Komuna Organizon Ekskursione në Tiranë e Beograd

Vetëm për mirëmbajtjen e veturave dhe pajisjeve tjera komuna e Kllokotit gjatë një viti (2010) ka shpenzuar 14.754 euro, për derivate dhe lëndë djegëse 18.270 euro, për telefona mobilë 2.335 euro, thotë “Letërnjoftimi” i Institutit për Studime të Avancuara (GAP) për komunat e reja Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot.

Kjo komunë, thotë raporti, më 2012 ka buxhet më të vogël se vitin paraprak por ende shpenzon mjaftë në dreka zyrtare, në telefona zyrtarë dhe mirëmbajtje të veturave.

E shkalla totale e të hyrave vjetore të saj nuk i përmbush as përafërsisht shpenzimet që kjo komunë bën për objektin ku qëndron me qira. Sipas monitorimit, komuna e Kllokotit paguan 3.100 euro për objektin i cili është marr me qira për t’u shndërruar në komunë dhe nuk ka pasur ndonjë projekt, nismë apo iniciativë që komuna të ndërtojë një objekt komunal.

Komuna e Kllokotit ka vështirësi edhe në pagimin e borxheve komunale. Fshati Mogillë të cilit nga komuna i është rregulluar ndriçimi publik, pas tre muajsh ndriçimi i është ndërprerë nga KEK-u dhe tash e një vit nuk është rikthyer ngase autoritetet arsyetohen që nuk kanë mjete për të paguar shpenzimet e energjisë elektrike të cilat i bën sistemi i ndriçimit publik, konstaton raporti i monitorimit të GAP-it.

E as sa i përket menaxhimit të financave kjo komunë nuk duket aq mirë. Sipas Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP), Komuna e Kllokotit gjatë vitit 2010 nuk ka mbajtur evidenca rreth realizimit të hyrave nga departamenti i financave dhe departamentet që realizojnë të hyra.

Sipas ZAP-it, departamenti i financave nuk ka pranuar asnjë raport mujor, tremujor apo vjetor për të hyrat e realizuara gjatë vitit 2010 nga departamentet përkatëse të cilat realizojnë të hyra.

Vetë kreu i komunës Sasha Mirkoviq pjesën më të madhe të orarit nuk qëndron në zyrë dhe gjatë kësaj kohe nuk ushtron ndonjë aktivitet komunal. Ai zakonisht shihet në kafeteritë e qytetit.

Sipas burimeve të GAP-it, kryetari i Kllokotit ka edhe me javë të tera që nuk shkon në zyrën e tij të punës në komunë. Kjo ngjet edhe me stafin tjetër të Komunës. Nuk ka rregull, disiplinë, përgjegjësi dhe llogaridhënie për vendin e punës dhe as për orarin zyrtar të punës.

“Në të gjitha dosjet e testuara të rekrutimit kemi vërejtur se mungojnë raportet për rezultatet e vlerësimit të aplikantëve të cilët kanë konkurruar për këto pozita.” ZAP

Veturat zyrtare (7 të tilla) përdoren pa kriter dhe zakonisht shfrytëzohen për distanca të largëta, jashtë territorit të komunës.

Komuna e Kllokotit ju ka mundësuar të gjithë të punësuarve shkuarjen dy ditë në Shqipëri (Durrës), kjo ka ngjarë në fillim të muajit shtator të 2011. 35 persona kanë shkuar nga gjithsej 57 të punësuarve. Menjëherë pas kësaj, kryetrari i Kllokotit ka kërkuar që stafi të dërgohet (në formën eksurzionit) edhe në Beograd. Kjo është realizuar, por kanë shkuar vetëm femrat e punësuara në Komunë. Vizita ka zgjatur nga e premtja deri të dielën në javën e parë të tetorit të vitit 2011, tregon monitorimi i GAP-it.

E për sjelljen e kryetarit nuk ka shumë fjalë të mira nga qytetarë të ndryshëm. Kryetari i Komunës ka shkarkuar zëvendësin e tij Zoran Bogdanovic. Ish-nënkryetari i parë i kësaj komune Bogdanovic pati thënë për media se kryetari e ka larguar nga puna atë vetëm pse djali i tij në zgjedhjet e fundit nacionale ka qenë në listë për deputet, në një parti tjetër serbe, Listën e Bashkuar Serbe, e jo në Partinë Liberale Serbe – SLS, e cila është në pushtet.

Kritika ndaj Kryetarit te Komunës ka adresuar edhe ish-Drejtori i Bujqësisë i kësaj komune Hasan Rashiti i cili është shkarkuar nga kjo detyrë nga kryetari i Komunës.

Rashiti ka thënë se largimi i tij lidhet me kundërshtimin që ai i ka bërë Kryetarit për pranimin pa konkurs të disa personave në Drejtorinë e Bujqësisë.

E për ta vërtetuar edhe më shumë  sjelljen jo korrekte të kreut të komunës së Kllokotit, raporti i Auditorit të përgjithshëm (ZAP), duke iu referuar vitit 2010, për Komunën e Kllokotit  ka gjetur se ka parregullsi gjatë procesit të rekrutimit të punëtorëve. Sipas Auditorit, dosjet personale të punonjësve nuk janë të strukturuara dhe të azhurnuara si duhet.

“Në të gjitha dosjet e testuara të rekrutimit kemi vërejtur se mungojnë raportet për rezultatet e vlerësimit të aplikantëve të cilët kanë konkurruar për këto pozita. Po ashtu, në dosjet personale mungojnë edhe vlerësimet e fundvitit të stafit”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se komuna ka bërë punësim të personave të cilët nuk i kanë plotësuar kualifikimet e nevojshme të kërkuara me konkurs. Po sipas Auditorit, në shtatë raste kandidatët që janë përzgjedhur nuk i kanë plotësuar kriteret e kërkuara. Po ashtu, edhe paga në kontratë nuk përputhet me pagën në sistemin e pagave.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm i cili i referohet vitit 2010 nxjerr konstatim se rregullat e prokurimit publik ne Komunën e Kllokotit në shumë raste nuk janë përfillur, gjë kjo e cila sipas Auditorit lë të hapur mundësinë për keqpërdorimin e parëse publike.

Parregullsi në këtë komunë Auditori ka gjetur edhe gjatë procesit të auditimit të 26 aktiviteteve të prokurimit, në vlerë prej 1 milionë e 157 mijë euro. Sipas Auditorit, Komuna e Kllokotit gjatë 2010 ka përgatitur planin e prokurimit, por nuk e kishte dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik.

E sa i përket shëndetësisë dhe arsimit ngjashëm si te rasti i Graçanicës dhe Ranillugut, edhe në Komunën e Kllokotit sistemi arsimor dhe ai shëndetësor kryesisht kontrollohen dhe menaxhohen nga strukturat paralele të cilat struktura direkt ndikohen nga Qeveria e Serbisë, tregon raporti i GAP-it.

Në Kllokot ekzistojnë dy ambulanca, njëra tani ka nisur të ushtrojë funksionin e QKMF. Ekziston vetëm një mjek specialist dhe katër motra medicinale, ndërsa i tërë stafi mjekësor janë 15 veta.

Sistemi arsimor në Komunën e Kllokotit përbehet nga tri shkolla fillore, njëra nga to është etnikisht e përzier “Gjon Sereqi” në Mogillë. Në këto tri shkolla mësimin e mbajnë rreth 1.400 nxënës me rreth 55 mësimdhënës.

Në Komunën e Kllokotit nuk ka zyrtar për informim. Në organogramin e këtij institucioni figuron Zyra për Informim, por në raportin e punës se vitit 2011 askund nuk përmendet kjo zyrë dhe aktivitetet eventuale të saj.