraprak të Kuvendit të Kosovës për nxjerrjen e ligjit të tillë republikan !

Tutje, me forcën e argumenteve kishte faktuar                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                           se ky ligj kishte një kosto për dëmtimin e pozitës  kushtetuese të Kosovës, të ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, shkencës, kulturës dhe mediat e saj.

Përkrah prof. Bardhyl dëshmitarë tjerë të kësaj séance gjyqësore ishin:  prof. dr. Esat Stavileci, Shaban Kajtazi, Nike Lumezi, Tadej Rodici, Gani Tigani, Musa Juniku e  Avni Kepuska.

Shqetësimi i këtyre intelektualëve ishte gjetja e zgjidhjes së drejtë të çështjes së  Kosovës dhe të popullit të saj shqiptarë në kushte e rrethana të rënda politike, juridike, arsimore, ekonomike, sociale, kur nuk kishte shpresa për zgjidhjeje të shpejtë, por kishte ankth për pritje të gjatë.

Ndryshe, prof. dr. Bardhyl Çaushi iu bashkangjit nismes së të rinjëve për aksionin dhe lëvizjen për pajtimin e gjaqeve të cilën e udhëhoqën grupi i intelektualëve prirë nga prof. dr. Anton Çetta , prof. dr. Zekerija Cana, Latif Berisha, Muhamet Pirrakut, Mark Krasniqi, Mujë Rugovës, etj. me të cilët shumë shpejt u solidarizua tërë populli shqiptarë.

Gjatë tubimeve masive që u mbajtën gjithandej Kosovës,  prej 2 shkurt 1990 deri më 17 maj 1992, tash e 30 vjet me parë,  u panë rezultatet inkurajuese dhe praktike të familjeve të hasmuara. Duke u pajtuar me shtrirje dore hoqën dorë nga gjakmarrja me vrasje më shumë se 1500  familje te pasuara me heqje dore nga hakmarrja per shkak te plageve 1000 raste dhe 1000 për ngatërresa të ndryshme.

Për merita të tij të rralla, profesor Bardhyl Çaushi qe nderuar me: Medaljen e Artë të Pavarësisë, Medaljen e Artë,  Medaljen e Artë Presidenciale të Meritave dhe Mësues i Merituar.

Duke përfunduar këtë shkrim, duhet theksuar se 10 maji 1999, që i bie një muaj e gjysmë nga  dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, shënon ditën më të trishtë për profesorin Bardhyl, për  familjen, miqtë, kolegët, studentët e tij.

Atë ditë, kur i kishte 62 vjet, 8 muaj e 25 ditë jete, teksa  ishte në shoqëri të mikut të vet Bashkim Domit dhe po ecnin  duarthatë lagjës së Qabratit duke bashkëbiseduar se ku të gjenin  vendstrehim për të shpëtuar jetët, befasisht u ndeshen  ballë për ballë me grupin e forcave vrastare serbe të cilët nuk kursyen jetën e asnjerës viktimë.

Kështu, prof. Bardhyl nuk pati fatin që të kthehet i gjallë tek më të dashurit e tij, sikundër që nuk u kthyen të gjallë as qinda qytetarë tjerë të Gjakovës: dëshmorët e rënë, viktimat e pafajshme  civile, të komunë  së cilës piromanët e tërbuar serb ia kallën fshatrat, shtëpitë e banimit, objektet kulturore, objektet fetare, objektet shëndetësore,  shkollat, dëmtuan  infrastrukturën por nuk   lanë as pa zhvatur krejt çka mundën.

Çuditërisht, kjo ditë e kobshme, 10 maji i viti 1999, koincidon me 10 majin e vitit 1989 ditën kur prof. Bardhyl, dhjetë vite më parë,  kishte doktoruar për drejtësi duke arritur shkallën e fundit të ngritjes shkencore në fushën juridike.

Në shtator të vitit 2005, pra, gjashtë vite pas nga dita  fatale,  kur profesori i nderuar do i bënte më shumë se 71 vjet jete, përmes autoriteteve kompetente nga Batajnica famëkeqe  e Serbisë fashiste u kthyen mbetjet e mortore të trupit të profesorit Bardhyl. Ato u sollën  në vendlindjen e profesorit dhe u rivarrosën në Varrezat e dëshmorëve në Çabrat sikundër që u kthyen e u rivarrosen edhe mbetjet mortore të një numri të caktuar civilësh  që konsideroheshin të zhdukur nga bandat kriminele paraushtarake, ushtarake, parapolicore, policore dhe policia sekrete serbe.

Po të ishte gjallë, më 15 gusht 2020 profesori ynë do e festonte ditëlindjen e tij të 84-të.

Për sa u tha më sipër dhe për shumëçka që nuk u thanë këtu, kanë me se të ndihen përjetësisht  dhe shumë krenarë bashkeshortja Samile dhe fëmijtë: Teuta, Arbnorja, Kastrioti dhe Dritoni, nipat, mbesat, …

Por, s’do mend se figurën markante të profesorit dhe atdhetarit Bardhyl Çaushi  do e ruajnë  në kujtesëme pietet edhe kolegët, studentët, shokët dhe miqtë e tij  gjithandej Kosovës, si dhe jashtë saj.

Unë, njëri prej ish-qinda e mijëra studentëve të prof. Bardhyl, i falem me përulje kujtimit të këtij pedagogut të rrallë te drejtesisë dhe patriotit të flaktë.

Prehu  i qetë profesor. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës  !