Kosova Ime

1. Plot 34 vjet më parë, fëmija i vogël – vajza që rrekej mundimshëm të mësonte germat, kishte filluar të ravijëzonte në vetëdijen e saj se atdheu i vërtetë ishte Kosova. Pavarësisht se nuk kishte lindur atje, pavarësisht se nuk mund të shkonte atje, pavarësisht se as ati i saj nuk mund të shkelte në tokën ku kishte lindur – mësimi ishte marrë – Kosova ishte toka e premtuar – atdheu i të parëve!

Fëmija ishte shumë e re dhe e padijshme që të përceptonte dyzimin e njeriut me dy atdhe. Në shkollë e mësonin që atdheu i saj e kishte emrin Shqipëri, në shtëpi i thoshin se atdheu i saj e kishte emrin Kosovë. Duke u rritur rrekej të kuptonte deri në fund të vërtetën trishtuese të këtij dyzimi, por paradokset shtoheshin: ndërsa në shtëpi i thoshin se ishin shqiptarë, në shkollë e quanin kosovare!…

Fëmija ishte shumë e re për ta kuptuar gjithë këtë lëmsh termash, konceptesh e hamendësimesh. Fëmija kërkonte të kuptonte përtej paradoksit! Madje as i ati, një burrë i mençur e i dijshëm nuk mundi t’i jepte drejtim kërshërisë së saj prej fëmije dhe i dha dum me një fjali tipike të rriturish: “kur të rritesh do ta kuptosh…

E pakënaqur me përgjigjen pa përgjigje të babait, fëmija rrekej me vetveten të zbulonte enigmën e njeriut me dy atdhe. Një ditë, ndërsa në një atlas gjeografie hasi hartën e Kosovës (në shkollë i kishin mësuar se Kosova e saj nuk ishte dhe aq iluzore, por një realitet – krahinë autonome e RFJ-së) ajo vizatoi në shuplakën e dorës këtë hartë.

I ati qeshi kur e pa dhe i tha se tashmë ajo e kishte me vete atdheun – Kosovën!

Dhe, atdheu (Kosova) rritej bashkë me shuplakën e dorës së saj dhe tkurrej po aq herë sa tkurrej shuplaka. Atdheu nga dora, tani kishte kaluar në zemër. Ishte shndërruar në Jeruzalemin e saj – tokën e premtuar!

Kosova aso kohe, nuk ishte veçse një iluzion i madh. Më shumë si një ëndërr e bukur, të cilën ajo e kishte thurur në vite! Një ëndërr brenda së cilës nuk kishin vend as kufijtë me tela me gjemba dhe as gjithë tragjeditë e shkaktuara nga kjo ndarje kufijsh.

2. Në vitin 1999 nuk isha më një fëmijë i padijshëm e i hutuar nga pesha e dyzimit të njeriut me dy atdhe. Me vite kisha mësuar të jetoja si njeri me dy atdhe. I doja shumë dy atdhe-të e mi: Shqipërinë, vendin ku kisha lindur e isha rritur si dhe Kosovën, atdheun e tim ati, gjyshërve dhe stërgjyshërve të mi. Harta e vijëzuar në shuplakën e dorës më grishte, zemra më grishte dhe më shumë, e mendja më thoshte të ndiqja zemrën.

Kufijtë shqiptaro- shqiptarë kishin rënë. Asgjë nuk më ndalonte të zgjidhja enigmën e fëmijërisë sime.

Ndryshe nga sa ndodh rëndom, kur ëndrra bëhet zhgjëndërr në realitet, Kosova ishte po aq e bukur sa e kisha ravijëzuar në ëndrrat e mia. Po aq e bukur sa e tregonin në netët e gjata gjyshërit e mi.

Më entuziazmonte gjithçka në Kosovën time, veçmas optimizmi dhe entuziazmi i njerëzve, besimi se liria ishte zgjidhja e të gjitha halleve e problemeve të tyre.

Kosova më ngjasonte me një kantier rindërtimi. Kosova po rrekej të merrte veten nga lufta, të sanonte dëmet dhe plagët e luftës. Po rrekej të shijonte lirinë, duke lënë pas të shkuarën me sytë nga e ardhmja.

Kishte kaq shumë optimizëm (optimizëm ky që i çudiste aq shumë ndërkombëtarët në anketat e së cilëve populli i Kosovës shpallej si populli më optimist i botës), kaq shumë besim se tashmë gjithçka do të shkonte mirë, sa nuk mund të mos infektoheshe nga optimizmi dhe besimi i njerëzve.

Duke e parë, prekur dhe shijuar një atmosferë të tillë, i kuptova për herë të parë lutjet e gjyshërve të mi.

“Kur të vdes dua të vdes në Kosovë”- thoshte gjyshi. “Bëj o Zot të vdes në Kosovë” – lutej gjyshja ime kur unë isha fëmijë e vogël, e dyzuar në peshën e rëndë të njeriut me dy atdhe. Të dy vdiqën në Shqipëri, ashtu si vdiq edhe im atë pa e shkelur kurrë vendlindjen e tij.

Optimizmi i njerëzve të Kosovës më kishte pushtuar edhe mua. Në kujtim të babait dhe gjyshërve të mi, vendosa të jetoj në Kosovë, për të vdekur këtu. Në atdheun ku ata lindën, por nuk vdiqën…

3. Dhjetë vite më pas, jam aq e pjekur sa të mos pendohem për zgjedhjet e bëra, por aq shumë e pjekur sa të mos entuziazmohem më nga ëndrra e dikurshme.

Dorën në zemër, Kosova është sërish po aq e bukur dhe dashur sa në ëndrrat e mia të dikurshme. Është atdheu që unë zgjodha me shpirt, gjak, mendje e zemër. Është e lirë dhe më shumë se aq: shtet, me kufijtë e vet!

Ende nuk e dimë nëse ata kufij janë vendosur përfundimisht (largqoftë nëse ndodh e kundërta). Ndonëse jemi çliruar dhe jemi bërë të pavarur sërish rifutemi në bisedime, pavarësisht se pavarësia është rezultat i bisedimeve për të cilat aso kohe u tha se ishin të fundit. Bëmë bisedime të ashtuquajtura teknike, të cilat me gjasë na e bënë më të lehtë të pranonim bisedimet politike.

Pas kësaj kushedi se çfarë do të pranojmë po kaq lehtë…

Jemi një nga vendet më të varfra në botë, (rajonin e kemi tejkaluar me kohë), kemi ngecur në një moçal problemesh pa mundur ta tejkalojmë ndotjen ku jemi zhytur, jemi të izoluar nga Evropa duke u konsideruar si vrima e zezë e Ballkanit, kemi nivele të larta e të frikshme të papunësisë, korrupsionit, krimit të organizuar, kemi humbur sensin e reagimit qytetar e mbi të gjitha e kemi humbur sensin e dikurshëm të entuziazmit. Kemi frikë të ëndërrojmë!

Kam frikë se jemi lodhur nga liria! Kam frikë se jemi lodhur nga shteti të cilin se kemi ndërtuar ende…

4. Më ndodh shpesh të hap shuplakën e dorës. Kërkoj aty atdheun tim të humbur në ëndrra. Kosovën time që e dua edhe kështu si është, si e kanë katandisur pa dashjen e saj.

Më kujtohet, se atje, në atë atdheun tim tjetër, Shqipërinë time të shkatërruar e dhunuar nga diktatura e të rraskapitur si mos më keq nga demokracia, një poet të ri, e varën sepse guxoi të shkruante “ e pashë atdheun lakuriq…”.

Trifon Xhagjikën e vranë sepse guxoi ta shihte atdheun lakuriq ashtu sikurse sot pas pothuaj 53 vjetësh ne e shohim atdheun sërish lakuriq.

Cullak ashtu si e katandisën dhe po e katandisin ata që e udhëheqin.

Më ndodh shpesh të hap shuplakën e dorës e aty të kërkoj atdheun tim. E shoh cullak e të lodhur. Por unë e dua sërish si atëherë kur e njoha në ëndrra. Atë, Kosovën time!