Frank Wisner, ish emisar amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës. Foto: ncafp.org

Kompania e lidhur me ambasadorin Wisner e mbron AKP në arbitrazhin e iniciuar nga Sharrcem

‘Sharr Betelaingnung Gmb’, pronare e fabrikës së Cimentos “SharrCem”, e ka dërguar në arbitrazh Agjencinë Kosovare të Privatizimit për gjobën e vendosur prej 9.4 milionë euro në emër të mos-realizimit të zotimeve kontraktuale.

Ndonëse nuk është bërë publike shuma që pronari i Sharrcemit po kërkon nga AKP-ja, kjo e fundit pritet të shpenzojë 699 mijë euro vetëm për avokatë. Kompania amerikane “Squire Patton Boggs (US) LLP” është angazhuar për përfaqësim ligjor të AKP-së në Gjykatën Permanente të Arbitrazhit në Hagë. Përkundër që tenderi ishte hapur me procedura të negociuara në muajin maj me arsyetim të urgjencës, AKP-ja kontratën me ‘Squire Patton Boggs’ e kishte nënshkruar vetëm me 23 dhjetor 2019.

Kompanisë ‘Squire Patton Boggs’ në vitin 2009 i ishte bashkuar Frank Wisner, ish-emisar amerikan për bisedimet për statusin e Kosovës. Kjo kompani ka fituar disa tenderë tjerë nga institucionet e Kosovës. Ishte paguar 50,000 dollarë në muaj nga zyra e Hashim Thaçit në mënyrë që të lobojë për Kosovën në një kohë kur Thaçi drejtonte qeverinë e Kosovës, si dhe ishte angazhuar për mbrojtjen e Kosovës në rastin e njohur AXOS, e cila kërkonte 500 milionë euro nga Kosova për shkak të dështimit të privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se nuk kanë qenë të njoftuar që ‘Sharr Betelaingnung Gmb’, pronare e fabrikës së Cimentos “SharrCem”, kishte iniciuar kontest në Gjykatën Permanente të Arbitrazhit në Hagë.

“AKP nuk ishte në dijeni se do të paditej ne arbitrazh lidhur me vendimin e nxjerrë nga ana e Bordit të Drejtoreve të Agjencisë, për shqiptimin e dënimit ne formë të pagesës së çmimit shtesë ne vlerë prej 9.5 milionë euro për shkak të mos përmbushjes së investimeve të zotuara sipas marrëveshjes për shitblerjen e aksioneve për kompaninë ‘’Sharr Betelaingnung Gmbh’’ me seli në Hamburg të Gjermanisë”, thuhet në përgjigjet e AKP-së për KALLXO.com.

AKP-ja thotë se Bordi i Drejtorëve ka hartuar dhe aprovuar termat e referencës. AKP-ja kishte ftuar 6 kompani për të ofertuar, mirëpo kishte pranuar vetëm dy oferta përmes E-Prokurimit. 4 oferta të kompanive tjera, AKP-ja thotë se i ka refuzuar meqë ato ishin dorëzuar nëpërmes adresës elektronike, pra në kundërshtim me ligjin e Prokurimit.

Fabrika e Cimentos “SharrCem” ishte shitur për 35 milionë euro nga AKP-ja, mirëpo blerësi kishte marrë obligime për realizim e investimeve në vlerë prej 35 milionë euro.

AKP-ja thotë se kompania ‘BDO Kosova LLC’ kishte bërë auditimin e investimeve duke konstatuar se nga 35,170,654.51 EUR e investimeve të raportuara nga ‘SharrB’, vetëm 25,558,237.17 EUR ishin investime të pranueshme të bëra në bazë të marrëveshjes.

“Raporti i Auditimit nuk i ka njohur investimet e bëra prej 7,891,000.00 EUR të shpenzuar nga ‘SharrCem’ për blerjen e aksioneve në tre kompani motra të ‘Titan Group’, dhe as investime në zhvillim në vlerë prej 1,495,660.00 EUR pasi ato ishin kontraktuar pas 9 dhjetorit 2015 dhe nuk ishin të vërtetuara me dokumente përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Sharrcem e ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti tashmë është në arbitrazh duke mos dhënë detaje tjera.

“Sharrcem, pjesë e Titan Cement Group, është i angazhuar për të qenë gjithmonë i hapur dhe transparent ndaj të gjitha grupeve të interesit dhe partnerëve. Megjithatë, meqenëse procedura e arbitrazhit është në zhvillim e sipër, do të përmbahemi nga dhënia e ndonjë komenti në këtë periudhë kohore. Pas përfundimit të epilogut, do t’i mbajmë të njoftuar me zhvillimet të gjitha palët e interesuara”, thuhet në përgjigjen e SharrCem.