"Privatizimi" i internetit dhe i IPTV-së, tentohet zbatimi i kontratës 

Kontrata e Telekomit për shërbimet IPTV që ia jep 60% të të hyrave një kompanie private, ka mundësi të zbatohet, ndonëse është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

Kjo kontratë është e pezulluar që nga viti i kaluar, mirëpo Kallxo.com ka gjetur dëshmi se po tentohet të shtyhet përpara ky projekt, i cilësuar i dëmshëm nga auditorët.

Kontrata në mes të Telekomit dhe kompanisë nga Shqipëria “AdvanTech” për shërbimet e Internetit, IPTV dhe IPTV-OTT, është nënshkruar në fund të vitit 2019, nga kryeshefi i atëhershëm Bedri Istrefi.

Nga auditori, kjo kontratë është cilësuar e ngjashme me atë të “Z-Mobile” duke ia dhënë 60% të të hyrave nga shërbimet e Internetit, IPTV dhe IPTV-OTT, një kompanie private. Bordi i Telekomit e kishte pezulluar këtë kontratë dhe njëkohësisht e kishte dërguar në Prokurori për hetim të mëtutjeshëm.

Por, KALLXO.com ka gjetur se gjatë kohës sa kontrata ishte e pezulluar, janë mbajtur të paktën dy takime në mes të menaxhmentit të Telekomit dhe kompanisë ‘Advantech’ për “negocimin” e kontratës.

Dëshmi për këtë janë disa letërkëmbime që ka parë Kallxo.com.

“Kërkojmë edhe njëherë me e-mail një takim zyrtar me juve që të diskutojmë afatet e nisjes së projektit..”, thuhet në një e-mail që Feim Pulaj, drejtor i ‘AdvanTech’ e kishte dërguar tek U.D. i drejtorit në Telekom, Zeqir Kiqina.

Ky i fundit, në një bisedë për Kallxo.com, ka pranuar se ka realizuar dy takime me përfaqësuesit e kompanisë ‘AdvanTech’, por ka mohuar të ketë pasur ‘negociata’ për zbatimin e projektit.

“I kam pasur në takim përfaqësuesit e kompanisë, është kërkuar me u negociu kontrata. Por unë se kam këtë mundësi, meqë kontrata është pezullu me vendim të bordit dhe vetëm bordi mundet me negociu kontratën”, ka thënë Kiqina.

Bordi i Telekomit e kishte pezulluar këtë kontratë si dhe të njëjtën e kishte dërguar në prokurori. KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Ministria e Ekonomisë e cila i monitoron ndërmarrjet publike. Në këtë ministri kanë thënë se kontrata vazhdon të jetë e pezulluar.

“Që nga kjo kohë, Marrëveshja mes Telekomit të Kosovës dhe Advan Tech, është e pezulluar/ngrirë, e si rezultat i kësaj tani është subjekt i organeve të rendit (Prokurorisë Speciale)”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, përkatësisht Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Telekomi i Kosovës e kishte konsideruar ‘sekrete’ kontratën dhe do të mund t’i ndahet vetëm organeve të zbatimit të ligjit dhe aksionarit, por KALLXO.com e ka siguruar një kopje të saj.

Në bazë të kontratës, Telekomi i Kosovës do të marrë vetëm 40% të të hyrave nga klientët për shërbimet e internetit, IPTV dhe IPTV-OTT. Kurse, partneri “AdvanTech” është paraparë të marrë 60% të të hyrave. Nëse zbërthehet në shifra ndarja e të hyrave, atëherë i bie që nëse një pako internet plus IPTV do të kushtojë 20 euro, kompania ‘AdvanTech’ do të marrë 12 euro, kurse Telekomi – 8 euro.

Pretendimi për investime milionëshe 

Kompania ‘AdvanTech’ ka një historik të ndërrimit të shpeshtë të pronarëve në ARBK. Në kontratë përveç Bedri Istrefit si ish-kryeshef i Telekomit, figuron edhe firma e Oltjon Bushit, tashme ish-pronar i ‘AdvanTech’.

Kjo kompani është regjistruar si biznes në Shqipëri, në vitin 2017. Një kompani me emër të njëjtë në nëntor të vitit 2018 është regjistruar si biznes edhe në Kosovë. Për degën në Kosovë si aksionar, krahas Oltjon Bushit ishte edhe Bashkim Hajra.

Por, në muajin maj të vitit 2020, Oltjon Bushi është hequr nga lista e aksionarëve të biznesit të regjistruar në Kosovë. Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, me dhjetë janar të vitit 2020, sipas kontratës të arritur te noteri, Oltjon Bushi i kishte shitur aksionet tek Afrim Hajra, i cili është familjar me Bashkim Hajren.

Në vend të Oltjon Bushit, me vendim të kompanisë, drejtor i përgjithshëm tash ishte emëruar Afrim Hajra. Kërkesa për ndërrimin e aksionarëve është aprovuar në ARBK gjatë muajit maj 2020.

Mirëpo pak muaj më vonë, në vitin 2021, si pronar i ‘AdvanTech’ në ARBK ishte regjistruar emri i Feim Pulajt. Ky i fundit, i kontaktuar nga Kallxo.com, ka mohuar ta ketë blerë kompaninë për shkak të kontratës me Telekomin, por ka thënë se janë në pritje të zbatimit sa me të shpejtë të saj dhe se kanë plane të tjera për investime në Kosovë.

Sipas tij, ‘AdvanTech’ ka bërë investime milionëshe për t’u përgatitur për zbatim të kontratës me Telekomin.

“AdvanTech ka bërë investimet e veta milionëshe duke i përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga kontrata në fjalë. Mbetet tutje nga ana e Telekomit për t’ju përgjigjur karshi obligimeve të saja në raport me këtë kontratë”, ka thënë Pulaj, duke shtuar se për të gjitha këto investime është e njoftuar ndërmarrja.

“Sa për dijeninë tuaj, ne ju kemi dërguar njoftim se kemi kryer të gjitha punët në këtë fazë dhe jemi në pritje të reagimit sipas përgjegjësisë nga ana e tyre. Po ashtu kemi pasur takime dhe ju kemi kërkuar qoftë edhe me shkrim, që çfarëdo kërkese, sugjerimi apo edhe konfuzioni që kanë në raport me kontratën mund të ulemi dhe t’i shqyrtojmë”.

Mirëpo në Telekom i kanë mohuar këto pretendime.

“Modeli i biznesit i përcaktuar në kontratën e partneritetit është sipas modelit “share revenue”, dhe nuk lidhet me vlerën e investimit te AdvanTech, por me kryerjen e shërbimeve”, thotë Menduh Abazi, Drejtor i Departamentit për Relacion me Publikun në Telekom.

Sipas tij, kontrata në fjalë vazhdon të jetë e pezulluar.

“Ish-menaxhmenti ka dërguar të njëjtën në organet kompetente të hetuesisë dhe deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje për këtë çështje. Deri në një përgjigje nga ana e organeve të hetuesisë nuk do të ndërmerret asnjë veprim tjetër nga ana e Telekomit”.

Prodhimi i efekteve juridike

Marrëveshja është nënshkruar për një periudhë 7 vjeçare, me mundësi vazhdimi.

Ndërsa, ndërprerja e saj mund të bëhet vetëm me pajtim të palëve. Në raste të shkëputjes së njëanshme, pala që e ka shkëputur marrëveshjen është e “obliguar që të paguaj të gjitha dëmet që i janë shkaktuar palës tjetër – fitimin e pritur, dëmin material dhe jo-material (imazhin, brendin etj) në pajtim me dispozitën 9.6”.

Në pikën 9.11 të kësaj marrëveshjeje, Telekomit i është lënë mundësia e shkëputjes së kontratës edhe para datës efektive, por sërish ka penalizime.

Por, në Telekom thonë se kontrata ende nuk ka filluar të zbatohet. Ndërkohë, në kontratë thuhet se e njëjta fillon zbatimin në momentin kur Telekomi i Kosovës bënë kërkesë për fillim të shërbimeve, e cila merret si datë efektive e kontratës.

Kurse, në pikën 9.3 të marrëveshjes thuhet se kërkesa për fillim të ofrimit të shërbimit do të lëshohet nga Telekomi i Kosovës, pas pranimit, integrimit, testimit dhe funksionalizimit të platformës së Partnerit.

Zëdhënësi i Telekomit, Menduh Abazi ka mohuar të jetë bërë një kërkesë e tillë nga ana e Telekomit.

“Siç edhe e thamë edhe më lartë, pezullimi nga Bordi i Përkohshëm vazhdon të jetë valid deri në një vendim tjetër dhe deri atëherë nuk ka asnjë veprim nga ana e menaxhmentit të Telekomit”, thotë Abazi.

Kjo kontratë është audituar me kërkesë të Bordit të Përkohshëm i Telekomit. Gjithashtu është shqyrtuar edhe nga një ekspert i jashtëm. Gjetjet nga të dyja palët bënë që Bordi të kërkojë me urgjencë nga menaxhmenti që këtë dosje ta dorëzojë në Prokurorinë e Shtetit.

“Komisioni i Auditimit e ka pranuar Raportin e Auditimit të Brendshëm për rastin “Partneriteti me Advantech”, dhe në bazë të këtij raporti, Komisioni i Auditimit i propozon Menaxhmentit Ekzekutiv që në harmonizim me Departamentin Ligjor dhe në bazë të gjetjeve të auditorit të brendshëm, të iniciohet urgjent përmes organeve kompetente një procedurë legale ndaj personave të përfshirë në lidhje me këtë kontratë”, thuhet në analizën e Komisionit të Auditimit të emëruar nga Bordi.

Ndërkaq, sipas gjetjeve të ekspertit, thuhet se kontrata ishte lidhur me kushte jashtëzakonisht të pafavorshme për ndërmarrjen.

“Ndarja e të hyrave që tejkalon 15% për kompaninë dhe nuk sjell 85% për Telekomin nuk është një marrëveshje e mirë”, thotë eksperti në analizën e tij.

Ai thotë se kompania ‘AdvanTech’ do të ketë pronësi në softuerë.

“Në rast të një kalkulimi të tillë nuk e di sa është e kuptueshme që të angazhohet një partner që të ofron OTT/IPTV në bazë të parimit ‘share revenue’ dhe me atë rast: 1) Ka ekskluzivitet; 2) Ka të drejta pronësore në SW (softuer); 3) Merr përqindje nga shërbimet bazë që i ofron Telekomi, pra nga Bundle (tufa) e shërbimeve – internet voice etj”, thuhet në analizën e ekspertit.