Ilustrimi: Jetë Dobranja

Mediet e Kosovës nuk duhet ta injorojnë ndikimin e pandemisë në jetën e qytetarëve

Në krizën e pandemisë shoqëria jonë ka zgjedhur të vazhdoj debatin e lehtë, debatin politik të thashethemeve pa u thelluar në tema të rëndësishme të vendit.

Heqja e masave kufizuese të lëvizjes së qytetarëve dhe rihapja e veprimtarive ekonomike nuk na ka kthyer në gjendjen e njëjtë të para pandemisë. Jo të gjitha veprimtaritë ekonomike janë hapur përsëri dhe jo të gjitha veprimtaritë që janë hapur kanë kërkesën e njëjtë për ofrim të mallrave apo shërbimeve. Kjo ka ndikuar edhe në shkurtime të shumta të vendeve të punës. Ekonomistët paralajmërojnë se kjo mund të jetë një dekadë e humbur. Asnjë shtet nuk është sikurse që ka qenë para pandemisë. Dallimi është se në disa gjendja ka shkuar nga keq në më keq.

Në një studim të fundit të Institutit GAP, del se tregu i punës ka pësuar një tronditje të madhe. Të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë për ndryshime të mëdha para dhe pas pandemisë. Industria që punëson më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë – shënoi ulje drastike të punëtorëve. Përderisa në mars të vitit 2019 në këtë industri punonin rreth 80 mijë punonjës, në mars 2020 ky numër ra në rreth 43 mijë. Ulja e punëtorëve ndodhi edhe në industrinë e ndërtimtarisë, ku në periudhën e njëjtë krahasuese numri ka rënë prej 21 mijë në vetëm 10 mijë, si dhe në atë të industrisë përpunuese ku pati rënie prej rreth 34 mijë në rreth 22 mijë.

Edhe të dhënat nga Trusti Pensional konfirmojnë se ka pasur një ulje të konsiderueshme të kontribut-paguesve gjatë muajit prill të këtij viti. Në shumicën e komunave pati rënie prej 20% në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2019. Në anën tjetër, të dhënat nga Agjencia e Punësimit e Kosovës tregojnë për një rritje rekorde të numrit të të papunëve. Në pesë muajt e parë të këtij viti, numri i punëkërkuesve të rinj ka arritur në 72,473 persona. Vetëm gjatë majit janë regjistruar 35,081 punëkërkues të rinj, që i bie mesatarisht 1,600 punëkërkues çdo ditë janë regjistruar në entet e punësimit. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë në historinë e këtij institucioni.

Nëse shikohen më në detaje se kush janë këta punëkërkues, sfidat para nesh dalin të jenë edhe më mëdha. E para, numri i të papunëve të diplomuar është duke u rritur. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, tregut të punës i janë shtuar 2,594 punëkërkues me shkollim universitar (bachelor dhe master). Megjithatë vështirë se keni parë ndonjë debat televiziv ku politikëbërësit pyeten për shkaktarët e këtij fenomeni, për kualitetin e arsimit apo për (mos)përputhjen e arsimit me nevojat e tregut të punës. Për secilin problem që ka pasur Kosova para pandemisë duhet shtruar pyetjen se si ka ndikuar COVID-19 në shtresimin e atij problemi dhe mbi të gjitha çfarë duhet të bëhet në adresimin e tij. Nëse Kosova edhe para pandemisë ka prodhuar të diplomuar pa perspektivë, si do të jetë gjendja e tyre tani kur mundësitë janë më të kufizuara?

Problemi i dytë që të bie në sy nga të dhënat e punëkërkuesve të rinj, është se gati gjysma e tyre (33,705) janë gra. Dhe nëse kemi parasysh se shumica dërrmuese e punëkërkuesve me diploma janë gra, mund të themi se pandemia i ka prekur gratë më rëndë se burrat. Por, ndryshe nga burrat, rikthimi i grave në tregun e punës është më i vështirë marr parasysh nivelin tepër të lartë të jo-aktivitetit ekonomik të grave (78.8%), përfaqësimin shumë të ulët të tyre në pozita të larta udhëheqëse dhe barrierat e tjera të punësimit që ndërlidhen me gjuhën diskriminuese të konkurseve të punës e deri tek dominimi në masë të madhe i paneleve intervistuese nga burrat. Përsëri, nuk besoj të keni dëgjuar gjerë e gjatë të jetë debatuar në studiot televizive se si ka ndikuar pandemia në ambientin e të bërit biznes tek gratë, sa prej tyre kanë humbur vendet e punës apo cilat janë masat stimuluese të qeverisë që do të ndihmonin gratë ndërmarrëse t’i rikthehen tregut të punës?

Problemi i tretë që shpërfaqin të dhënat e papunësisë ka të bëjë me moshën e punëkërkuesve. Rreth 62% e punëkërkuesve janë të moshës 25-39 vjeç. Për koincidencë, 62% është edhe shkalla e kosovarëve që janë duke menduar të largohen nga vendi sipas barometrit ballkanik. E qytetarët e Kosovës edhe para pandemisë kishin një interesim të madh për të emigruar. Sipas Agjencisë Gjermane të Punësimit, gjithsej 204,638 kërkesa për viza pune ishin parashtruar gjatë viteve 2016-2018 nga shtetasit e Ballkanit Perëndimor. Një e treta e kërkesave kishin ardhur nga kosovarët. Andaj, nëse ne prinim për nga vullneti për ta lëshuar vendin para pandemisë, si do të jetë gjendja pas pandemisë? Edhe këtë pyetje vështirë ta keni dëgjuar të elaborohet në një debat dy orësh me politikëbërësit tanë. Sikurse që nuk besoj të keni dëgjuar një debat ku për orë të tëra gazetarë dhe ministra ta kenë shoshitur në detaje planin për rimëkëmbje ekonomike?

Kjo nuk nënkupton se mediet tona e kanë anashkaluar komplet krizën dhe pasojat socio-ekonomike të pandemisë. Në lajme, shkrime e debate gjithsesi se janë përmendur efektet e menjëhershme të saj. Por, thellësia dhe konsistenca e mbulueshmërisë është e pamjaftueshme në krahasim me impaktin enorm të pandemisë në shoqërinë tonë në përgjithësi, e në rritjen e papunësisë së të diplomuarve, të grave dhe të rinjve në veçanti. Për më tepër, duke parë që elitat politike tek ne sigurohen të prodhojnë lajme të shumta ditore, vëmendja e medieve mund të largohet edhe më shumë nga tema më e rëndësishme e kohës – ndikimi i COVID-19 në jetën tonë. Por diskursi ynë publik duhet të ndryshojë në favor të temave që prekin mirëqenien e qytetarëve. Mediet duhet t’i prijnë këtij ndryshimi, jo elitat politike.