Isa Mustafës Duhet t'i Jepet një Mundësi

Por, në ditët e tij të para si kryeministër, Mustafa është duke shfaqur sinjale premtuese, duke thënë se ngritja e pagave në sektorin publik në vlerë prej 25 për qind, që ishte premtuar nga paraardhësi i tij, Hashim Thaçi, nuk do të realizohej.

Pagat e sektorit publik u ngritën dramatikisht gjatë mandatit të Thaçit, e ngritje të ngjashme ai kishte premtuar edhe gjatë fushatës zgjedhore. Përfitimet e ngritjes mund të kenë qenë evidente për punonjësit qeveritarë dhe familjet e tyre, por vendi nuk ka fituar shumë nga ajo. Siç thoshte edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në disa raste të ndryshme, rritja e pagave dhe përfitimeve të sektorit publik i ka bërë bizneset private më pak konkurruese. Ato janë të detyruara të paguajnë shuma parash që nuk i kanë, për të punësuar kuadro cilësore, apo të pajtohen me punësimin e punonjësve që nuk janë edhe aq të mirë. Ngritja e pagave gjithashtu e ka vënë nën presion buxhetin e shtetit.

Në një intervistë të dhënë për Reuters, Mustafa sugjeroi se ai do t’i ulte taksat për biznese dhe do t’u ofronte atyre masa stimuluese për krijimin e vendeve të reja të punës, duke mos përjashtuar huazimin nga jashtë. Këto ide nuk janë revolucionare, e në fakt u ngjajnë zgjidhjeve logjike të ofruara nga një ekonomist që përkrah tregun e lirë.

Ajo që mbetet brengosëse është qasja e Mustafës ndaj privatizimit. Sistemi i autobusëve në Prishtinë, i cili u privatizua gjatë mandatit të tij si kryetar komune, përbën një shembull të mirë se si nuk duhet realizuar proceset e privatizimit, në veçanti kur kemi të bëjmë me një shërbim publik kyç. Mustafa kishte sugjeruar që firmat të cilat krijojnë vende të punës të mund të përfitojnë nga shpërblim prona shtetërore. Kjo nuk është domosdoshmërisht ide e keqe, por duket të jetë nga idetë të cilat ofrojnë mundësi keqpërdorimi.

Nëse Mustafa vërtet dëshiron ta zhvillojë ekonominë, ai duhet ta luftojë korrupsionin shumë më seriozisht se që e ka bërë gjatë kohës kur ishte kryetar i Prishtinës dhe i LDK-së. Kosova dhe Shqipëria radhiten të fundit në Indeksin e Perceptimeve të Korrupsionit të Transparency International. Qoftë i vërtetë apo i perceptuar, korrupsioni është duke dekurajuar investimet nga kompanitë e huaja dhe nga vetë kosovarët.

Ka shumë arsye për t’u ndier të ngazëllyer për ardhjen e Mustafës. Por, Kosovës i duhet një qeveri, ndërsa Mustafa e udhëheq atë që aktualisht e ka në dispozicion. Duke qenë se ai po ofron pak shpresë se vendi do të ndjekë politika ekonomike stabile, atij duhet t’ia japim mundësinë për t’u dëshmuar.