Inteligjenca artificiale në rolin e gazetarit | Foto: Pixabay

Inteligjenca artificiale në rolin e gazetarit

Çdo ditë e më shumë përmbajtja që po shfaqet në ekranet tona po bëhet më e vështirë për t’u dalluar, a është ngjarje e vërtetë apo është produkt i inteligjencës artificiale.

Në kohën kur imazhet, zërat, teksti dhe videot mund të gjenerohen brenda disa sekondave nga algoritmet, kufiri mes të vërtetës dhe fiksionit teknologjik po bëhet gjithnjë e më i paqartë.

Imune ndaj këtij zhvillimi nuk ka sesi të jetë as gazetaria, madje AI ka filluar të përdoret me të madhe në shumë drejtime si transkriptime, analizën e të dhënave, por së fundmi edhe duke zëvendësuar edhe procese tjera teknike.

Sado që këto zhvillime kanë lehtësuar punën tonë dhe përmirësuar efikasitetin e punës, kjo ka sjellë disa dilema serioze të etikës profesionale për rolin e AI në media, për përgjegjësinë e përmbajtjes dhe për besueshmërinë dhe integritetin e informacionit.

Për t’u përballur me këtë realitet të ri, Bashkimi Evropian së bashkë me disa organizata mediatike ndërkombëtare por edhe aktorë të tjerë të fushës, ka filluar të ndërtojë një kornizë rregulluese të etikës dhe përdorimit të AI në media.

Në qendër të këtyre përpjekjeve  për të ndërtuar një mjedis të sigurtë dhe të përgjegjshëm për përdorimin e inteligjencës artificiale qëndron Akti për Inteligjencën Artificiale i Bashkimit Evropian (EU AI Act).

E miratuar në mars të vitit të kaluar, kjo është rregullorja e parë gjithëpërfshirëse ligjore për inteligjencën artificiale dhe qëllimi kryesor i kësaj rregulloreje është të balancojë zhvillimet dhe inovacionin me mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së qytetarëve.

Kjo është një rregullore e detyrueshme që adopton një qasje të bazuar në rrezik, do që të thotë se sa më i lartë të jetë rreziku i një sistemi AI, aq më të rrepta janë rregullat, duke siguruar kështu që rregullimi të përqendrohet në fushat ku shqetësimi është më i madh, gjithmonë duke mos e penguar edhe zhvillimin teknologjik, por duke imponuar që ky zhvillim të jetë i përgjegjshëm.

Ky akt i kategorizon sistemet e inteligjencës artificiale në katër nivele të rrezikut: të papranueshme, me rrezik të lartë, të kufizuar dhe me rrezik minimal.

Në kontekst të mediave, ky dokument tek rreziku i papranueshëm që e ndalon plotësisht, i vendosë sistemet që manipulojnë audiencën apo kryejnë vlerësim social, pasi që këto mund të rrezikojnë liritë publike. Së dyti, sistemet me rrezik të lartë si sistemet AI për personalizimin e lajmeve, moderimin e përmbajtjes apo redaktimin automatik të lajmeve senzitive. Në këtë nivel kërkohet transparencë, mbikëqyrje njerëzore dhe menaxhim strikt i rrezikut.

Tek rreziku i kufizuar klasifikohen sistemet siç janë ‘chatbot-ët’ e lajmeve apo “deepfakes” për të informuar publikun. Në fund si me rrezik minimal apo të neglizhueshëm klasifikohet shumica e aplikacioneve të AI, si transkriptimi automatik, filtrat e spamit që vlerësohen se kanë rreziqe të papërfillshme.

Sa i përket parimeve që vendosë ky akt, ndër më të rëndësishme janë transparenca – që kërkon që sistemet e AI të zbulojnë natyrën e tyre dhe të ofrojnë informacion të rëndësishëm dhe relevant për përdoruesit. Po kaq e rëndësishme është edhe mbikëqyrja njerëzore e cila siguron që njerëzit të mbajnë kontrollin mbi sistemet e AI, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me rrezik të lartë. Akti gjithashtu kërkon që cilësia e të dhënave duhet të jetë e lartë dhe për këtë imponon trajnimin e sistemeve AI me qëllim të shmangies së paragjykimeve dhe për të evituar gabimet.

Ky akt ka paraparë edhe gjoba mjaft të rënda për mosrespektim të rregullave, gjoba që mund të arrijnë deri në 7% të qarkullimit vjetor të kompanisë.

Në kontekst të mediave në Kosovë, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në përditësimin e Kodit të Etikës në fillim të vitit të kaluar i ka kushtuar një kapitull të tërë inteligjencës artificiale dhe rregullave sesi mediat duhet të përdorin AI.

II.2. Inteligjenca artificiale (AI)

  1. Mediat mund të përdorin inteligjencën artificiale në procesin e krijimit të përmbajtjes mediale, por në mënyrë të përgjegjshme dhe proporcionale. Kur përdorin inteligjencën artificiale, mediat duhet të respektojnë parimet e mbrojtjes së të dhënave personale, sigurisë së informacionit dhe mosdiskriminimit.
  2. Përmbajtja mediatike e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale bie në përgjegjësinë editoriale të medias dhe nuk i liron gazetarët dhe redaktorët nga përgjegjësia për të respektuar asnjë rregull të parashikuar nga ky kod.
  3. Mediat janë të obliguara t’i informojnë lexuesit në mënyrë të përshtatshme për përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjes mediale, me shënim se në cilin segment dhe çfarë lloji i inteligjencës artificiale është përdorur dhe si funksionon.
  4. Gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale mediat duhet të respektojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale. Nëse lexuesit mund të kenë ndërveprime me inteligjencën artificiale, ata duhet të informohen paraprakisht se këto ndërveprime nuk po bëhen me njerëzit.
  5. Në lidhje me vendimet e marra nga inteligjenca artificiale, të cilat mund të shqetësojnë lexuesit, atyre duhet t’iu sigurohet komunikimi me një person fizik dhe mundësia për të kundërshtuar vendimin përkatës.

 Ky kapitull është në përputhje me përcaktimet e “EC AI Act”, veçanërisht sa i përket përgjegjësisë editoriale, transparencës, respektimit të drejtave themelore dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Sikurse edhe “EU Act”, Kodi i Etikës së KMShK-së evidenton që AI nuk e zëvendëson përgjegjësinë njerëzore, se përdorimi duhet të jetë i njohur për publikun dhe duhet të jetë lehtë i identifikueshëm.

Përveç rregullimit institucional në nivel të Bashkimit Evropian, shumë prej mediave më të mëdha dhe serioze e kanë të rregulluar këtë.

Për shembull BBC, transmetuesi publik i Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar një dokument me parime për përdorimin e AI. Këto udhëzime të përditësuara javë më parë theksojnë balancën në mes të inovacionit dhe besimit të publikut duke vënë theks tek mbikëqyrja njerëzore. BBC  lejon përdorimin e AI për të mbështetur proceset editoriale si analiza e të dhënave apo ideimi dhe për të përmirësuar proceset teknike dhe vizuale nën mbikëqyrjen njerëzore mirëpo ndalon përdorimin e AI për të krijuar drejtpërdrejtë përmbajtje lajmesh faktike, manipulim të imazheve ose zërave apo përdorim të AI që mund të cenojë pavarësinë editoriale.

Po në linjë me BBC edhe Associated Press (AP) prezantuan standardet e tyre te përdorimit të AI në nëntor të vitit 2023. Këto standarde e lejojnë përdorimin e AI për të rritur efikasitetin e punës si në transkriptim dhe ideim por vetëm me verifikim dhe mbikëqyrje njerëzore, teksa ndalohet krijimi i përmbajtjes së lajmeve, grafikave apo audiove dhe videove përveç kur është rasti për vetë AI.

Rregullat si  Akti i BE-së për AI dhe kodet e etikës vendore si ai i KMShK-së, së bashku me udhëzimet individuale që hartohen nga mediat, synojnë të balancojnë zhvillimin teknologjik me përgjegjshmërinë dhe besimin e publikut. Këto dokumente lejojnë përdorimin e AI por e kushtëzojnë me përdorim transparent, mbikëqyrje njerëzore rigoroze teksa ndalojnë prerazi manipulimin apo krijimin e drejtpërdrejtë të lajmeve për të ruajtur integritetin e informacionit dhe besimin e publikut.