A po shpaguhet lobimi?

Këtë vit, Kosova me gjasë do të shpenzojë mbi 500 mijë euro për shërbime të lobimit që ofrohen nga kompania amerikane  PattonBoggs. Kjo shumë përbën tri të njëqindtat e 1 për qind të buxhetit të miratuar për këtë vit, në vlerë prej 1.68 miliardë euro.

Mund të mos duket shumë e madhe, por përbën shpenzim të rëndësishëm sepse do të ishte ekuivalenti i shumës prej 94 milionë euro të cilën do ta shpenzonte Gjermania në rast se do të ndante të njëjtën përqindje të buxhetit të saj prej 300 miliardë eurosh për shërbime të ngjashme.

Në të kaluarën, ekonomia më e fuqishme evropiane ka qenë shumë më e matur, duke paguar vetëm 9 milionë euro për lobim në SHBA gjatë vitit 2013, sipas të dhënave të Sunlight Foundation.

Prandaj, edhe në kuptim relativ edhe në kuptim real, Kosova është duke paguar mjaft shumë për të pasur ndikim dhe favore në Uashington. Por, a ia ka vlejtur barra qiranë?

Kjo është pyetje e rëndë. Sipas raportit të fundit të Patton Boggs të dorëzuar në  Departamentin e Drejtësisë së SHBA-ve, përpjekjet e lobimit duket të kenë pasur rezultate të prekshme, përfshirë këtu intervistën në Fox Neës të Presidentes Atifete Jahjaga në muajin shtator dhe vizitën e shkurtër të Senatorit ChrisMurphy në Kosovë gjatë muajit tetor.

Megjithatë, përkundër të gjitha telefonatave, emailave dhe takimeve me ligjvënës, zyrtarë dhe media nga firma që tani punëson Frank Ëisnerin, diplomatin që ka luajtur rol kyç në pavarësinë e Kosovës, SHBA-të e kanë ulur nivelin e përkrahjes financiare për Kosovën.

Sipas faqes në internet të autoriteteve federale amerikane, foreignassistance.gov, gjatë vitit 2015, SHBA-të planifikojnë të shpenzojnë në Kosovë 48.1 milionë dollarë, që përbën rënie të theksuar nga 79.9 milionë që janë shpenzuar në vend në vitin 2011 (viti kur Kosova e angazhoi për herë të parë Patton Boggsin, sipas procedurave të tenderimit me transparencë të dyshimtë.

Për hir të së vërtetës, ka mundësi që 50,000 dollarët që qeveria e Kosovës ia paguan Patton Boggsit çdo muaj sipas kontratës e cila zgjatë deri në vitin 2017 të japin rezultate shumë pozitive.

Për këtë arsye, edhe shtetet me shumë më shumë fuqi diplomatike se sa Kosova, siç është Gjermania, vazhdojnë të kontraktojnë lobistë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Petrit Selimi thotë se Kosova është duke bërë investime me vend. “Ekipi i Ambasadorit Ëisner po kryejnë punë të mirë për paratë që marrin nga taksapaguesit kosovarë,” tha ai përmes emailit. “Ata u mundësojnë institucioneve të Kosovës qasje, rrjetëzim dhe ndërveprim me institucionet amerikane, gjë që konsiderohet e rëndësisë vitale për interesat kombëtarë të Kosovës.”

Por, nuk mund të mos pyes veten nëse shuma prej 50 mijë dollarësh në muaj, që tani i bie të jetë rreth 44,000 euro për shkak të ngritjes së kursit të dollarit në krahasim me euron, do të mund të shpenzohej më mirë.

Këto para do të mund të shfrytëzoheshin për ta fuqizuar ambasadën e Kosovës në Uashington me paga të mira për punonjësit e saj, të cilët do të mund të vinin nga mesi i diasporës së kualifikuar të Kosovës atje, e të cilët do të mund të gjenin rrugën e tyre nëpër Uashington.

Mund të duket e padrejtë që të trajtohet vetëm kjo pjesë kaq e vogël e buxhetit të vendit, por nuk është e qartë nëse mënyra se si Kosova i shfrytëzon mjetet e veta, edhe ashtu të kufizuara, për diplomaci ndërkombëtare përbën gjithashtu “rëndësi vitale për interesat kombëtarë.”