Gjyqi i Sheshelit Afër Fundit

“Pritet që prokuroria do të mbarojë me argumentet e saj më 7 mars, ndërsa argumentet nga pala mbrojtëse do të bëhen midis datave 12 dhe 15 mars”, tha Nerma Jelaçiq, zëdhënëse e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY.

Vojislav Sheshel, lider i Partisë Nacionaliste Radikale Serbe, po vetëmbrohet.

Sipas vendimit të trupit gjykues, secila palë në proces, do të ketë rreth 10 orë për të prezantuar argumentet e veta.

ICTY i dorëzoi akuzat kundër Sheshelit në vitin 2003 për persekutim në baza politike, racore dhe fetare, dëbim dhe veprime çnjerëzore si dhe për thyerjen e rregullave të luftës gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, nga viti 1991 deri në vitin 1993.

Sipas aktpadisë, Shesheli planifikoi dhe urdhëroi spastrimin etnik të gjithë popullatës joserbe nga territori të cilit autoritet serbe i referoheshin si rajoni autonom serb, gjatë viteve 1990-të.
Territori përfshinte Slavoninë, Baranjën, Sremin Perëndimor, si dhe pjesë të Bosnjës e Hercegovinës, dhe të provincës serbe të Vojvodinës.

I njohur për oratorinë dhe retorikën ekstreme, gjatë konfliktit Shesheli mobilizoi jo vetëm palën e armatosur të partisë së tij radikale serbe, por edhe forca të tjera serbe, duke i nxitur të persekutonin kroatët dhe boshnjakët.

Shesheli u dorëzua vullnetarisht para ICTY-s në vitin 2003, por gjyqi i tij filloi në vitin 2007, pas disa përpjekjeve të dështuara dhe një greve urie nga i akuzuari.

Së fundi, Shesheli ka qenë në lajme pas një operacioni në zemër në janar.

Gjendja e tij shëndetësore është politizuar nga anëtarë të partisë së tij të cilët e akuzojnë Tribunalin në Hagë se e ka keqtrajtuar liderin e tyre.

Më 30 janar, Shesheli ka kërkuar për rreth 2 milionë euro dëmshpërblim nga Tribunali në Hagë, se ka dhunuar të drejtat e tij themelore gjatë paraburgimit.

Procedurat ligjore për rastin Sheshel kanë zgjatur për 9 vite deri tani, duke e bërë një nga rastet më të gjatë në historinë e ICTY-s.

Biografia:
1954:  I lindur në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë, në atë kohë pjesë e Jugosllavisë;
1971: Bëhet anëtar i Lidhjes Komuniste;
1984: Dënohet për aktivitete kundër-revolucionare me dy vjet burgim;
1990: Themelon Lëvizjen Çetnike serbe, i cila u ndalua më pas;
1991: Formon Partinë Radikale Serbe;
1991: Zgjidhet në parlamentin serb;
1991: Fiton reputacion si luftëtar i egër në konfliktin në Kroaci dhe Bosnjë;
1993: Ndahet nga Milosevici dhe detyron shpërbërjen e parlamentit;
1998: Ribashkohet me qeverinë e Milosevicit dhe bëhet zëvendëspresident i Serbisë;
2002: Kandidon për president në zgjedhje dhe fiton 36.3 për qind të votave;
2003: Paditet nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, dhe dorëzohet në gjykatë;
2007: Gjyqi fillon pas një përpjekjeje të pasuksesshme dhe një greve urie;
2009: Dënohet për mospërfillje të gjykatës;
2012: Kërkon dëmshpërblim prej dy milionë eurosh për dhunim të të drejtave të njeriut nga ICTY.